BREAKING NEWS

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson të dhënat: Ja sa raste të reja u shënua në 24 orët e fundit nga koronavirusi

Asnjë viktimë, bien infektimet në vend, MSH përditëson
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik

Kryeministri Rama jep një tjetër lajm fantastik
x
BREAKING NEWS

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama jep mesazhin e fortë në France 24, paralajmëron ndryshimin e madh: Do të bëjmë çfarë është e mundur që...

Pas dënimit me 2 vite burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rama
x
BREAKING NEWS

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena që donin të vrisnin biznesmenin e njohur në Sarandë?

Zbardhen emrat! Kush janë dy vëllezërit dhe i riu nga Tepelena
x

Sport

Dhimitraq Xhambazi: Ky kampionat plot me të papritura, Partizanin e shoh më afër titullit

Dhimitraq Xhambazi: Ky kampionat plot me të papritura, Partizanin e shoh

Kampionati Kombëtar i Futbollit, Kategoria Superiore, po i afrohet fundit për këtë sezon dhe deri në dhënien e verdikteve mbetet të luhen edhe 4 xhiro. Janë 5 skuadra që synojnë titullin, por lufta e vërtetë e madhe bëhet për renditjen në tre pozitat e para që sigurojnë pjesëmarrjen në Europë dhe ky është një prej objektivave të rëndësishëm të klubeve tona. E veçanta e këtij sezoni është se ka një rivalitet të fortë jo vetëm në garën për titull, por edhe në zonën e fundtabelës, ku përveç Apolonisë e cila praktikisht është e rënë, ka një luftë të fortë për t’i ikur fundit mes tre skuadrave: Skënderbeut, Bylisit e Kastriotit. Barazimi i fundit në Korçë me Skënderbeut e Partizanit ka sjellë komplikimin e renditjes si në majë dhe në fund, prandaj javët që mbetet mund të dhurojnë surpriza të mëdha. I kontaktuar nga gazeta “SOT”, ish-futbollisti i madh korçar, i Skënderbeut dhe Kombëtares, Dhimitraq Xhambazi, vlerësoi rivalitetin e krijuar, rritjen e cilësisë gjatë javëve të fundit, por edhe emocionet sa i takon të papriturave që befasojnë çdo javë. Për Xhambazin, gara është e hapur deri në fund, por ai veçoi nga rivalizuesit e kreut Partizanin, si një skuadër më të konsoliduar, rrjedhimisht një pretendente kryesore për titullin.

- Kampionati po shkon drejt fundit, por me emocione të mëdha për shkak të rivalitetit për titull. Ka shumë skuadra që lakmojnë këtë objektiv, por njëherësh rivalitet ka dhe në fundin e klasifikimit, apo zonën e mbijetesës siç i themi shpesh. Cili është mendimi juaj për këtë kampionat, për situatën që mbretëron aktualisht në garë?

Kampionati po shkon drejt fundit dhe ekipet po përpiqen të kapin diçka, e kur them diçka kam parasysh objektivin maksimal të tyre, sidomos për ekipet e kreut. Me përjashtim të Kukësit, i cili është një ekip që as nuk fiton titull por as nuk rrezikon të bjerë, të gjithë skuadrat e tjera janë në vallen e objektivave të tyre, prandaj pritet një luftë e fortë sportive deri në javën e fundit.

- Ka disa ekipe që rivalizojnë për titullin kampion, natyrisht formula e garës ku ka përplasje direkte e bën më interesante këtë rivalitet. Në pikëpamjen tuaj, kë shihni favorit për të ngritur trofeun e kampionatit?

Të gjitha skuadrat janë aty-aty. Nuk mund të thuash me siguri që kjo është më mirë dhe më afër, pasi ndodhin të papritura dhe kjo i ka dhënë ngjyra të bukura kampionatit. Teuta, Partizani, Vllaznia, Laçi, por edhe Tirana janë në vallen e objektivit të tyre për titull, por duhet parë se si do të shkojë deri në fund. Një humbje ndikon sepse zbret tre-katër shkallë njëherësh, e një fitore të ngjit tre-katër shkallë. Nëse është për të zgjedhur një skuadër, unë personalisht shoh Partizanin më të qëndrueshëm, një ekip i konsoliduar, me lojë cilësore dhe shprehëse në objektivat e saj. Këtë e pashë dhe nga performanca e fundit që kjo skuadër bëri në Korçë ndaj Skënderbeut.

- Si ju duket niveli i garës në tërësi përgjatë kampionatit?

Niveli u rrit shumë javët e fundit, natyrisht që ka gjëra të mira dhe ku kryesorja është rivaliteti për titull. Këtë vit ka dhe diçka pozitive në këtë rivalitet, pasi mungojnë favoret që vinin nga pozicionet e ndryshme të skuadrave dhe dalja e disa prej tyre nga objektivi. I parë në këtë formë, ky kampionat është nga më të mirët ndër vite. Pra niveli është i kënaqshëm, në përgjithësi, dhe këtë bukuri ia japin skuadrat e “nivelit të dytë”, pra ekipet që luftojnë për mbijetesë. Edhe Apolonia është sjellë mirë në garë, duke luajtur me dinjitet.

