Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

De Biazi “sponsorizoi” Amir Rrahmanin tek Verona, arrihet akordi me Dinamon e Zagrebit

Postuar: 23/06/2019 - 07:51

Një prej lojtarëve shqiptarë që ka pasur rritje progresive në karrierën e tij gjatë viteve të fundit është mbrojtësi Amir Rrahmani. Ish-mbrojtësi i Partizanit dhe përfaqësueses së Shqipërisë, aktualisht pjesë e kombëtares tjetër shqiptare, asaj të Kosovës, Rrahmani kaloi dy sezone fantastike me Dinamon e Zagrebit, duke spikatur si një nga më të mirët. Tashmë ai është shumë pranë prezantimit me një skuadër të madhe italiane si Verona, teksa është njoftuar se firmosja e marrëveshjes do të ndodhë zyrtarisht ditën e martë. Është një prej lëvizjeve më të bujshme nga radhët e legjionarëve, për më tepër që Rrahmani kalon në Serinë A italiane nga një klub me famë në Ballkan, sikurse është Dinamo e Zagrebit. Janë vetë mediat italiane që shkruajnë se Amir Rrahmani do të luajë sezonin e ardhshëm në Serinë A italiane duke qenë se është arritur akordi mes Hellas Veronës dhe Dinamo Zagrebit për shërbimet e mbrojtësit. 25-vjeçari që luan si titullar në kampionatin kroat, ka spikatur jo pak me Dinamon dhe kërkohej nga Sëlltiku dhe Standard Liezhin me këta të fundit që ishin më pranë, megjithatë Verona arriti të mbyllte e para bisedimet. Mbrojtësi shqiptar do të zyrtarizohet javën e ardhshme dhe eksperti i merkatos, “gianlucadimarzio.it” raporton se për mbrojtësin shqiptar është vendosur që të martën të kryejë edhe vizitat mjekësore me Hellas Veronën. Ai do të udhëtojë këto ditë në drejtim të Veronës ku edhe do të jetë qyteti i radhës në të cilin do të jetojë dhe pasi të ketë kryer vizitat mjekësore, do të firmosë dhe do të prezantohet. Padyshim ky është një hap i madh në karrierë për mbrojtësin e Përfaqësueses së Kosovës ku do të synojë të bëjë paraqitje të mira për të provuar një klub më të madh. Mbetet të shihen detajet e këtij operacioni të rëndësishëm në treg për një prej lojtarëve shqiptarë, ecuria e të cilit në fushat e blerta zë fill tek Partizani, ku ai spikati si mbrojtës i qëndrueshëm, pozicional dhe me kualitet të mirë, ndërsa tek Dinamo e Zagrebit ka prodhuar edhe gola me kokë, duke ndihmuar sulmin sidomos gjatë ekzekutimit të goditjeve të këndit apo atyre të dënimit. Në fakt, lajmi i publikuar pak ditë më parë, duket se tashmë do të marrë edhe formë zyrtare ndërkohë që elozhet për të nuk i ka kursyer as Xhani De Biazi. Ish-trajneri i Kombëtares, e kishte nën urdhrat e tij në vitin 2014 kur edhe debutoi me fanellën kuqezi, por më pas vendosi të luante për fanellën e Kosovës. Në një intervistë për “calciohellas”, De Biazi ka dhënë opinionin e tij duke treguar edhe karakteristikat e Rrahmanit. “Është një mbrojtësi i fortë dhe shumë i mirë në lojën në ajër. Nuk është shumë i shpejtë në metrat e parë, megjithatë mbetet mirë. Është i mirë dhe me kualitet nga ana teknike ndërkohë që është i mirë edhe kur provon të dalë në sulm. Është i ri por gati për aventurën e re në Itali. Kohët e fundit nuk e kam ndjekur shumë por i duhet më shumë eksperiencë pasi po kalon në një kampionat më të rëndësishëm se ai kroat. Fakti që ka luajtur në Europa League e ka ndihmuar shumë e sidomos që luan me Kosovën e bën që të ketë një të ardhme të sigurt. Mendoj se te Verona, ka bërë zgjedhjen e duhur”, është shprehur De Biazi. Më pas trajneri kujton se ka kujtime me këtë futbollist, duke e cilësuar një futbollist që ndan të njëjtat mendime me trajnerin. “Nuk është se kam ndonjë histori të veçantë. Është një djalë që gjithmonë do të mësojë dhe gjithmonë kishte të njëjtin mendim me mua. Kjo e ndihmon më shumë që të rritet. A është gati për Seria A? Këtë do ta shohim pas 2 muajsh. Mendoj se është një lojtar me cilësi interesat dhe i mirë në markim. Megjithëse nuk është njeriu më i shpejtë në botë, nuk është as futbollist që fle në këmbë”, nënvizoi ish-tekniku kuqezi De Biazi për mbrojtësin Amir Rrahmani.

 Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/07/2019 - 22:51

Gjykata ka vendosur të mos dënojë Cristiano Ronaldon i cili akuzohet për përdhunimin e Kathryn Mayorga.

Postuar: 22/07/2019 - 19:16

Ishte totalisht i përkushtuar me Argjentinën në Kupën e Amerikës Latine, por sërish dështoi.

Postuar: 22/07/2019 - 17:48

Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një njoftim zyrtar ku bën me dije se kërkohet një spons

Postuar: 22/07/2019 - 16:13

Si futbollist konsiderohet ende një legjendë.

Postuar: 21/07/2019 - 22:43

E pat injoruar kohë më parë kur disa kritikave në lojë, Neymar iu përgjigj me: “Kush je ti

Postuar: 21/07/2019 - 16:11

 Juventusi nisi sot zyrtarisht epokën e re nën drejtimin e trajnerit Maurizio Sarri.

Postuar: 21/07/2019 - 13:16

Erald Kolgega nuk është më pjesë e Dinamos.