BREAKING NEWS

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet nënkryetari që do të ketë kompetencat e kryetarit, ja kush emërohet

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet
x

Sport

Edi Reja bën edhe këshilltarin e kuqezinjve, apel trajnerëve të Serisë A t’i aktivizojnë

Edi Reja bën edhe këshilltarin e kuqezinjve, apel trajnerëve

Trajneri Edi Reja nuk pushon së ndjekur lojtarët e Kombëtares, me të gjitha mënyrat, për të pasur të dhëna të sakta rreth formës dhe aktivizimit të tyre, duke mbajtur shënime për secilin por me fokus të veçantë tek të rinjtë, të cilët ai i do për projektin e tij 4-vjeçar në krye të përfaqësueses kuqezi. Ndërkohë, në daljet që ka bërë për mediat italiane gjatë javëve të fundit, ai ka zbuluar një fakt interesant, ku u lutet teknikëve të skuadrave italiane në Serie A dhe B për aktivizimin e lojtarëve të Kombëtares në fushë. Ka zgjedhur mënyrat e tij diplomatike dhe profesionale për ta bërë këtë, sepse Reja, duhet pranuar, është një trajner me përvojë të gjatë dhe i ka peshë të madhe fjala. Ai nuk refuzohet në bisedimet me kolegët, pasi i ka dhënë provat si njeri i sprovuar. Mësohet së fundmi se ai kontakton me trajnerët dhe drejtuesit e Napolit për Hysajn, duke këshilluar që mbrojtësi të vijojë të qëndrojë me Napolin, ku besohet se ka çfarë të japë në fushë, ndjek Kumbullën tek Verona, ku arsyeton pse duhet futur në formacion vazhdimisht, ka këshilla për Memushajn, i cili vijon ende të luajë në nivele të larta me Peskarën e tij. Reja insiston që Berisha e Strakosha të ruajnë këtë ritëm edhe në vijim, si dy pika të forta në prapavijën e skuadrës, pavarësisht rivalitetit midis tyre. Në kampionatin italian luajnë dhe lojtarë të tillë si Dermaku, Ndoji, Veseli, për të cilët Reja ka dhënë mendimet e tij pozitive, duke nxitur trajnerët e tyre t’u japin shanse të plota. Në veçanti fjala e tij fokusohet kryesisht tek të rinjtë e të ardhmes, si Vrioni e ndonjë tjetër, ku Reja shpreson të kapërcejnë në një stad më të lartë e të jenë e ardhmja e ekipit kuqezi. Reja, pra, u lutet, sipas mënyrës së tij, kolegëve italianë që të aktivizojnë lojtarët shqiptarë, se kështu ka vazhdimësi edhe ekipi kuqezi, ku ai jo vetëm po hedh bazat profesioniste për ekipin e 5-vjeçarit të ardhshëm, por synon pjesëmarrje në Botëror dhe Europian..

 Reja kërkon një model të përbashkët për moshat

Trajneri Edi Reja nuk do të ndalet deri në standardizimin e përgatitjes për ekipet kombëtare të moshave, duke insistuar në një program të njëjtë për hallkat që të çojnë tek ekipi përfaqësues. Është çështje profesionistësh. Këtë e ka kujtuar në një intervistë për “Fax Sport”, ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares, Elvis Sina, thekson edhe dëshirën e trajnerit Edi Reja që edhe moshat e kuqezi të punojnë me të njëjtën mënyrë të stërvitjes, të lojës dhe të njëjtat skema, në formë që lojtarët që mbërrijnë në kombëtaren A, ta kenë më të lehtë adaptimin. “Kemi shumë prurje edhe nga akademitë në Shqipëri, por sigurisht që edhe shqiptarë që luajnë në ekipe jashtë vendin tonë, që kanë dëshirë të veshin fanellën kuqezi. Lojtarët shqiptarë me origjinë nga Kosova? Situata ka ndryshuar, kemi më shumë prurje të shqiptarëve nga Shqipëria që jetojnë jashtë vendit. Sigurisht që nuk është se nuk kemi më lojtarë shqiptarë nga Kosova, pasi shqiptarë jemi të gjithë. Me moshat po vazhdojmë një punë intensive, me seleksionimin e futbollistëve që shihen si e ardhmja e Kombëtares. Të them të drejtën për Kombëtaren mendoj se ka ardhur momenti për një rinovim, pasi shumë futbollistë kanë ardhur në fundin e karrierës së tyre. Futbolli është me etapa dhe është nevoja për rifreskim. Trajneri Reja ka një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ka shumë profesionalizëm. Ajo që kërkon Reja nga ekipet e moshave është që të punohet sipas bazës që ai ka krijuar. Pra në të njëjtën mënyrë të stërvitjes, në të njëjtën mënyrë të lojës dhe skemës ashtu si edhe praktikon ai në Kombëtaren A. Lojtarët duhet të mësohen që te U-15 që kur të shkojnë në ekipin e parë, atëherë ta kenë më të lehtë. Kjo është e mirë pasi trajneri ka në kokë një projekt që duhet të ndiqet nga të gjithë”, u shpreh Sina. Ky i fundit ka lënë të kuptohet se në përfaqësues ësshtë momenti të bëhen rinovime, pasi ka futbollistë me moshë të madhe dhe me siguri që këtu përfshihen lojtarë si Mavraj, Memushaj, Berisha, Xhaka, Cikalleshi, Sadiku e ndonjë tjetër.