BREAKING NEWS

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr prapaskenat e rënda, i përgjigjet akuzës ‘bombë’ të Sali Berishës: Unë e paralajmërova që...

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr
x

Sport

Daja pranon problemet e grupit, Skënderbeut i çalon mbrojtja

Daja pranon problemet e grupit, Skënderbeut i çalon mbrojtja

Në fundjavë Teuta do të presë në Durrës skuadrën e Skënderbeut, në kryeduelin e javës së 14-të të Kategorisë Superiore, ku padyshim Durrësi do të jetë epiqendra e vëmendjes, jo vetëm për rëndësinë e ndeshjes, por më së pari sepse në këtë qytet tërmeti i 26 nëntorit la më shumë dëme se kudo tjetër. Ky është një rast i mirë që njerëzit të harrojnë hallet e tyre të përditshme dhe stresin e rritur si pasojë e dëmeve dhe viktimave të shumta, një mënyrë që futbolli të kthejë rutinën e mëparshme. Për këtë arsye FSHF po merr masat që të jetë një ndeshje e veçantë, ku të ardhurat prej biletave do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti, për të mos thënë që po mendohet dhe një hyrje falas për kategori të caktuara. Sidoqoftë, këto janë masa që merren në bashkëpunim midis klubit e federatës, pa anashkaluar edhe rolin e policisë, megjithëse kjo ndeshje duhet përshkruar më shumë si solidaritet me të prekurit nga tërmeti. Nga ana tjetër, rival në këtë përballje, është Skënderbeu i Korçës, i cili po kalon një moment të mirë pas fitores me Tiranën dhe trajneri Ilir Daja i ka rritur pretendimet e tij, duke tentuar të marrë pikë edhe në Durrës. Por pavarësisht se vjen nga fitorja, trajneri Daja ka konstatuar se ka probleme në ekip, sidomos në mbrojtje, një repart që nuk ka kualitetin e duhur të përballet me një skuadër që ka cilësi e aq më tepër të përballojë duel në transfertë në një moment delikat. Domethënëse janë dhe fjalët e përdorura nga një media sportive elektronike: “fenomeni “Skënderbeu”, i vështirë për t’u shpjeguar”. Një skuadër që pëson 4 gola nga Laçi dhe pastaj fiton dy ndeshje radhazi, duke mposhtur Bylisin surprizë të kampionatit dhe i jep edhe një leksion futbolli Tiranës pretendente, duke futur në krizë bardheblutë. Futbolli nuk ka rregulla të ngurta dhe shpesh nuk ndjek as logjikën e megjithatë, sidomos duke u nisur nga dy ndeshjet e fundit, është e lehtë të konstatosh diferencat me sulmit dhe mbrojtjes. Skënderbeu, pavarësisht riformatimit dhe vështirësive, edhe pse numerikisht nuk është i bollshëm, ka elementët cilësorë që bëjnë diferencën. Dejvi Bregu mbetet një ndër lojtarët më të mirë të Kategorisë Superiore, gjithmonë rrezik për kundërshtarët, i aftë të ndryshojë lojën në një episod, po ashtu Nazmi Gripshi, pavarësisht moshës së re, është një 22-vjeçar i sprovuar në kampionat prej disa sezonesh dhe këtë vit ka marrë më shumë përgjegjësi që ndërthurur me formën e mirë fizike e bëjnë të jetë vendimtar, kryegolashënues i skuadrës me 4 finalizime. Qendra e sulmit ndërkohë me Blerim Krasniqin ka një lojtar që krijon volum e hapësira e madje këtë sezon po shënon më tepër se vitin e shkuar. Në formë të mirë janë një treshe që mund të mposhtë çdo kundërshtar, gjithmonë nëse mban mbrojtja. Në të vërtetë është “thembra e Akilit” këtë vit për skuadrën e Ilir Dajës, 22 gola të pësuar, po aq sa Luftëtari, lë pas vetëm mbrojtjen e Flamurtarit, që ende nuk ka shijuar fitoren e pare. Arsyeja është e thjeshtë: bëhet fjalë për një repart të riformatuar nga e para e madje me improvizime të rëndësishme, ku Bruno Ditës i është dashur të zhvendoset në rolin para portierit. Pikërisht për këtë arsye Ilir Daja është fokusuar veçanërisht në aspektin mbrojtës. Me më pak gola të pësuar, Skënderbeu i tij mund të jetë surpriza e vërtetë e kampionatit. Sidoqoftë, duhet punuar shumë nga stafi dhe lojtarët që ky Skënderbe të arrijë maksimumin e vet dhe të pretendojë trofe. Por grupi është i mirë dhe i mbledhur, madje mund të shënojë rezultate pozitive të qëndrueshme në vijim. Kështu, futbollisti i madh i Skënderbeut në vitet 70-të, Dhimitraq Xhambazi, në një intervistë të dhënë për “Sot”, shprehet se ekipi ka disa kokrra që kanë kualitet si Bregu, Gripshi etj, ndërsa në tërësi paraqitet një skuadër e mbledhur dhe që punon mirë në skemat e lojës. Ai vlerësoi punën e trajnerit Daja, duke thënë se Skënderbeu do të jetë në top-4 në fund të kampionatit, një pozicion që është i barabartë me një vend në Ligën e Europës. 

Adriatik BALLA