BREAKING NEWS

Kuvendi merr vendimin më të fundit, miraton Komisionin e Posaçëm Hetimor për çështjen që ndezi politikën shqiptare

Kuvendi merr vendimin më të fundit, miraton Komisionin e
x

Sport

Di Marzio: Shqiptarët kanë talente që mund të luajnë në Serie A, një pjesë po i ndjekim

Di Marzio: Shqiptarët kanë talente që mund të luajnë

Shqipëria dhe Kosova kanë plot talente. Shqiptarët në tërësi kanë në brendësi elementë cilësorë që mund të luajnë në nivelet më të larta sikurse është Serie A italiane. Këtë e konfirmon një nga specialistët e merkatos, njëherësh një gazetar i spikatur sportiv në Itali. Mes tyre, është edhe Xhanluka Di Marzio, i cili mbrëmjen e dy ditëve më parë ishte pjesë e emisionit “Sports Show” në “Klan Kosova”. Gjatë intervistës së tij Di Marzio është pyetur rreth lojtarëve të Kosovës, që luajnë në Serie A dhe ka mjaft vlerësim të lartë për ta. “Jemi të bindur se Kosova ka lojtarë që mund të luajnë në Serie A dhe jemi të hapur për ta dhe besojmë që ka talente në tokën tuaj. Rrahmani ka patur tashmë sukses, pasi ka bërë një transferim të madh nga Verona në Napoli. Vojvodën e shoh me vëmendje të madhe sepse për të më ka folur mirë drejtori sportiv i Torinos, i cili donte ta sillte atë në Itali edhe kur punonte te SPAL dhe fakti që atë e kërkonte Atalanta do të thotë shumë, pasi ata nuk kërkojnë futbollistë, të cilët nuk janë interesant dhe nuk kanë vlera. Muriqi është një futbollist i mirë që ka bërë mirë në një ligë të fortë si ajo turke. Mendoj që tek Inzagi do të gjejë trajnerin e duhur për të ardhur në Serie A, madje ai ka edhe moshën e duhur për të luajtur në një kampionat të tillë”, u shpreh eksperti i merkatos. Duket qartë nga fjalët e tij, por edhe vizita që ka bërë në Kosovë, që Di Marzio po lëviz në drejtimin e duhur për disa elementë të Kosovës që kanë spikatur në rang ndërkombëtar dhe kontigjenti i përfaqësueses së Kosovës ka elementë në moshë të re që mund të luajnë me disa skuadra të Serisë A, sidomos ata që janë në mesin e tabelës apo në fundin e saj. Kuptohet, elementë si Rrahmani e ndonjë tjetër luajnë fare në elitë, por ditët e fundit në Itali kaloi dhe Ardijan Ismajli, mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, i cili u bë pjesë e Specias. Pra numri i lojtarëve shqiptarë që po kalojnë në dy kampionatet kryesore italiane po rritet. Sot në Serie A dhe në Serie B luajnë gati 20 shqiptarë, kurse në kategoritë e tjera akoma më shumë, sidomos në Primavera, atje ku ka plot të rinj shqiptarë nga Shqipëria e Kosova që militojnë në ekipet e të rinjve të skuadrave kryesore. Pra kolonia re futbollistëve shqiptarë në Itali, edhe pas kësaj vizite të Di Marizos në Kosovë, po rritet dhe do të rritet.

Hysaj tek Napoli, flet menaxheri Xhiufredi

Rinovimi i kontratës së Elsied Hysajt me Napolin është shndërruar në një telenovelë, seria më e fundit e të cilës është luajtur paraditen e sotme me agjentin e shkodranit, Mario Xhiufredi, që ka lëshuar deklaratën e radhës. Në një intervistë për radion “Punto Nuovo”, menaxheri ka deklaruar se ka dy vite që pret Napolin për rinovimin e kontratës së Hysajt dhe se tani është lodhur nga kjo histori, ndaj shumë shpejt do të marrë në konsideratë edhe opsione të tjera. “Rinovimi i kontratës së Hysajt nuk është i lidhur me atë të Gatuzos. Nuk duhet të jetë kështu, pasi kam dy vite që bredh pas Napolit për kontratën e re dhe jam lodhur tashmë, ndaj mendoj se është momenti i duhur për të marrë në konsideratë të gjithë propozimet që vijnë. Nëse Napoli do të bëjë propozimin më të mirë, atëherë do ta marrim në konsideratë, por në të kundërt nga janari Hysaj mund të firmosë për atë që i duket oferta më interesante”, u shpreh Xhiufredi. Këtë sezon klubi napolitan po bën mjaft mirë nën drejtimin e Xhenaro Gatuzos, ndaj menaxheri i Hysajt, Di Lorenzos dhe Mario Ruit shprehet se ky është viti i duhur që Napoli të synojë triumfin në kampionat. “Napoli ka tre anësorë të jashtëzakonshëm si Di Lorenzo, Mario Rui e Hysaj. Ky i fundit po luan shumë mirë në të dy krahët dhe është shfaqur në nivele të larta gjithmonë, me përjashtim të kohës kur ishte Ançeloti. Edhe Gatuzo po bën një punë mjaft të mirë, ndaj mendoj se ky është viti i duhur që Napoli të synojë titullin kampion, pasi edhe Juventusi është në fazë rindërtimi”, deklaroi menaxheri i Hysajt.