BREAKING NEWS

Zbardhen detaje nga kanosja me armë në Bulqizë, mësohet arsyeja pse u qëllua ndaj punonjësit të sigurimeve shoqërore, kishte debatuar në telefon për...

Zbardhen detaje nga kanosja me armë në Bulqizë, mësohet
x

Sport

Duka errëson titullin e Tiranës: Me Bylisin e trukuar, presim hetimin e UEFA-s

Duka errëson titullin e Tiranës: Me Bylisin e trukuar, presim hetimin

Bylisi dhe Tirana po hetohen nga shumë organizma sportivë dhe jo vetëm për trukim të ndeshjes midis tyre të luajtur pak ditë më parë në kuadër të gjysmëfinales së parë në Kupën e Shqipërisë (fitoi Bylisi me rezultatin 2-1). Ishte njjë ndeshje që u konsideruar e kurdisur dhe këtë e shprehin më mirë qëndrimet që mbajtën specialistët, opinionistët dhe media, që e quajtën një teatër të turpshëm. Besohet se ndeshja u fiksua për qëllime fitimi nga bastet e paligjshme. Kjo ndeshje e përfolur si e trukuar dhe me dyshime të forta, fillimisht kaloi si objekt disiplinor në FSHF, tek Komisioni i Etikës, i cili ende nuk është shprehur. Por duket se çështja e kurdisjes së kësaj çështjeje i ka tejkaluar kufijtë e Shqipërisë dhe është objekt hetimi nga disa organizma ndërkombëtarë si p.sh. UEFA, e cila një shembull me Shqipërinë e ka bërë, pasi ka penalizuar Skënderbeun me 10 vjet mospjesëmarrje në kupat europiane dhe 1 mln euro gjobë. Edhe kompani të ndryshme që hetojnë bastet e paligjshme janë përfshirë për të zbardhur të vërtetën dhe të gjitha këto mësohen nga numri një i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili dje tha hapur se kjo ndeshje ka dyshime të forta trukimi dhe po hetohet nga disa organizma. Qëndrimi i Dukës, kaq hapur, është një errësim i titullit të Tiranës.

Duka: Si tifoz, besoj se ajo ndeshje u trukua

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në lidhje me qëndrimet që duhen mbajtur për ndeshjen Bylis-Tirana, e cila në gjuhën e basteve përfundoi “2x1”. Formulë klasike për të bërë para nga marifetxhinjtë e basteve të paligjshme dhe kurdisjes së ndeshjeve. Gjatë inspektimit të punimeve në stadiumin e ri të Kukësit, Ku FSHF ka dhënë mbështetjen e saj financiar, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, Armand Duka, foli edhe rreth ndeshjes së Kupës mes Bylisit dhe Tiranës, që është shqyrtuar edhe nga Komisioni i Etikës si e dyshuar për trukim. “Nuk do më vinte mirë që në prag të festimit të përfundimit të një kampionatit të flasim për trukime. Është një dyshim i fortë që ndeshja Bylis-Tirana është e trukuar. Nuk jam jurist dhe hetues. Jam një opinionist dhe më është dukur edhe mua si tifozëve të tjerë. Juristet dhe hetuesit po mundohen të mbledhin prova për të parë nëse kemi të bëjmë me një ndeshje të trukuar. Jo vetëm hetuesit dhe juristët shqiptarë, por edhe ata ndërkombëtarë dhe UEFA në bashkëpunim të ngushtë, po hetojnë që nga dita e parë për të dalë në një konkluzion. Nuk është e lehtë në futboll, por vërtetë më vjen shumë keq që në një kohë që Shqipëria u largua shumë nga lista e ndeshjeve të trukuara, detyrohemi të diskutojmë sërish edhe aq më shumë për ekipin që pritet të dalë kampion, bashkë me Bylisin. Nëse vërtetohet që ka trukime, besoj se do të ketë vendimet për të luftuar këtë fenomen”, theksoi ndër të tjera presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Trukimi, në Ballsh ndodhi një “2x1” i pastër

Ndeshja midis Bylisit e Tiranës, e luajtur në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, pak javë më parë, ishte një turp i futbollit shqiptar. Në gjuhën e basteve ishte një klasike “2x1”, që do të thotë në pjesën e parë fitoi Tirana 1-=0, kurse në pjesën e dytë Bylisi përmbysi me dy gola, duke fituar ndeshjen 2-1 dhe kjo u pa nga kompanitë e basteve si një kurdisje e pastër. Madje në median e shkruar dhe elektronike u përfol një shumë prej mbi 500 mijë eurosh e fituar nga skedinat që kishin “parashikuar” saktë përmbysjen e Bylisit. Në të vërtetë burime jo zyrtare thonë se për këtë ndeshje është hedhur lek i madh dhe është fituar gjithashtu një shumë e madhe parash. Mbetet të dalin rezultatet e hetimit si nga Etika e FSHF-së, ashtu dhe nga UEFA për të mësuar të vërtetën. Dihet, UEFA kontakton në bazë të marrëveshjeve dhe rregullave të saj me kompanitë e hetimit të basteve të paligjshme. Këto të fundit kanë algoritmet e tyre matematikore që zbulojnë të vërtetën, e cila është mbi 95% siguri, pra pothuajse plotësisht e sigurt. nëse Tirana dhe Bylisi gjenden fajtorë, atëherë do të marrin ndëshkim të rëndë si nga UEFA ashtu dhe nga FSHF.