Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Sport

Elvin Beqiri: Fitorja me Greqinë ndër triumfet më të bukura të Kombëtares, ëndërr të drejtoj përfaqësuesen

Elvin Beqiri: Fitorja me Greqinë ndër triumfet më të bukura

Kombëtarja e futbollit ka një impakt të madh tek sportdashësit dhe lidhja është aq e fortë sa kuqezinjtë janë ndjerë si në shtëpi edhe në ndeshjet jashtë vendit. Vazhdimisht Shqipëria ka pasur lojtarë të mirë, edhe pse suksesi më i madh është ai i vitit 2016, kur u mundësua kualifikimi për në fazën finale të një Europiani (Francë-2016), nën drejtimin e trajnerit Xhani de Biazi. Më herët, edhe pse nuk është përmbushur ky objektiv, Shqipëria ka pasur shumë lojtarë të spikatur. Një ndër ta, mbrojtësi Elvin Beqiri, ka mundur të jetë në fushë në ndeshjet e mëdha që mbeten në mendje, sikurse është ajo ndaj Greqisë më 4 shtator të vitit 2004, një ndeshje që mori ngjyra ndezëse në Tiranë, pasi rivalitetit të një derbi ballkanik, i shtohej edhe fakti se Greqia vinte në Tiranë si kampione në fuqi e Europës. Një shkodran i lindur për futboll, me shumë klas, pa fjalë, por i veprave cilësore në fushë, Beqiri ia doli të farkëtojë profilin e tij në Kombëtare, për të qenë kontribuues në këto ndeshje të mëdha e historike, por njëherësh dhe me një karrierë të spikatur me klubet brenda e jashtë vendit. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Beqiri, tani edhe trajner i Kombëtares U-17, flet për ekipin që drejton, situatën prej pandemisë së koronavirusit, kualitetet e rinj dhe padyshim majat e karrierës së tij.

-Keni prej kohësh që drejtoni skuadrën kombëtare U-17. Natyrisht, ju i ndiqni lojtarët dhe interesoheni rreth ecurisë dhe formës së tyre në tërësi. Si paraqitet gjendja pas kësaj pandemie dhe a kemi elementë cilësorë për të ardhmen?

Për momentin ne jemi të fokusuar tek grupi që do të marrë pjesë në eliminatoret e ardhshme, ndeshje që me gjasë (nëse nuk do të ketë ndonjë vendim për shtyrje) do të luhen në tetor. Elementë cilësorë kemi plot, janë të rinj të talentuar, por të gjithë duhen ndjekur në klubet ku luajnë. Kuptohet, ndjekja e formës së tyre dhe angazhimi ka lidhje me objektivat që ka çdo trajner dhe federatë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të shkojnë në ekipet kombëtare me moshë më të rritur, sikurse është U-19, U-21 apo dhe Kombëtarja A (e madhe). Siç thashë ka elementë cilësorë, qoftë jashtë vendit, por edhe brenda vendit në kampionatin shqiptar, të cilët duhen ndjekur vazhdimisht. Ka rëndësi që këta futbollistë të rriten gradualisht deri në ekipet e moshave më lart se U-17. Mund të them që ka plot elementë premtues. Sa i takon situatës që krijoi kjo pandemi, unë mendoj se do të ketë pasoja si në ekipet kombëtare ashtu dhe në radhët e klubeve. Sidoqoftë, uroj të kemi sa më pak dëme dhe lojtarët të rikapin formën e tyre e të mund të vijojnë karrierën të pashqetësuar.

-Ju folët për kualitete në radhët e skuadrës tuaj. Në fakt, ka ekipe më të rriturish që kanë elementë cilësorë që luajnë edhe me skuadra të njohura europiane, siç janë disa elementë të U-21. Nga skuadra juaj cilët emra do të veçonit?

