BREAKING NEWS

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në disa qytete të vendit, ja ku ishte epiqendra

Lëkundje të forta tërmeti në Shqipëri, ndihet në
x
BREAKING NEWS

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, zbardhen detaje nga dosja që e ka fundosur

U shpall në kërkim, arrestohet pas disa orësh ish-kreu i
x

Sport

Elvin Beqiri: Brojën ta ruajmë si kristal, Është fakt që Reja ka bërë revolucion në Kombëtare

Elvin Beqiri: Brojën ta ruajmë si kristal, Është fakt

Fitorja në transfertë ndaj Hungarisë, 1-0, ka rritur shpresat dhe shanset e Shqipërisë për të shkuar në “play-off”, që nënkupton se rriten shanset për të marrë pjesë në Botërorin e Katarit vitin e ardhshëm. Duhet thënë se fitorja erdhi me lojë e rezultat, duke dëshmuar një përfaqësuese në rritje dhe me lojë të qëndrueshme, pra që ngjall besim. Në këtë ndeshje spikati edhe një herë tjetër talenti i dalë nga Çelsi, Armando Broja, që realizoi golin e fitores në minutën e 80-të. Të martën luhet një prej ndeshjeve më të rëndësishme, ajo ndaj Polonisë, një duel direkt për vendin e dytë. Duhet fitorja dhe pritet një duel i zjarrtë. Duke komentuar performancën e skuadrës dhe pritshmëritë e saj, ish-mbrojtësi kuqezi, Elvin Beqiri, lojtar që është përballur me Ibrahimoviç e të tjerë të fuqishëm në rang ndërkombëtar, thotë se ekipi duhet të ulet me këmbë në tokë dhe të ruajë këtë performancë edhe ndaj Polonisë, duke pasur besim se janë pjekur kushtet që Shqipëria të regjistrojë një arritje historike në eliminatoret e një Botërori. Në këtë intervistë të dhënë për gazetën “SOT”, Beqiri lëvdoi Brojën, për golat me peshë që ka realizuar në ndeshjet e fundit.

- Kombëtarja realizoi një fitore të madhe ndaj Hungarisë, rezultat që jo vetëm na mban në vend të dytë, por po na afron me objektivin final, që është Botërori. Cili është mendimi juaj për ndeshjen, rezultatin dhe në tërësi gjendjen e kësaj skuadre?

Ndeshje e mirë nga skuadra jonë, në tërësinë e saj. Më shumë se gjithçka merr vlerë rezultati, por unë do të theksoja se pjesa e dytë ishte më e mirë për ne. Në pjesën e parë nuk patëm shumë iniciativë, por duhej ruajtur ekuilibri. Në pjesën e dytë na u dhanë mundësitë, sepse u krijuan hapësira. Goli i Brojës na dha shpresë, sidomos për duelin e radhës me Poloninë, sepse ishte motivues. Me një tjetër fitore rriten shpresat për të shkuar në “play-off”, e pse jo në Botëror, gjë që do të ishte vërtet historike për përfaqësuesen dhe futbollin shqiptar në tërësi. Megjithatë, mendoj se skuadra duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Mos harrojmë se kemi mungesa të rëndësishme, të tillë si Gjimshiti, i cili është lojtar me ndikim në grup. E megjithatë, në dispozicion të trajnerit ka dhe lojtarë të tjerë, të cilët do të dinë të bëjnë si duhet detyrën në këtë ndeshje. Unë pashë që zëvendësuesi i tij, Veseli, bëri një ndeshje të mirë. Nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve, atëherë mund të realizohet një ëndërr e futbolldashësve në përgjithësi. Uroj shumë që kjo ëndërr të realizohet.

- Çfarë do të vlerësonit tek kjo skuadër, grupin si cilësi, apo shpirtin e grupit?

