BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Sport

Bylis nxjerr Tiranën nga gara për titull, Skënderbeu fitore me “aromë” mbijetese në Krujë

Bylis nxjerr Tiranën nga gara për titull, Skënderbeu fitore me

Dy rezultate surprizuese ka prodhuar që në start javë e 31-të e kampionatit, ku Tirana, me barazimin o-0 në Ballsh ndaj Bylisit pothuajse ka dalë nga objektivi titull, ndërkohë që vetë ballshiotët me këtë barazim rëndojnë pozitat e tyre në klasifikim, pasi Skënderbeu është afruar me 1 pikë dhe kërcënon zonën “play-out”. Ndërkohë, vetë Skënderbeu fiton 2-0 në Kamzë ndaj Kastriotit dhe komplikon më tej renditjen në zonën e fundtabelës, duke e bërë garën enigmatike edhe në sektorin e poshtëm të saj.

Tirana zhgënjen, Bylisi nuk përfiton

Pas minutave të para pa shumë ritëm, Tirana ka një shans të artë në të 23-tën, kur një pasim i bukur nxjerr të lirë Seferin, që i shmanget markimit, del i vetëm me portierin, Torasa është i lirë në krah, por preferon gjuajtjen që kthehet nga Pano Qirko. Vazhdon aksionin Torasa, por tanimë me mbrojtjen të rikthyer në bazë nuk ka shumë për të bërë. Në të 27-tën tjetër aksion i rrezikshëm i Tiranës, që finalizohet me një goditje të Gyamfit, por përgjigjet sërish mrekullisht Qirko, dhe më pas mbrojtja largon topin, edhe pse rasti është intrigues për të përsëritur imazhet me topin që i afrohet ndjeshëm vijës fatale. I duhet fitorja Orges Shehit për të mbajtur gjallë shpresën titull. Provon ta zgjidhë pa sukses me një goditje të gabuar Taulant Seferi. Shumë pak bën Bylisi, ka pak force, si kjo goditje e Carkanjit, që me zor shkon në portën e Bekajt. Në shtesën e së parës vendasit protestojnë në lidhje me një pritje të “gardianit” bardheblu, por për kryesorin Bajramaj portieri nga Kosova e ka mbajtur topin jashtë vijës fatale. Edhe në pjesën e dytë skenari nuk ndryshon, me Tiranën më kërkuese. Fillimisht është Najdovski që provon me një goditje jashtë portës, ndërsa menjëherë më pas shpërdoron Ismailgeci, që nuk arrin të godasë siç duhet shumë pranë vijës fatale. Në të 74-tën është një tjetër mbrojtës, Kristi Vangjeli, që pas një goditjeje këndi gjuan me kokë sipër traversës. Me Tiranën të hedhur para Bylisi ka mundësinë e kundërsulmit në të 75-tën, gjatë një rasti të tillë Ntepe shërben mirë për Nebihin, por Najdovski i largon me mjeshtëri topin, një kundërzbritje që pa dyshim mund të ishte shfrytëzuar më mirë nga Bylis. Shehi luan kartën e zëvendësimeve, duke futur në lojë Variynen dhe Elton Cale, të dy protagonistë në aksionin e minutës së 84-t, që finalizohet me goditjen e brazilianit, që duhet ta kishte ulur pak shënjestrën. Pavarësisht dominimit në lojë, Tirana nuk arrin të shënojë deri në fund dhe përfundon 0-0, një rezultat që i la të pakënaqur të dy klubet.

Skënderbeu fitore me “aromë” mbijetese, Kastrioti rrezikon tani rënien

Në Kamzë, dueli mes Kastriotit dhe Skënderbeut fitohet nga korçarët 0-2, që bëjnë një hap të madh përpara tani me ëndrra të plota për të realizuar mbijetesën, ndërkohë që kanë zhytur pas këtij suksesi në vallen e mbijetesës vetë Kastriotin. Ishte një nga rezultatet surprizuese të javës së 31-të. Rasti i parë flagrant i ndeshjes erdhi në minutën e 26-të. Pas një krosimi të marrë nga e djathta, Çela gjuan bukur me kokë, por pret me një hedhje spektakolare Rexhepi. Në fund të pjesës së parë krutanët mbetën me 10 lojtarë. Indrit Prodani ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë për goditje më bërryl ndaj Vangjelit. Momente tensioni në fushë, Çela godet me kokë Sadriun, por arbitri nuk e shikon dhe ndëshkon të dy lojtarët me të verdhë. Në pjesën e dytë, tjetër mundësi e mirë për Kastriotin (59’), me Bardhin që lëshon një gjuajtje të fortë në hyrje të zonës, por topi ndalet te shtylla. Zhbllokohet sfida në minutën e 69-të, me Jean Viktor që shënon pas një topi të mbetur zonë. Neziri largohet nga fusha me ambulancë, në vendin e tij inkuadrohet Joan Çela. Në minutën e 89-të Jean Viktor godet, por pret Hidi, duke shmangur golin e 0-2. Penallti për Skënderbeun në minutën e 93-të. Mara pengohet nga Rami, por nga pika e bardhë Meksi godet keq. Gjithsesi, pak çaste më vonë Kosta Vangjeli shënon golin e 0-2, duke shfrytëzuar kundërsulmin e radhës të miqve.