Elementët që luajnë në U-21 janë të evidentuar dhe janë në projektin e Kombëtares A, natyrisht që ka shumë elementë të mirë. Edhe tek U-17 që drejtoj unë ka lojtarë cilësorë që do të kenë sukses. Por nuk dua të flas me emra konkretë. S’më pëlqen t’i ndaj lojtarët, më pëlqen harmonia e grupit dhe forca e grupit. Megjithatë, mund t’ju kujtoj se kemi elementë cilësorë edhe në këtë moshë, janë lojtarë të perspektivës dhe besoj se do të mund t’ia dalin të shkojnë deri në Kombëtaren A.

-Cilat janë ambiciet tuaja si trajner në krye të kësaj skuadre? Çfarë qëllimi keni?

Unë si trajner i U-17 kam po ato qëllime që ka dhe Federata Shqiptare e Futbollit. Dhe ky qëllim konsiston në përzgjedhjen e elementëve të duhur dhe t’i çojmë ata më lart tek ekipet e tjera kombëtare të moshave. Gjithë qëllimi i këtij procesi është të nxjerrim sa më shumë lojtarë cilësorë që i shkojnë Kombëtares së madhe. Pra ky është plani madhor, kurse rezultatet janë në plan të dytë, paçka që skuadra dhe unë si trajner i saj, dëshirojmë dhe kemi ambicie të forta për të kapur Elite Round. Herën e shkuar (në eliminatoret e shkuara) nuk ia dolëm, por kemi shpresë këtë herë, megjithëse shorti është shumë i vështirë. Në short na ka rënë Italia dhe Rumania që janë rivalë shumë të fortë. Parë në këtë kuadër, realizimi i objektivit duket i vështirë, por ne shpresojmë të përmbushim objektivin tonë dhe qëndrojmë me shpresën, siç thashë, të kalimit në Elite Round. Na pret përpara një punë e madhe, por ju siguroj që do të luajmë shanset tona për të përmbushur këtë objektiv.

-Ju keni nisur prej vitesh karrierën e trajnerit. Natyrisht jeni ende në hapat e parë. Çfarë ambiciesh keni në këtë drejtim? A keni ndonjë plan për ekipin kombëtar A apo ndonjë klub?

Puna e trajnerit ndryshon nga ajo e lojtarit. Nuk ndryshon shumë në lidhje me sportin, sepse me futboll merresh, por përgjegjësitë janë të ndryshme. Unë jam ende duke krijuar përvojë në këtë drejtim, por ambicia për ta drejtuar një ditë Kombëtaren është, sigurisht që ekziston si mundësi. Megjithatë, para se të shkosh deri aty duhet eksperiencë dhe për këtë duhet t’ia lemë kohës nëse do të realizohet.

-Mund të jetë dhe Vllaznia si opsion, është skuadra e zemrës, apo jo?

Vllaznia është ekipi i zemrës, sigurisht. Një eksperiencë tek Vllaznia unë e kam, pasi kam drejtuar skuadrën e moshave U-19, me të cilën kam pasur rezultate shumë të mira. Ekziston dëshira të kthehem atje dhe të jap kontributin tim. Por mundësi mund të jetë edhe ndonjë eksperiencë jashtë vendit. Ky është profesioni ynë, trajneri varet dhe nga oferta që i bëhet, projekti që paraqitet etj. Ndoshta një eksperiencë jashtë vendit edhe do t’ia vlente.

-Të flasim pak për karrierën tuaj si sportist, e cila ka qenë e spikatur, qoftë në nivel klubesh, ashtu dhe në ekipin kombëtar. Kë konsideroni arritjet tuaja më të mëdha?

Ëndrra e çdo sportisti është të kapë nivelin e Kombëtares dhe të luajë për fanellën e vendit të tij. Unë e kam patur këtë mundësi dhe për këtë ndihem i realizuar. Madje unë pata fatin të luaj në ndeshje shumë të mëdha, nga ato ndeshje që kanë bërë bujë dhe kanë lënë gjurmë në memorien e sportistëve dhe të tifozëve. Kam pasur shumë ndeshje emocionuese të karrierës time dhe shumë arritje, ku dua të veçoj pjesëmarrjen në Champions me Vllazninë, por edhe në Europa League me ekipet e huaja ku kam luajtur. Janë kujtimet më të bukura të karrierës time. Siç thashë, kalimi në Kombëtare është kulminacioni i një sportisti dhe unë i kam përjetuar këto momente prandaj dhe ndihem i realizuar.