Shpirti i grupit ka shumë rëndësi në duele të tilla vendimtare e mjaft të rëndësishme. Në fakt shpirti i grupit nuk i ka munguar këtij ekipi, por këtë herë ka dhe cilësi. Më herët ne si skuadër kemi pasur probleme në menaxhimin e lojës nga fillimi në fund, pra kishim shkëputje që na bënte të kishim një pjesë loje të mirë e një pjesë jo. Prandaj mendoj se stafi teknik me në krye Rejën ka bërë një punë të mirë, duke ndryshuar mentalitetin. E them këtë sepse më parë ne kishim episode të mira, kurse sot kemi qëndrueshmëri gjatë gjithë lojës. Elementi i dytë është harmonizimi i lojtarëve. Edhe në këtë pikë është bërë një punë e mirë, megjithëse duhet të punohet akoma më shumë në finalizimin e aksioneve. Kjo pasi janë krijuar raste, por ka munguar goli. Edhe në ndeshjen e fundit patëm goxha raste, por mungoi finalizimi deri në momentin kur Broja shënoi golin e fitores. E them këtë duke pasur parasysh edhe takimin e parë me Poloninë, ku loja ishte e barabartë, në mos më e mirë për ne, ndërkohë që Polonia shënoi golat, duke bërë që të humbasim në mënyrë të padrejtë. Ishte rezultat që nuk korrespondonte me lojën në fushë të skuadrave. Kam besim tek kjo skuadër, pasi ka ndërthurje elementësh me eksperiencë dhe të rinjve dhe për këtë Reja ka bërë një punë të lavdërueshme.

- Me përjashtim të Brojës, duket se sulmi është larg pritshmërive....

Për sulmuesit nevojitet më shumë qetësi para portës, më shumë saktësi në veprime dhe finalizim të harmonishëm. Në një ekip përfaqësues ka mobilizim të tepërt, por edhe emocion të madh. Këto emocione bëjnë të vetën, sikurse ndodhi me Uzunin, pra nguten në momentin final, duke i humbur shanset. Por me kohën fitohet përvojë dhe ajo është e rëndësishme në nivele të tilla. Kemi lojtarë të rinj që po rriten si Uzuni, Manaj e Broja, por edhe ndonjë tjetër, që kërkojnë kohën e tyre të arrijnë pjekurinë maksimale. Por kam besim se këto ndeshje të mëdha do të vlejnë që ata të piqen e të rriten si lojtarë. Sa i takon Brojës, unë mund të flas lirisht pasi e kam pasur lojtar në kombëtaren e moshave, momente të tilla ai shfaqet dhe është futbollist me shumë cilësi. Unë e njoh mirë dhe ia di vlerat. Duke qenë i tillë ne duhet ta ruajmë si kristal atë. Futbolli është i tillë që jo gjithmonë mund të jesh në formë. Por ai po luan mirë, tregohet efikas me Kombëtaren, moralisht skuadra qëndron lart dhe lojtarë të tillë duhen ruajtur edhe nga opinionet.

- Ju jeni dhe vetë trajner, prandaj desha një mendim rreth skemave të Rejës në Kombëtare. Kjo pyetje shtrohet për faktin se ai aktivizon Hysajn në mesfushë, në ndeshjen e fundit çoi Bajramin në krah, pra bën lëvizje me lojtarë që luajnë jashtë rolit të tyre. Si i shihni këto lëvizje taktike të Rejës?

Lëvizjet që bën trajneri janë skema të mirëfillta. Reja ka pasur strategjinë e tij për ekipin dhe lëviz sipas cilësive të lojtarëve dhe sipas strategjisë së tij. Vendosja e një lojtari me tipare mbrojtëse në mesfushë nuk është ndonjë shpikje, përkundrazi, skema mundëson që ai të kthehet në mbrojtje gjatë kohës që skuadra mbrohet, ose del para kur ekipi sulmon. Kjo metodë, apo kjo skemë, i ka dhënë Hysajt një avancim në fushë. Duket pak i ngurtë, por në krahun e majtë, si tek Lacio, ai luan realisht më mirë. E meqë po flisnim për Hysajn, mund të them se ka bërë ndeshje me nivel të mirë. Po ambientohet dhe po e ndihmon skuadrën. Ai ka eksperiencë dhe në pikëpamjen time është një lojtar i rëndësishëm i Kombëtares. Ai jo vetëm ndihmon grupin, por edhe motivon më të rinjtë. Prania e tij në mesfushë nuk është zgjedhje e kotë, pasi Reja i beson dhe është zgjedhje e studiuar prej tij. Mos harrojmë që Reja është trajner që luan me përshtatshmërinë, ai i përshtat rolet, komunikon me lojtarët, ka idetë e tij rreth lojës.

- Meqë po flasim për Rejën, nuk kanë qenë të paktë ata që mendojnë se ai është shumë i vjetër për një skuadër të re si e jona. Cili është mendimi juaj?

