BREAKING NEWS

Rama nuk pranon formulën e 5 qershorit, del pro listave të hapura dhe vulos divorcin me SHBA pas kërkesës së Yuri Kim për rrotacion politik

Rama nuk pranon formulën e 5 qershorit, del pro listave të hapura dhe
x

Sport

Dorëzohet Kukësi, Hallaçi: Pritëm dhuratë nga Skënderbeu, por Tirana e meriton

Dorëzohet Kukësi, Hallaçi: Pritëm dhuratë nga

Kukësi shpresoi deri në fund se mund ta arrinte e ta përmbyste Tiranën në renditje, duke besuar se përveç forcës së vet në duel direkt, edhe skuadra të tjera do të ta thyenin ekipin bardheblu. E meqë jemi në fazë finale të garës, Kukësi shpresonte që pas Teutës, Tiranën do ta ndalte edhe Skënderbeu, e pse jo edhe Partizani në derbi, plus që do ta fitonte vetë duelin direkt me kryeqytetasit, për të mundësuar zbritjen e bardhebluve nga kreu i renditjes dhe arritjen e verilindorëve tek titulli. Por nuk ndodhi kështu, pasi Tirana e fitoi me përmbysje duelin në Korçë ndaj Skënderbeut, 2-1, duke mbajtur të paprekur diferencën prej 9 pikësh me kuksianët e vendimit të dytë. Tashmë në Kukës janë dorëzuar për titullin dhe këtë e shprehin indirekt edhe zyrtarët, përfshi dhe zv/trajnerin Rrahman Hallaçi. “Po sigurisht, po e shikonim të gjithë bashkë. Pas arritjes së fitores ndaj Bylisit, mendonim që Skënderbeu do merrte fitoren, por e pamë që ishte e vështirë dhe Tirana e meritoi fitoren. Patjetër që e prisnim një surprizë (dhuratë), në radhë të parë ne duhej të bënim detyrën dhe më pas të prisnim çdo bënte Skënderbeu. Por, sinqerisht e pamë ndeshjen dhe Tirana e meritoi fitoren”, tha Hallaçi. Më tej zyrtari i Kukësit justifikon përplasjen me Bylisin, duke e lidhur edhe me temperaturat e larta në orarin e ndeshjeve. “Nuk dua të justifikohemi nga temperaturat e larta, mirë do ishte të luanim në orën 8. Por, kështu ishte vendosur oraret dhe ne pranuam. Njësoj ishte për Bylisin, njësoj ishte dhe për ne. Në pjesën e parë kemi qenë më lart se Bylisi dhe në pjesën e dytë kemi pasur pak lodhje, megjithatë është e pranueshme pasi duke luajtur një në çdo tre ditë është e pak e vështirë për futbollistët. Por, kuptohet që edhe Bylisi ka luajtur çdo tre ditë. Por, duhet t’i pranojmë gjërat, në vazhdim do mundohemi t’i freskojmë disa lojtarë që kanë pasur shumë minuta. Në pjesën e parë kemi humbur 3-4 raste dhe nëse do i shënonim do ishte ndryshe. Mendoj se edhe penalltia ishte e drejtë dhe mendoj se fitorja është e merituar. Skuadra shkon deri në 15 metra te porta e kundërshtarëve, skuadra funksionon, kemi një skuadër të kompletuar. Na vjen keq që Tirana është e shkëputur me shumë pikë, por kuptohet e dimë ku kemi gabuar. Kemi pasur dhe fatin kundër, mendoj që tashmë nuk duhet të kthehemi mbrapa dhe Tirana pikët i ka marrë me meritë. Duhet të vazhdojmë të pretendojmë për kampionatin , është shumë e vështirë por matematika e lejon. Shpresojmë të fitojmë me Tiranën dhe të shohim çfarë do të ndodhë”, nënvizoi më tej Hallaçi.

Kupa, Hallaçi e beson trofeun

Kukësi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe beson se mund ta fitojë këtë trofe. Të enjten përplaste me Teutën në sfidën e parë gjysmëfinale mes tyre. “E kemi kontigjentin për të konkurruar qoftë në kampionat, qoftë në Kupë. Investimi është bërë dhe konkurrenca është e madhe, por kuptohet që nuk kemi 22 lojtarë njësoj. Mendoj që janë 4-5 alternativa të mira për të konkurruar me lojtarë të formacionit. Në do të konkurrojmë fort në ndeshjen me Teutën për në Kupën e Shqipërisë që është objektivi numër 2 pas kampionatit. Por, besoj se nuk do të ruajmë forcat sepse ne do tentojmë si të enjten dhe me Tiranën në kampionat do fusim lojtarët më në formë”, theksoi më pas Hallaçi. Në këtë qëndrim të tij për mediat nuk mungoi as komenti për aktivizimin e Musollit dhe mungesën e Obanurit. “Obanor është lojtar shumë i rëndësishëm dhe ka shumë kualitet. Mban topin në zotërim dhe ka klas, por na vjen keq që nuk e kemi në skuadër. Megjithatë, Musolli ka luajtur dhe shumë ndeshje të tjera në rolin e qendërmbrojtësit. Por, kemi edhe lojtarë të tjerë. Sot ishte Lulaj që qëndroi në pankinë, Musolli e bën mirë rolin dhe mund të luaj edhe në ndeshje të tjera aty”, vijoi ai. Në fund, ka vend edhe për një koment të tërësishëm për ekipin. “Ekipi është i kompletuar edhe largimin e Uilliam, Rexhinaldo e Rama. U zëvendësuan, por nuk dua të justifikohem sepse Kukësi ka humbur në fund disa pikë. Ekipi është i kompletuar dhe përgjegjësia është te stafi dhe lojtarët. Do provojmë deri në fund, po të kishte humbur Tirana do ishte ndryshe, por sërish do të provojmë deri në fund”, nënvizoi Hallaçi.