BREAKING NEWS

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19
x

Sport

Derbi i Gjermanisë, Bajerni mund Dortmundin dhe vë një dorë tek titulli

Derbi i Gjermanisë, Bajerni mund Dortmundin dhe vë një dorë

Bajerni i Mynihut “vret” kampionatin në Gjermani, pasi fitoi derbin e Bundesligës përballë Borusias së Dortmundit me rezultatin 1-0, pikërisht në stadiumin “Signal Iduna Park” të Dortmundit, duke i dhënë drejtim titullit në futbollin gjerman për këtë edicion. Kryedueli i Bundesligës erdhi mbrëmë në kuadër të xhiros së 28-të të kampionatit gjerman dhe kjo sfidë kishte shumë interes për të dyja skuadrat, pasi një fitore e Dortmundit do ta hapte plotësisht garën për titull e një fitore e Bajernit do të bënte që bavarezët të afroheshin me titullin kampion. Në fakt, mbeten dhe 6 javë deri në fund dhe matematikisht të dyja skuadrat janë në lojë për trofeun, por dueli i mbrëmshëm vërtetoi se Dortmundi ende nuk është pjekur për ta thyer hegjemoninë e bavarezëve në futbollin gjerman. Në tërësi ishte një ndeshje e barabartë për të dyja skuadrat, dëshmuar dhe me statistikat mbresëlënëse të një takimi i cili ishte në ekuilibër të plotë me përjashtim të rezultatit që shkoi në favor të bavarezëve. Nga 5 godite secili në kuadrat, po aq dhe jashtë kuadratit, me nga dy katonj të verdhë secili, me mbajtje të topit në përqindje sikur ta ndash me thikë (50:50), por në fund buzëqeshja u shkon kampionëve në fuqi të Gjermanisë, Bajernit të Mynihut, i cili me trepikëshin e djeshëm thellon avantazhin në kryesim, tashmë me 7 pikë më shumë, duke hedhur një hap drejt trofeut, pasi ishte një fitore ndaj një rivali direkt. Sa i takon ndeshjes, të dyja skuadrat zbritën në fushë me lojtarët më të mirë, ku spikaste Bajerni me një rreshtim klasik 4-2-3-1, ndryshe nga Dortmundi që zgjodhi taktikën 3-4-2-1. Pra Dortmundi zgjodhi skemë më sulmuese, kurse Bajerni preferoi kundërsulmin dhe të paktën në pjesën e parë kjo pati efekt pasi bavarezët shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0, me gol të shënuar nga mbrojtësi i krahut, Joshua Kimiçi, në minutën e 42-të. Në tërësi loja nuk e pati shkëlqimin e duhur, kjo dhe për shkak të përgatitjes së vonë të skuadrave për shkak të pandemisë së koronavirusit, por emrat që zbritën në fushë nxitën interes në të dy kampet dhe të dyja skuadrat u përpoqën për maksimumin e tyre deri në fërshëllimën e fundit. Në pjesën e dytë Borusia e rriti mjaft lojën sulmuese dhe u përpoq të bënte diferencë me aksionet e zhdërvjelltë në qendër e në krahë, por pa mundur ta thyente mbrojtjen bavareze që u tregua në lartësinë e duhur. Në këtë pjesë pati rivalitet të fortë dhe dëshira për fitore nuk mungoi në asnjë krah, por një ndeshje nuk ngjitet në nivelin e spektaklit kur në stadium mungojnë tifozët. Për pasojë Bajerni diti ta menaxhojë epërsinë në minutat e fundit të takimit dhe të dalë nga stadiumi i Dortmundit me 3 pikë, duke mundur rivalin kryesor për titull 1-0 dhe duke u shkëputur me 7 pikë në kryesim. Tani bavarezët kanë 64 pikë, kurse Dortmundi mbetet në vend të dytë me 57 pikë, i kërcënuar prej Leipzigut që renditet i treti me 54 pikë, por me një ndeshje më pak. Meritat i takojnë Bajernit të Mynihut që e nisi këtë sezon me shumë zhgënjime, ndryshoi edhe trajnerin gjatë rrugës, por në fund ia del të marrë kreun e njëherësh të vendosë diktatin e vet në futbollin gjerman, duke hedhur pas fitores së djeshme në derbi një hap të madh drejt titullit.