BREAKING NEWS

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv nga koronavirusi

MSH: Ndërrojnë jetë 2 pacientë në spitalin Infektiv
x

Sport

Egbo dhe Daja objektiva të kundërt, dueli i javës 22 pushton “Air Albania”

Egbo dhe Daja objektiva të kundërt, dueli i javës 22 pushton

Tirana do të presë këtë të shtunë Skënderbeun, në kuadër të javës së 22-të të Kategorisë Superiore, duel që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në kryeqytet. Do të jetë një nga sfidat më të vështira të bardhebluve, nisur jo vetëm nga cilësia e kundërshtarit, por edhe për faktin e bardheblutë kanë regjistruar 8 fitore radhazi dhe kjo epërsi dhe eufori mund të kthehet në armë negative nëse nuk menaxhohet dhe për këtë ka folur dje edhe trajneri Emanuel Egbo, i cili nuk reshti së kërkuari që ekipi të qëndrojë me kë,mbi në tokë dhe lojtarët të bëjnë detyrat në mënyrë të pandikuar nga mjedisi i jashtëm dhe nga pozitat e skuadrave në klasifikim. Madje edhe Egbo pranon se që nga derbi me Partizanin, dueli me Skënderbeun është testi më i vështirë për bardheblutë. Sidoqoftë, ai tha se e kishte përgatitur mirë ndeshjen, paçka se përballë do të ketë një teknik me përvojë si Ilir Daja dhe një skuadër të motivuar si Skënderbeu. Si Egbo dhe Daja kanë objektivat e tyre. I pari ka synim titullin, kurse Daja ka objektiv të mbajë Skënderbeun larg zonës së rrezikut e pse jo të lakmojë Kupën e Shqipërisë. “Të gjitha ndeshjet janë në një nivel të vështirë. Edhe ndeshja me Luftëtarin dhe Flamurtarin janë të njëjta si kjo me Skënderbeun. Çdo ndeshje duhet të vlerësohet maksimalisht. Çunat dhe ekipi janë gati që të japin 100% në fushën e lojës. Nuk më vjen mirë kur flitet për titullarët. Siç e kam thënë, të gjithë lojtarët brenda në këtë ekip, janë titullarë. Nuk ka rëndësi se kush e nis. Ka disa lojtarë që kanë luajtur shumë ndeshje bashkë dhe nuk mund t’i quaj titullarë, por lojtarë që rastis të nisin ndeshjen. Nuk ka ekip i parë dhe ekip i dytë te Tirana. Janë lojtarë të gatshëm në çdo ndeshje”, theksoi Egbo. Më pas ai foli për kundërshtarin, duke vënë theksin tek trajneri Daja. “Ne gjithmonë shohim lojën tonë dhe unë merrem me ekipin tim. E vlerësojmë Skënderbeun, pasi kanë një trajner të mirë dhe lojtarë që kanë luajtur bashkë për disa vjet. Ndeshje është vlerësuar maksimalisht. Humbja në Korçë? Po kemi fituar në Tiranë 3-1 dhe humbëm në Korçë 2-1. Nuk ka rëndësi çfarë ka ndodhur, shohim përpara. Nëse lojtarët luftojnë për çdo top dhe japin maksimumin do marrim atë që meritojmë”, nënvizoi më tej Egbo. Më pas trajneri i skuadrës bardheblu foli për mënyrën e lojës, duke pranuar që si Tirana ashtu dhe Skënderbeu bëjnë lojë të hapur dhe takimin do ta fitonte ajo skuadër që do të bënte më pak gabime në fushën e lojës. “Besoj se Tirana di të krijojë raste dhe të shënojë. Kemi biseduar me lojtarët që nëse mbajmë zero mbrapa, mund të shënojmë gola. Skënderbeu dhe ne luajmë hapur. Ai që bën më pak gabime do marrë maksimumin e ndeshjes”, përfundoi Egbo.

Dejvi Bregu, lojtari që synon çmimin e më të mirit në kampionat

Sulmuesi Dejvi Bregu është optimist dhe ka besim se Skënderbeu do të japë më të mirën në këtë sfidë delikate që do të luhet në “Air Albania”. Dejvi Bregu thotë se Skënderbeu edhe ndaj Tiranës do të hyjë në fushë për 3 pikët. “Normalisht që është një kundërshtar i fortë Tirana dhe ka tashmë muaj që po bën mirë dhe jo javë, pasi është konsoliduar dukshëm me lojë dhe rezultate. E vlerësojmë për historinë që ka klubi i Tiranës, për atë që ka dhënë këtë sezon, por ne jemi gati për të marrë 3 pikët”, tha Dejvi Bregu. Për mesfushorin me tipare sulmuese do të jetë hera e parë që ai luan në “Air Albania Stadium”, ndërsa vetë 24-vjeçari është i lumtur që do të provojë të luajë në impiantin më modern në vendin tonë: “Unë vetëm e kam parë në televizion, është kënaqësi për gjithë shqiptarët që të kenë një stadium të tillë. Shpresoj që të lë shenjë në këtë ndeshjen time të parë dhe duam që të bëjmë një ndeshje mjaft të mirë, duke dal me tri pikët”, shtoi më pas Bregu, i cili llogaritet të jetë më i miri për ekipin e tij, por njëherësh dhe futbollisti që synon të jetë lojtari më i mirë i edicionit, paçka se nuk luan me ekipin më të mirë sezonal.