Kjo është një çështje që do të vijojë të diskutohet, sepse kur erdhi në fillim, mosha e tij, nuk e fsheh që kishim goxha skepticizëm. Por, unë jam i mendimit që trajneri ka bërë punë të mirë, një punë e madhe që duket. Këtë konstatim dikush mund ta pranojë e dikush jo, por unë gjykoj se ai ka bërë revolucion në përfaqësuese, duke sjellë lojtarë të rinj. Skema e tij 3-5-2, e modifikuar, ngjan e re për kushtet si funksionin skuadra, edhe pse këtë skemë ne e kemi aplikuar që me Brigelin shumë vite më parë. Pra, eksperienca e tij e lejon të përshtasë, përzgjedhë dhe të luajë sipas strategjisë së tij. Parë në këtë kuadër, ai ka punuar mirë dhe nuk ka rëndësi mosha. Përderisa ka energji, plus që ka një staf cilësor ndihmës, ai është i efektshëm.

- Të martën ndeshemi me Poloninë, këtu në Tiranë. Ata kanë një Levandovski, që është në superformë, pra duket se do ta kemi të vështirë. Çfarë prisni nga ky takim?

Nuk duhet të fokusohemi tek një lojtar. Polonia nuk është vetëm Leva, ajo skuadër ka dhe lojtarë të tjerë mjaft cilësorë që luajnë në ekipe të njohura. Polonia është realisht një skuadër cilësore. Humbja në ndeshjen e parë, krejtësisht e pamerituar, duhet të na shërbejë si mësim, në mënyrë që të merret maksimumi. Do të jetë e vështirë, por unë besoj se do të fitojmë. Të mos fokusohemi vetëm tek Levandovski, por t’i bllokojmë të gjithë polakët, sepse ata janë ekip me cilësi.

- Të flasim pak për ju, rolin tuaj të ri. Keni disa kohë që drejtoni skuadrën e Pukës (Tërbunin). Si ka qenë ecuria juaj dhe çfarë objektivash ke me këtë skuadër?

Ne ndodhemi në Kategorinë e Parë, kam gjetur një ambient të mirë. Ekipin e financon Bashkia dhe për këtë meritat i takojnë kryetarit Gjon Gjoni. Garancia financiare është e rëndësishme në këto kategori dhe ne e kemi pasur atë. Klubi ka qenë korrekt dhe lojtarët janë paguar, duke qenë një klub e staf serioz karshi lojtarëve dhe publikut. Sa i takon objektivave, ne nuk kemi synime madhore ekstreme, por këtë sezon synojmë të qëndrojmë në kategori, të mos biem poshtë, por të ruajmë si të thuash atë mesin e artë. Duke konsoliduar grupin dhe duke rritur pretendimet, shpresojmë që edicionin e ardhshëm të ngjitemi në Superiore. Pra, qëllimi ynë është të konsolidojmë grupin e të ruajmë pozita të qëndrueshme në kampionat.

- Superiorja ka luajtur katër javët e para. Vllaznia është një ekip pretendent, por këtë sezon ka shumë të tillë. Si shkodran jeni i lidhur me ngjyrat e saj, çfarë prisni nga ky kampionat?

Superiorja e këtij sezoni ka shumë ekipe që lakmojnë trofeun dhe gara për një vend në Europë do të jetë shumë e fortë, por në fund vetëm njëra do të jetë skuadra që do të mbajë titullin. E vështirë të thuhet që tani kush është favorite. Kam parë që skuadrat kanë oshilacione në lojë. Sa i takon Vllaznisë është gjë e mirë që nuk ka humbur, por nga viti i kaluar shoh që ka përmirësime, ka më shumë cilësi. Nga ekipet e tjera dua të veçoj Kukësin, që më duket si skuadra që bën lojën më të bukur. Teuta është skuadër praktike. Kurse Dinamo është skuadër që menaxhon maksimumin e vet dhe po merr pikë. Unë Dinamon e shih si “kockë e fortë” për rivalët këtë sezon, ndërsa më ka zhgënjyer Laçi, i cili e ka nisur dobët këtë edicion. Të tjerët si Partizani e Tirana kanë oshilacione në lojën e tyre. Por të shohim si do të shkojnë gjërat në vijim.