BREAKING NEWS

'Testi i uthullës', mësoi si funksionon taktika që aplikon ushtria amerikane për të zbular personat e infektuar nga COVID-19

'Testi i uthullës', mësoi si funksionon taktika që
x

Sport

Cikalleshi fiton “duelin” me Sadikun, kavajasi bind më shumë trajnerin Reja

Cikalleshi fiton “duelin” me Sadikun, kavajasi bind më

Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku kanë mbajtur peshën kryesore të sulmit të ekipit kombëtar gjatë viteve të fundit, teksa elbasanas është i vetmi lojtar i përfaqësueses kuqezi që ka mundur të shënojë në një fazë finale të Europianit, sikurse ndodhi në Francë-2016, kur Shqipëria mundi në grup Rumaninë 1-0. Padyshim që Cikalleshi ka qenë me volum më të madh në fushë, pasi është lojtar që kërkon hapësira të gjera në fushë dhe kur aktivizohet mban peshë të madhe në repartin ofensiv, nisur pikërisht nga cilësitë e tij dhe detyrat që ka në skuadër. Kurse Sadiku është më apozicional, luan zakonisht si numër 9, ose si 10 i mbuluar, por vazhdimisht ai preferon depërtimin në zona të ngushta dhe më pas futjen në zonë dhe gjuajtjet e shpejta e të sakta. Praktikisht, dëmtimet e shumta e kanë lënë atë gjatë dy vjetëve të fundit më shumë jashtë skuadrës sesa brenda saj. Kalimi në kampionatin e ligës së dytë spanjolle këtë sezon, tek ekipi i Malagës, i dha mundësinë të luajë më shumë e të shënojë, madje ai ka realizuar gola me peshë për skuadrën e tij, teksa në fillim kishte dhe ritëm të mirë realizimi, por gjatë tri javëve të fundit në kampionatin spanjoll nuk është përmendur, ka një “shterpësi” të dukshme dhe kjo është shqetësuese për të jo vetëm tek ekipi i Malagës, por edhe për Kombëtaren kuqezi. Ishte projektuar të luheshin dy miqësore në fund të këtij muaji, por në fund u vendos të luhet vetëm një miqësore me Slloveninë, në fushën e kësaj të fundit e me gjasë do të shtyhet edhe ajo për shkak të koronavirusit, kështu që testimi i trajnerit Edi Reja mund të mos ndodhë dhe Sadiku do të ketë kohën të rikuperojë energjitë e tij dhe të bindë jo vetëm Malagën, por edhe trajnerin Reja që t’i bëjë ftesë e ta ketë pikë orientimi në repartin ofensiv.

Cikalleshi, forcë e madhe tek Akhisarspori

Në ligën e dytë turke Sokol Cikalleshi është komod, pasi jo vetëm luan titullar me skuadrën e tij Akhisarspor, por njëherësh është shndëruar në liderin e kësaj skuadre në fazën ofensive. Në fillim të edicionit Cikalleshi pati problemet e tij, por tani që duhet forcë për realizimin e objektivave të skuadrës, ai ka dalë në ballë të parë dhe ka mundur të jetë përcaktues në shumë ndeshje, me gola dhe asiste, duke marrë edhe vëmendjen e shtypit sportiv turk. Madje ditët e fundit ka shënuar gola vendimtar në sukseset e ekipit dhe Akhisarspori është fare pranë objektivit për të qenë në krye të renditjes, domethënë ka shanse të ngjitet në Superligën e Turqisë. Krejt ndryshe nga Malaga e Sadiku, që rrezikon rënien dhe është në pozita të vështira, skuadra e Cikalleshit, falë edhe shtatlartit shqiptar, është në pozita pretendenteje për t’u ngjitur në elitë dhe vetë bomberi kuqezi identifikohet me sukseset e ekipit. Pra Cikalleshi është më efikas se Sadiku në këto momente dhe kjo nuk ka qëndruar jashtë vëmendjes së trajnerit Edi Reja, që me siguri do ta ketë në fokusin e tij për ndeshjet e ardhshme eliminatore, bazuar sigurisht në performancën e mirë dhe minutazhin e plotë që ai ka me skuadrën turke.

Sulmuesit e tjerë presin shansin

Nuk është vetëm Cikalleshi dhe Sadiku që duan prioritet në fazën ofensive të skemave taktike të trajnerit Edi Reja. Mësohet se edhe Bekim Balaj e kërkon këtë shans, nisur nga niveli i kampionatit ku aktivizohet, pasi ai është pjesë e Shturm Grazit në Bundesligën e Austrisë. Edhe Balaj pati start të mirë, por javët e fundit ka një ngërç. Gjithsesi, forca fizike dhe loja e mirë në ajër mund ta ndihmojë atë të jetë pjesë e skemave të Rejës në shumë ndeshje, kështu që shkodrani e ka një shans. Më pas vijnë sulmuesit e rinj, kryesisht ata që vijnë nga ekipet kombëtare të moshave dhe vëmendja gjatë ditëve të fundi ka qenë tek Armando Broja, futbollist që ka nisur të aktivizohet me skuadrën e parë të Çelsit. Është futbollist me të ardhme dhe me siguri që trajneri Reja do ta ketë në fokusin e tij për eliminatoret e ardhshme. Myrto Uzuni është gjithashtu një potencial i mirë i sulmit nga krahët, prandaj ai merr përparësi dhe loja e mirë e me gola të shumtë tek Lokomotiva e Zagrebit e ndihmojnë atë të jetë në qendër të vëmendjes së trajnerit të Kombëtares.