BREAKING NEWS

Shpërthen një tjetër vatër, shënohet rasti i parë me koronavirus në qytetin që deri tani ishte imun, infektohet një shitës në treg

Shpërthen një tjetër vatër, shënohet rasti i parë
x

Sport

Edi Reja elozhe Berat Gjimshitit: Është rritur shumë, tani nga më të mirët në Serie A

Edi Reja elozhe Berat Gjimshitit: Është rritur shumë, tani nga

Trajneri Edi Reja ka dhënë një shembull pozitiv duke hequr dorë nga paga për një muaj, duke ndihmuar FSHF-në të përballojë sfidat që nxori koronavirusi, ndërkohë që vijon të ndjekë lojtarët e rinj shqiptarë nëpër Europë, me bindjen se ndër radhët e kësaj kategoria ka elementë cilësorë që i nevojiten planeve të tij për vazhdimësinë. Madje vetë ai ka theksuar se janë dy elementë që i kishte planifikuar t’i testonte në miqësoret e marsit, por shtyrja e ndeshjeve prej virusit dhe anulimi përfundimtar i tyre nuk e lejoi të shihte kapacitetet e këtyre elementëve dhe natyrisht bëhet fjalë për mesfushorin Qazim Laçi dhe sulmuesin Florian Kamberi. Gjithsesi, Reja është shprehur se do ta gjejë mënyrën dhe kohën për t’i testuar të gjithë, duke qenë i bindur se projekti i tij katërvjeçar kuron shqyrtimin e të gjithë elementëve cilësorë që kanë ambicie të veshin fanellën e ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Vëmendja këtë herë ishte tek mbrojtësi kuqezi, Berat Gjimshiti.

Gjimshiti, nga lojtar i zakonshëm në i jashtëzakonshëm

Mbrojtësi i Kombëtares tani është një nga të preferuarit e trajnerit Reja, megjithëse ky i fundit dikur nuk kishte besim në aftësitë e mbrojtësit të kombëtares sonë. Tani Gjimshiti është një lojtar më i pjekur dhe i kompletuar, të cilit nuk i ka humbur në asnjë çast durimi. Ai ka pritur, ka punuar dhe ka fituar. U la mënjanë nga Reja te Atalanta dhe pësoi një zhgënjim në kombëtare, kur De Biazi vendosi ta lërë jashtë Europianit të 2016-ës. Ai qëndroi aty dhe i bëri të gjithë të ndiejnë pendesë. Është një nga më të mirët e kombëtares dhe së fundmi ka marrë edhe elozhet e trajnerit të kuqezinjve. Edi Reja, në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, e cilëson Beratin si një prej mbrojtësve më të mirë të Serie A. “Po flasim për një lojtar tashmë të stabilizuar në Serie A, është një nga mbrojtësit më të mirë të kampionatit, i cili gjithashtu ka një rol të rëndësishëm në sukseset e Atalantës sezonet e fundit. Ka fituar besim dhe është rritur në nivel. Gjimshiti është sot një tjetër lojtar në krahasim me atë që ishte kur mbërriti tek Atalanta dhe unë isha trajner”, u shpreh tekniku i kombëtares tonë.

Kombëtarja

Në ekipin përfaqësues ka një konkurrencë të fortë midis lojtarëve për një vend në repartin e mbrojtjes. Në fakt në të gjitha repartet ka konkurrencë, por duket se në prapavijë ka më shumë cilësi, nisur dhe nga teknikaliteti i lojtarëve dhe disiplinimi i tyre taktik. Jo vetëm kaq, por mbrojtësit kuqezi luajnë rregullisht me skuadrat e tyre europiane, krejt ndryshe nga sulmuesit që kanë oscilacione në lojën e tyre. Në këtë kuadër, edhe Gjimshiti ka rivalitet. Mavraj duket i larguar dhe kjo i hap rrugën atij të jetë “mbret” në repartin difensiv, por kjo nuk mjafton, pasi Ismajli, Veseli, Memolla, Hysaj e shumë të tjerë të rinj janë potencialisht kandidatë shumë të fortë dhe Gjimshiti nuk do ta ketë asnjëherë të lehtë. Eliminatoret e ardhshme qoftë për Ligën e Kombeve, qoftë për kualifikueset e Botërorit 2022 vijnë shpejt dhe lojtarët e dinë që trajneri Reja do të ftojë vetëm ata lojtarë që luajnë rregullisht, kanë rol lideri në pozicionet e tyre dhe arrijnë të ndihmojnë ekipin jo vetëm në fazën mbrojtëse, por edhe atë sulmuese. Megjithatë, duket se edhe në këtë pikë Gjimshiti ka avantazhet e veta, pasi ka dhënë prova se është lojtar i “gatuar” për duele të mëdha dhe më mirë se kudo tjetër ai e ka treguar veten me Atalantën në ndeshjet e luajtura kundër Interit, Juventusit dhe ekipeve të tjera të mëdha italiane, por edhe në UEFA Champions League. Me pak fjalë, eksperienca ka ndikuar pozitivisht tek mbrojtësi kuqezi, që tani, sikurse shprehet dhe trajneri Reja, është ndër më të mirët në Serie A.