BREAKING NEWS

Shpërthen një tjetër vatër, shënohet rasti i parë me koronavirus në qytetin që deri tani ishte imun, infektohet një shitës në treg

Shpërthen një tjetër vatër, shënohet rasti i parë
x

Sport

Duka në kundërsulm: Nëse s’fillojmë kampionatin më 1 qershor, të mendojmë për sezonin tjetër

Duka në kundërsulm: Nëse s’fillojmë kampionatin

Futbolli në Shqipëri po bën përpjekje të kthehet në normalitet, por qeveria ende nuk është e bindur se rreziku ka kaluar, prandaj i lëshon me kujdes hapat e saj në këtë drejtim, duke kërkuar fillimisht një stërvitje individuale dhe njëherësh shtyrjen me një javë të nisjes së përgatitjeve, domethënë nuk ka zbritje në stërvitje para datës 18 maj, e nuk pritet të ketë aktivitete futbolli para datës 7 ose 8 qershor. Sidoqoftë, FSHF është duke insistuar tek organet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryeministri Edi Rama që të mundësojë lejimin e stërvitjes normale të skuadrave e për këtë FSHF ka përgatitur dhe një protokoll higjienik, që mundëson mbrojtjen nga një rrezik i mundshëm infektimi me koronavirus. Sidoqoftë, palët ende nuk kanë një plan të përbashkët për të kthyer futbollin në normalitet në një periudhë afatshkurtër dhe ka shumë gjasë që ndeshjet të nisin vetëm në fund të qershorit e të mbyllen në fillim të gushtit, gjithmonë nëse situata e lejon. Për këtë temë ka folur dhe një herë tjetër kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili, në një intervistë të dhënë për emisionin e Ardit Gjebreas në “Klan TV”, duket se po paralajmëron një përplasje me qeverinë për këtë problem. Edhe pse me një gjuhë të përmbajtur, duke argumentuar nevojën e kthimit të aktiviteteve sportive, Duka lëshoi ultimatumin për organet e shëndetësisë, që data 1 qershor është afati i fundit për të rikthyer garën, në të kundërt ai paralajmëroi mbylljen e edicionit dhe klubet të mendonin për sezonin e ardhshëm.

Argumentet e Dukës, futbolli nuk rrezikon

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit beson se situata nuk është alarmante në Shqipëri dhe ai për krahasim mori pjesëmarrjen e njerëzve në kodrat e Liqenit, ku janë me mijëra në një sipërfaqe të vogël, ndërkohë që një skuadër futbolli për stërvitje ka në dispozicion një fushë me sipërfaqe 10 mijë metra katrore, që do të thotë 500 metër katrorë për një individ, shumë më tepër hapësirë që ka lënë qeveria për qytetarët në fashon orare të lëvizjes. “Pashë kronikat televizive të fundjavës dhe ishte një masë e madhe njerëzish që lejoheshin tek kodrat e Liqenit. Kaq shumë dendësi nuk krijohet në futboll, ku fusha për stërvitjen e një skuadre ka në dispozicion 500 metër katrorë për çdo lojtar. Llogaritë bëhen thjeshtë, pra futbolli nuk paraqet rrezik në stërvitje. Plus masat që parashikohen në programin tonë”, theksoi ndër të tjera Duka, duke iu referuar edhe praktikës europiane, pra atë të federatave të tjera të futbollit në rang kontinental.

Përgatitjet dhe ngjeshja e kalendarit

Duke folur rreth mundësisë së përgatitjeve për nisje të shpejtë të garës, sepse mbeten dhe 10 javë deri në fund, Duka kujtoi se 20maj është datë optimale për rikthimin e aktivitetit. “Minimalisht duhen 20 ditë që ekipet të luajnë. Duhet të bëjnë një minifazë përgatitore. Nuk flasim për kushte normale dot, ndaj edhe me dy javë do të bëhej. Superiorja ka 10 javë, janë edhe ndeshjet e Kupës. Për ta mbyllur pa shumë ngjeshje, optimalja do të ishte 20 maj, maksimalisht fundi i këtij muaji. Të luash ndeshje çdo tre ditë do ishte e vështirë”, theksoi Duka. Më pas ai komentoi edhe mundësinë e mbylljes së sezonit nëse qeveria nuk lëshon pe për një rikthim të skuadrave në fushë. Dhe ky skenar sipas Dukës nënkupton ndërprerjen e sezonit dhe klubet duhet të mendojnë për sezonin e ardhshëm sepse koha nuk jep mundësi për përmbylljen e kampionatit. “Nëse nuk fillojmë deri me 1 qershor, më mirë të themi stop. Pastaj futemi në një garë ku do luhet çdo 48 orë. Do ishte e kotë, ndaj më mirë le të nisim përgatitjet për sezonin tjetër. E mira është të fillojmë në fillim të qershorit, pasi me 6 gusht nisin kualifikueset e kupave të Europës. Uroj të mos ndodhin këto”, përfundoi kreu i FSHF-së..