BREAKING NEWS

Nobelisti rrëzon skemat e OBSH: Izolimi nuk ka asnjë vlerë për parandalimin e koronavirusit, ka shkaktuar më shumë të vdekur

Nobelisti rrëzon skemat e OBSH: Izolimi nuk ka asnjë vlerë
x

Sport

Çelhaka, në gjurmët e Selmanit në kampionatin turk, Qaka shpreson tek ëndrra italiane

Çelhaka, në gjurmët e Selmanit në kampionatin turk, Qaka

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po shfrytëzojnë këtë periudhë për të gjetur destinacionit e duhura për merkaton e verës, duke shfrytëzuar lidhjet për mundësitë e lëvizjeve më të mira të tyre në afatin e transferimeve verore. Ndërkohë, disa lojtarë cilësorë që kanë dalë nga kampionati shqiptar po pëlqehen së fundmi në kampionatin turk. Në të vërtetë në këtë kampionat kanë luajtur disa prej lojtarëve tanë cilësorë edhe më herët, duke krijuar një traditë, por e çuditshme është se klubi i Menemensporit, jo ndër më të njohurit, por i fuqizuar shumë vitet e fundit, po e sheh Superioren tonë si mundësi të artë për të marrë lojtarët më cilësorë të garës. dhe pas portierit Gent8ian Selmani duket se ky klub i ka vënë syrin një tjetër lojtari cilësor që militon në futbollin tonë dhe që luan me kryesuesit në fuqi të Superiores, bardheblutë e Tiranës. Kështu, pas afrimeve të Gentian Selmanit dhe David Domgjonit, klubi i Menemenspor është fiksuar pas futbollistëve shqiptarë dhe po tenton të tjerë talente nga Kategoria Superiore. Ernest Muçi, Kirian Nuabueze, Saliou Guindo dhe Sherif Kallaku janë disa nga emrat që kanë përfunduar në radarët e klubit nga Izmiri, por sëfundmi duke iu referuar medias turke “Yeniasir” Menemenspor interesohet për talentin e mesfushës Jurgen Çelhaka. Gjithsesi 19-vjeçari i cili është një titullar fiks te skuadra bardheblu është nën kontratë me Tiranën dhe bardheblutë do të kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij. Mbetet për t’u parë nëse klubi nga Izmiri do t’i ofrojë Tiranës një shumë të majme për kartonin e Çelhakës apo do të tentojë të afrojë pa paguar asnjë qindarkë diçka që duket e pamundur të ndodhë pasi mesfushori 19-vjeçar dhe sulmues Ernest Muçi janë e ardhmja e klubit bardhezi nga të cilët, Tirana kërkon të përfitojë sa më shumë. Mbetet të shihet nëse do të realizohet ky transferim, por fakti se turqit e Menemensporit po shfaqin interesim, tregon se për ta pista shqiptare është e frytshme dhe lojtarë si Selmani kanë dhënë garanci dhe duhen ndjekur gjurmët e tyre.

Kamer Qaka ka ende ëndërr kalimin në futbollin italian

Ndërsa Çelhaka po ndjek gjurmët e Selmanit në Turqi, ka plot lojtarë të tjerë që kanë ëndërr të luajnë në Serie A italiane. Kjo ambicie lidhet me aftësitë e tyre teknike dhe padyshim me kapacitetet në treg që kanë menaxherët e tyre. Dihet që Kamer Qaka është pjesë e kampionatit rumun ku aktivizohet për skuadrën e Kraiovës. Megjithatë, në muajin janar mesfushori i kombëtares ishte pranë një hapi të rëndësishëm në karrierë duke qenë se kishte interes nga skuadra italiane e Livornos, me trajner Paolo Tramexanin, ish-ndihmësi i De Biazit. Mirëpo, në fund negociatat nuk arritën të konkretizoheshin dhe Qaka mbeti në Rumani. Megjithatë, mesfushori ka sërish shpresë për të ndryshuar ambient dhe këtë e ka konfirmuar në një intervistë për “Tuttomercatoweb”, menaxheri i tij, Aleksander Garini. “Po, është e vërtetë që Qaka mund të transferohej në janar te Livorno. I pëlqente shumë trajnerit Tramexani. Tashmë, është te Kraiova, por shpresoj që vera e ardhshme të jetë ajo e duhura për të mbërritur në Itali”, u shpreh menaxheri Garini. Natyrisht, Qaka ishte një nga lojtarët e preferuar edhe nga Panuçi, por nuk pati shumë minutazh, pasi vetë ecuria e lojtarit në kampionatin rumun nuk ka qenë kaq e qëndrueshme sa ai të pretendonte formacionin titullar. Sidoqoftë, Qaka mbetet ende një futbollist në planet e stafit teknik të Kombëtares dhe nëse luan rregullisht dhe merr peshë në skuadrën ku aktivizohet mund ta marrë një ftesë në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kombeve apo dhe të Botërorit të ardhshëm Katar-2022. Qaka ka kualitet të lartë teknik dhe ka krijuar eksperiencë tashmë, duke përbërë një forcë që mund t’i vlejë trajnerit Edi Reja në planet e tij kualifikuese për aktivitetet e ardhshme ku merr pjesë përfaqësuesja kuqezi.