-Brigeli ishte trajner i ftohtë, por shumë i disiplinuar. Ekipi në atë periudhë kishte kualitete teknike, paçka se objektivi kualifikim dukej i vështirë...

Nën drejtimin e Brigelit ne kemi bërë ndeshje të mëdha. Padyshim ai ishte një trajner me disiplinë të fortë, sidomos në planin taktik. Mendoj se kemi shfaqur nivel të mirë dhe kemi bërë ndeshje të mëdha. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mëdha, por ajo me Greqinë në shtatorin e vitit 2004 është nga më mbresëlënëset, një triumf i pazakontë që mori një ngarkesë të fortë emocionale. Është një nga triumfet më të bukura të skuadrës kombëtare dhe unë pata fatin të jem protagonist bashkë me lojtarë të tjerë në këtë ndeshje. Ky takim mbahet mend pasi ne luanim ndaj një skuadre që vinte në Tiranë si kampione në fuqi e Europës, por edhe si një vend ballkanik rival, le të themi një derbi ballkanik. Ne u karikuam shumë nga kjo ndeshje dhe pati një dëshirë të madhe nga të gjithë lojtarët dhe stafi që ta fitonim duelin. U krijuan rrethanat që erdhën në favorin tonë dhe për këtë një ndihmë të madhe motivuese dha tifozeria. Për pasojë e realizuam me sukses qëllimin, duke fituar 2-1 një ndeshje që përsëritet shumë rrallë. Ka qenë një nga përballjet më emocionuese dhe për mua si lojtar. Mbaj mend që na u deshën mbi 40 minuta për të përshkuar rrugën nga “Skënderbeu” tek stadiumi, pasi rruga ishte pushtuar nga tifozët e s’kalonim dot. Ishte një mbështetje e madhe para dhe pas ndeshjes, kudo entuziazëm dhe rezultati ishte në përputhje me këtë atmosferë elektrizuese. Janë kujtime që mbeten në mendje dhe padyshim nga triumfet më spektakolare e më të bukura në karrierën e një sportisti. E pra, unë pata fatin ta përjetoj këtë emocion dhe këto kujtime na bëjnë mirë të gjithëve.

-Së shpejti rinis kampionati. Është gjë e mirë sigurisht, pasi verdiktet e sezonit do të jepen nga fusha, por ka dhe probleme, ku kryesorja ka lidhje me dëmtimet e mundshme të futbollistëve pasi vijnë nga një ndërprerje e gjatë e aktivitetit. Cili është mendimi juaj?

Kjo është një sforco për të gjithë, por është shumë më mirë që u kthye kampionati dhe do të luhen ndeshjet. Kjo është me të vërtetë shumë pozitive. A do të ketë dëmtime? Kjo situatë mund të ketë pasoja tek lojtarët e trajnerët, sigurisht, por sërish është pozitive që gara kthehet në fushë.

-Pse ka pasoja për trajnerët?

Po nëse themi se kjo situatë mund të sjellë shqetësime në lidhje me dëmtimet e mundshme të lojtarëve, atëherë për trajnerët do të ketë dhimbje koke, nuk është situatë normale dhe do të duhet sforco për ta përmbushur si duhet sezonin. Megjithatë, urojmë të ketë sa më pak probleme e të fitojë më i miri.

-Më i miri duket ekipi i Tiranës, një qetësi që vjen nga renditja. Është në krye dhe besohet se titulli është afër...

Po, keni të drejtë, Tirana është në krye dhe ka shanse të mira për të fituar titullin. Por nuk duhet të nxitohemi. Ka ende garë dhe gara është e hapur. Tirana është favorite, por fundin le t’ia lëmë kohës dhe fushës. Sa na takon ne, le ta shijojmë nga televizori, pasi në stadium nuk do të kemi mundësi për shkak të situatës. Shkëputjet e gjata si kjo kanë pasoja sigurisht, por siç u shpreha urojmë ta kalojmë pa probleme dhe të kemi një garë cilësore.

Intervistoi: Adriatik BALLA