Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Dashuri e re mes Hysajt e Napolit, Gatuzo ofron siguri për mbrojtësin kuqezi

Dashuri e re mes Hysajt e Napolit, Gatuzo ofron siguri për mbrojtësin

Mbrojtësi i Kombëtares, njëherësh kapiteni i kuqezinjve, Elseid Hysaj, ka gjasa maksimale të mbette i Napolit edhe sezonin tjetër dhe këtë e kanë shprehur vetë mediat italiane, si dhe menaxheri i futbollistit, Mario Xhiufredi. Ky i fundit ka lëshuar lavdërime në adresë të trajnerit Gatuzo, duke nënkuptuar se i kishte dhënë shansin e tij Hysajt dhe lojtari e kishte shpërblyer besimin, pasi Napoli ia doli të fitojë një nga trofetë sezonalë në futbollin italian. Në fakt, me Karlo Ançelotin në drejtim, Elseid Hysaj dukej i larguar nga Napoli, por me shkarkimin e Ançelotit dhe ardhjen në stol të Xhenaro Gatuzos situata ka ndryshuar për mbrojtësin e kombëtares kuqezi i cili tashmë po gjen më shumë hapësira dhe duke iu referuar fjalëve të agjentit të tij, gjasat që Hysaj të largohet nga Napoli janë të pakta. Menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi, së fundmi ka folur në lidhje me të ardhmen e mbrojtësit të djathtë dhe të dy klientëve të tjerë që ka në skuadrën e Napolit. “Gjërat kanë ndryshuar me Gatuzon si trajner. Kemi biseduar edhe me klubin në lidhe me situatën”, është shprehur Xhiufredi në lidhje me Hysajn për “Radio Kiss Kiss”. Më tej ai ka folur mbi rinovimet e lojtarëve të tij. “Po diskutojmë në lidhje me rinovimet e kontratave të Di Lorenzo dhe Mario Rui. Është një grup fantastik, të gjithë vrapuan për të përqafuar trajnerin pas vërshëllimës së fundit në finalen e Kupës. Treguan se sa shumë e duan dhe Gatuzo meriton gjithë dashurinë e kësaj bote”, nënvizoi Xhiufredi. Vetë Hysaj ka preferuar të heshtë në këtë periudhë, por dukshëm ai po kalon një moment të mirë, përderisa ishte titullar në finalen e madhe të Coppa Italia-s. Luan, vlerësohet dhe pëlqehet nga trajneri. E pse të ndryshojë ambient në këto kushte?

Gatuzo: Jam armiku më i madh i lojtarëve të mi

Trajneri Ivan Xhenaro Gatuzo tha pas suksesit të arritur në Kupën e Italisë se Napoli e kishte merituar dhe në të ardhmen priste më shumë nga grupi, por deklarata e tij mbi sjelljen ndaj lojtarëcve bëri më shumë bujë. Dhe kjo vlen jo vetëm për Hysajn, pasi Gatuzo theksoi se ishte armiku kryesor i lojtarëve të tij, por kjo vetëm në stërvitje. “Kupa ishte trofeu im i parë në karrierën si trajner dhe për më tepër në një sezon të vështirë, por tani duhet ta lëmë pas krahëve, sepse na pret ndeshja me Veronën, një sfidë me një kundërshtar shumë të fortë, që mund të na vërë në vështirësi. Kemi edhe 12 ndeshje në kampionat, të cilat e kemi detyrim t’i luajmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh trajneri i Napolit. I ulur në pankinën napolitane në fillim të dhjetorit, për të zëvendësuar Karlo Ançelotin e shkarkuar, Gatuzo vuajti jo pak në fillim, por me kalimin e javëve e riktheu skuadrën në shina dhe e bëri sërish të frikshme për kundërshtarët. “Kam marrëdhënie mjaft të mira me të gjithë futbollistët, por në stërvitje jam armiku i tyre më i madh. Nuk lejoj mungesën e angazhimit në stërvitje, pasi aty hidhen themelet për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të marrë rezultat. Kemi punuar shumë për t’u shndërruar në një skuadër solide, por e dimë që kemi ende shumë rrugë përpara”, tha Gatuzo. Objektivi i mbetur i Napolit për sprintin final të sezonit është të arrijë vendin e katërt, por Gattuso pranon se do të jetë shumë e vështirë, ndërsa me të njëjtin pesimizëm komenton edhe përballjen me Barcelonën për fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve. “Vendi i katërt do të jetë i vështirë, pasi Atalanta ka një ndeshje më pak dhe nëse e fiton, shkon 12 pikë para nesh, megjithatë kemi detyrimin të bëjmë më të mirën në takimet që na kanë mbetur dhe të shpresojmë që të renditemi sa më lart. Në Champions na pret një përballje shumë e vështirë me Barcelonën, pasi dihen vlerat e kundërshtarëve, por jemi gati të luajmë shanset tona me optimizëm e besim”, nënvizoi Gatuzo.