- Të flasim dy fjalë për Skënderbeun. Me ardhjen e Memellit shumë gjëra janë përmirësuar dhe skuadra duket se po bën përpjekje të mëdha për të mbijetuar në elitë. Cili është mendimi juaj, a jeni shpresëplotë që ky Skënderbe mbetet në Superiore?

Duke nisur nga ndeshja me Partizanin që u luajt në Tiranë fazën e kaluar, skuadra e Skënderbeut ka treguar nivel në rritje, një lojë të besueshme e cilësore, me një formacion të stabilizuar dhe trajneri Memelli i ka dhënë një karakter të fortë grupit. Ky karakter shprehet në konsolidimin e skuadrës, rritjen e nivelit të lojës dhe besimin e do të mbetet pjesë e më të mirave edhe në sezonin në vijim. Për këtë arsye kam shpresë se Skënderbeu qëndron. Mbeten dhe katër ndeshje shumë të forta përpara, ajo me Laçin, më pas ndaj Apolonisë, Kukësit e më tej Tirana. Duke parë kalendarin, që është i vështirë sigurisht, sërish besoj se Skënderbeu ka shanse të mira të qëndrojë në elitë.

- Kombëtarja luajti në fund të marsit tri ndeshje në eliminatoret e Kupës së Botës. Sa i takon rezultateve ajo është brenda objektivave, por në të tria ndeshjet loja e përfaqësueses tonë la për të dëshiruar. Të paktën ky është përfundimi i shumicës së specialistëve dhe opinionistëve. Cili është mendimi juaj për ekipin ndërtuar nga trajneri Reja?

Bashkë kemi folur shpesh për Kombëtaren, prej kur e mori drejtimin Reja, por edhe më parë. duke përjashtuar Anglinë, e cila ka kualitet të lartë dhe besoj është favorite absolute e grupit, skuadrës tonë i bie të rivalizojë me dy skuadra të tjera të grupit, që janë Polonia dhe Hungaria. Nuk e mat forcën tonë San Marino dhe Andorra dhe fitoret me këto skuadra nuk tregojnë asgjë, pasi ato nuk e kanë nivelin e përfaqësueses tonë. Jo gjithmonë kemi arritur nivele të larta performance në gara të tilla të rëndësishme. Patëm një kulminacion me De Biazin vite më parë, por ai nivel edhe mund të arrihet nëse gërshetohen elementët dhe menaxhohen si duhet prurje e reja. Lojtarë cilësorë kemi, por të shohim deri ku mund të shkojnë ata. Unë i mëshoj faktit që duhet të investojmë tek lojtarët tanë, pasi ata të Kosovës kanë tani përfaqësuesen e tyre dhe kanë investuar tek ekipi i tyre. Kjo nuk është ndasi, por menaxhim në kushtet e reja të krijuara. Duke investuar tek lojtarët vendas i japim më shumë frymëmarrje dhe kampionatit.

- Vitet e fundit ka pasur një platformë të federatës për ngritjen e qendrave rajonale tek moshat. Nuk e dimë sa funksionale kanë qenë ato dhe a ka elementë cilësorë të dalë prej tyre, çfarë mendimi keni?

Natyrisht që ka elementë dhe atje ku punohet do të ketë patjetër lojtarë që do të dalin. Kjo ka qenë një platformë e suksesshme e federatës, pasi ka synuar të rrisë pjesëmarrjen, pra të shtojë sasinë, e nëpërmjet saj do të vijë edhe cilësia. Unë vetë kam qenë pjesë e tyre, pra e njoh në një farë mase rëndësinë e tyre. Ka fëmijë e të rinj që vijnë nga moshat më të vogla deri në 17-18 vjeç. Sa më shumë pjesëmarrje aq më mirë. Sa më shumë sasi, aq më tepër rivalitet e cilësi do të ketë, kjo është e sigurt. Ka qenë një projekt që konsistonte në gara me dy faza, aty kanë ardhur edhe fëmijë të moshës 9 dhe 10 vjeç. Kjo është pozitive dhe me të ardhme. Unë mendoj se kjo ka qenë një nga gjërat pozitive të FSHF-së, sepse, përpos që i ka dhënë futbolli një dritare prezantimi për fëmijët e të rinjtë, ka rritur pjesëmarrjen dhe cilësinë, por njëherësh i ka larguar fëmijët nga veset dhe kjo është arritje e madhe mendoj unë.

- E megjithatë, futbolli dhe sporti ynë kanë nevojë për shumë më tepër....

Natyrisht që po, por nuk duhet të harrojmë punët e mira që janë bërë. Gjithsesi, dëshira është që të kemi sport të zhvilluar jo vetëm në futboll, por edhe në disiplinat e tjera. Dhe kur themi sport kemi parasysh edhe garat e moshave në çdo disiplinë, pasi kështu angazhojmë fëmijët dhe të rinjtë dhe, siç e përmendëm më lart, i largojmë ata nga veset e këqija dhe i bëjmë më të shëndetshëm. Nëse kalendaret flasin për 1 mijë aktivitete atëherë le t’i bëjmë 2 mijë të tillë, pasi kështu shtojmë sasinë në çdo disiplinë e atje ku ka sasi do të prodhohet rivalitet e cilësi.

Intervistoi: Adriatik BALLA