Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CAS bën drejtësi, i jep Shqipërisë 3 pikë përballë Serbisë

CAS bën drejtësi, i jep Shqipërisë 3 pikë përballë Serbisë

Postuar: 11/07/2015 - 08:12

Shqipëria e futbollit mori dje një lajm të bukur dhe një kënaqësi të veçantë nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, pasi gjykata në fjalë i ka dhënë asaj tri pikë në tavolinë për ndeshjen ndaj Serbisë të ndërprerë më 14 tetor të vitit të kaluar në stadiumin “Partizani” të Beogradit. Për muaj të tërë, kjo ndeshje kishte kaluar përmasat sportive dhe ishte futur në analet diplomatike e ligjore ndërkombëtare, si dhe kishte kushtëzuar jo pak marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb gjatë kësaj kohe. Edhe pse UEFA dha vendim në të dy shkallët e disiplinorit të saj për ta ndëshkuar skuadrën tonë përfaqësuese me minus tri pikë, duke e bërë përgjegjëse për refuzimin e rifillimit të lojës, është Këshilli i Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, i cili, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve deri në detaje, pasi mori në arsyetim ligjor të gjithë morinë e zhvillimeve, veprimeve apo mosveprimeve dhe gjithçka tjetër ndodhi para, gjatë dhe pas ndeshjes, konstatoi se vendimi i UEFA-s ishte i gabuar, pasi Shqipëria nuk ishte përgjegjëse për atë që ndodhi në fushë dhe se ndërprerja e takimit ishte për mangësinë e organizatorit, ndërsa vendimin e shkruar nga arbitri se Shqipëria e ka refuzuar rinisjen e lojës e gjeti të pabazuar dhe të pakonstatuar në protokollin e takimit. Për pasojë, CAS pranoi kërkesën e Shqipërisë dhe, pasi hodhi poshtë pjesërisht vendimin e UEFA-s, u dha “Shqiponjave” tri pikë në tavolinë. CAS ka gjetur fajtore palën serbe dhe ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Apelit të UEFA-s, pra për ndëshkimin me minus tri pikë, gjobë 100 mijë euro dhe dy ndeshje pa tifozë. Dhënia e pikëve Shqipërisë është komentuar me ngjyra ndezëse në Shqipëri dhe në trojet shqiptare në përgjithësi, ku vendimi shihet si bërje e drejtësisë për atë që ndodhi me përfaqësuesen tonë në Beograd, si dhe një drejtësi për futbollin në tërësi, i cili duhet të jetë larg dhunës e racizmit.
 
Vendimi
 
Paneli juridik i KAS-it ka komentuar me imtësi vendimin, duke e hedhur poshtë pretendimin e UEFA-s se arbitri ka konstatuar se Shqipëria ka refuzuar të rinisë lojën. CAS-i është shprehur se në këtë pikë nuk ka gjetur përgjegjëse palën shqiptare, duke thënë se vendimi i arbitrit për të rifilluar lojën nuk ka qenë i pakushtëzuar, nuk ka qenë vendimtar dhe siguria e impiantit brenda dhe jashtë tij nuk ka qenë eficente. "Paneli CAS gjeti se provat nuk tregojnë se FAA (FSHF) ka refuzuar për të luajtur pas një urdhri të lëshuar nga arbitri," thuhet në deklaratë. "Paneli CAS nuk ishte në gjendje për të konstatuar, për rehatinë e tij, se arbitri ka lëshuar një urdhër të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar ndaj lojtarëve për të rifilluar ndeshjen në bazë të një vendimi të caktuar se siguria e impiantit ishte siguruar. Paneli konstatoi se ndalja e ndeshjes dhe braktisja eventuale e ndeshjes janë shkaktuar nga gabime të sigurisë së organizatorëve dhe aktet e dhunës janë ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga tifozët serbë dhe të paktën nga një kryepunonjës i sigurisë. Si e tillë, Paneli konsideron se Shoqata e Futbollit e Serbisë (FAS) dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FAA) duhet të konsiderohen si përgjegjës për ndeshjen, e cila nuk u luajt plotësisht, në shkelje të nenit 27,01 të Rregullores së Kampionatit Evropian të Futbollit UEFA 2014- 2016. Në dritën e këtij konstatimi, Paneli CAS ka vendosur se në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë të konsiderohet e humbur nga FAS (Federata e Serbisë) me rezultat 0:3. CAS vazhdoi për të gjetur, në përputhje me UEFA-n, se Shqipëria ka qenë përgjegjëse për dronin që u shfaq gjatë ndeshjes dhe që mbante një flamur me simbole nacionaliste dhe patriotike shqiptare, si dhe konfirmon gjobën prej 100.000 euro të vendosura nga UEFA për Shqipërinë. Për më tepër, në lidhje me ankesën e paraqitur nga Serbia, CAS e ka hedhur poshtë ankesën dhe ka konfirmuar vendimin e marrë nga organi i UEFA-s, Apeli, më 2 dhjetor 2014”. Për palën serbe mbetet në fuqi çdo vendim i dhënë nga UEFA. Siç shihet, vendimi i CAS-it nuk lë interpretim tjetër. Ai është përfundimtar dhe duke i dhënë tri pikë Shqipërisë e ngjit ekipin kuqezi automatikisht në vendin e dytë në renditjen e grupit I kualifikues për Euro-2016. Adriatik BALLA
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 05/12/2019 - 18:43

Sipas mediave zvicerane, sulmuesi i Liverpullit dhe i Zvicrës, Xherdan Shaqiri i ka mbjellë flokët, gjatë periudhës kur shqiptari ishte i lënduar.

Postuar: 05/12/2019 - 12:06

Racizmi është një nga problemet më të mëdha që ka futbolli në Itali dhe debatet kanë qenë të shum

Postuar: 05/12/2019 - 07:24

Trajneri Karlo Ançeloti po kalon momente të vështira tek Napoli, megjithëse dje presidenti Aureli

Postuar: 05/12/2019 - 07:23

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po kalojnë momente të mira me ekipet e tyre në kampionatet e ndry

Postuar: 05/12/2019 - 07:21

Në fundjavë Teuta do të presë në Durrës skuadrën e Skënderbeut, në kryeduelin e javës së 14-të të

Postuar: 04/12/2019 - 22:47

Trajneri portugez Jose Mourinho ka provuar sonte humbjen e parë si trajner i Hotspur, duke

Postuar: 04/12/2019 - 22:12

Tani po zhvillohet ndeshja midis Junatid dhe Totenhemit në këto momente, e vlefshme për javën e 1