BREAKING NEWS

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e antimafias italiane, paralajmëron Artan Hoxha dhe zbulon emrin kush është ‘peshku i madh’

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e
x

Sport

Duka presion Rejës për eliminatoret e Botërorit, do një vend në “play-off”

Duka presion Rejës për eliminatoret e Botërorit, do një vend

Në kuadër të eliminatoreve të Botërorit Katar-2022, Shqipëria është shortuar në grup me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon, duke mos qenë favorite për kualifikim, pasi rivalët janë shumë të fortë, sidomos Anglia, që llogaritet si pretendentja kryesore, ndërkohë që Polonia dhe Hungaria kanë bërë përparime në rang ndërkombëtar dhe janë skuadra në shpërthim e sipër, që kanë cilësi dhe pretendime të mëdha. Pas anglezëve, polakëve dhe hungarezëve, shihet të vijë skuadra jonë kombëtare. Në fakt, duket se ka një nënvlerësim për ekipin tonë përfaqësues, që ndodh shpesh me vendet e vogla. Por Kombëtarja kuqezi ka elementë cilësorë që luajnë në kampionatet elitare europiane, madje me disa prej skuadrave të njohura, prandaj ka shanset e veta dhe do të luajë mundësitë e saj në këto eliminatore. Trajneri Edi Reja e ka cilësuar grupin tonë më të vështirin e mundshëm, por nuk ndan si duket të njëjtin mendim me të kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka lëshuar madje sfidën, duke kërkuar që të tentohet të paktën vendi i dytë, një pozicion që siguron pjesëmarrjen në “play-off”. Për Dukën Shqipëria ka elementë cilësorë e me eksperiencë që mund të bëjnë diferencën dhe do ta tentojë deri në fund objektivin e saj. Madje euforia e Dukës shkon më tej, kur shprehet se kuqezinjtë kanë kapacitetet për të marrë rezultat maksimal ndaj Anglisë në ndeshjen që do të luhet në fushën tonë.

Shorti dhe qëndrimi i Dukës

Siç thamë, Shqipëria nuk ishte me shumë fat në shortin për kualifikueset e Kupës së Botës Katar 2022. Kuqezinjtë shohin sipër tyre kombëtare si Anglia, Polonia apo Hungaria, ndërsa janë favoritë ndaj Andorrës dhe San Marinos. Megjithatë, në një intervistë për Ora Sport, presidenti i Federatës, Armand Duka thekson se duhet tentuar “Play-Off”, ndërsa shton se kuqezinjtë mund të luajnë shanset e tyre ndaj çdo kundërshtari. “Pothuajse asnjë skuadër në Europë nuk është e lehtë. Asnjë ndeshje nuk fitohet në letër, asnjë ndeshje nuk humbet në tavolinë. Kështu që duhet ti përgatisësh mirë. Pa dyshim, edhe për nga procedura që bëhet shorti, vazot nga vijnë, niveli i ekipeve Anglia është një ekip shumë i mirë. Hungaria gjithashtu është një ekip shumë i mire. Ka edhe një moment të mire Hungaria. Fatkeqësisht kemi një histori të keqe me Hungarinë. Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë në historinë e saj ndaj Hungarisë. Polonia një tjetër ekip shumë i madh me lojtarin më të mire të Vitit por edhe me shumë talente të tjera. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet ti provojmë të gjitha shanset tona.

“Play-off”-i, mundësi për kuqezinjtë

Më tej kreu i federatës Duka analizon pritshmëritë e skuadrës tonë, duke “qarë” disi humbjen me Lituaninë, e cila do ta kishte radhitur përfaqësuesen tonë një pozicion më lart dhe do të kishim më shumë shanse në shortin e hedhur nga UEFA. “Çdo pozicionim nga i pari te i treti do të ishte i kënaqshëm por gjithsesi duhet të tentojmë për të shkuar edhe në “Play Off”. Ne akoma pretendojmë të shkojmë në “Play Off” edhe nga Nations League. Në “Nations League” jemi në vend të 11 dhe nëse 9 nga ato do të jenë vende të para dhe të dyta në eliminatore atëherë ne do të jemi në “Play Off” nga Nations League. “Prandaj ajo humbja me Lituaninë do të na peshojë se nëse do e kishim fituar atë ndeshje nuk do të ishim në vend të 11 por në vend të 10 dhe shanset tona për “Play Off” do të ishin akoma më të mëdha. Ne kemi ekip kompetitiv. Unë kam besim që ne mund të luajmë kundër çdo kundërshtari. Na ka barazuar Andorra në Elbasan, në nëntor 2019. Por ne mund të fitojmë edhe ndaj Anglisë në Tiranë, pa dyshim”, nënvizoi më tej Duka. Natyrisht, qëndrimi i tij mund të shihet si presion ndaj trajnerit Reja, i cili, edhe pse nuk është dorëzuar, nuk ka vendosur objektiva të tillë maksimalë, duke e quajtur shortin aspak të favorshëm. Sidoqoftë, kuqezinjtë kanë cilësi e prej tyre mund të ketë surpriza.