BREAKING NEWS

Vihet në dyshim besueshmëria e OBSH, nxjerr një tjetër version duke përhapur alarm: Po, ka prova që koronavirusi transmetohet nga ajri

Vihet në dyshim besueshmëria e OBSH, nxjerr një tjetër
x

Sport

Erkand Qerimaj: Ronaldo e Bufon modelet e mi, nuk tërhiqem pa i sjellë Shqipërisë medalje të tjera

Erkand Qerimaj: Ronaldo e Bufon modelet e mi, nuk tërhiqem pa i sjellë

Peshëngritja është sporti që i ka sjellë vendit shumë medalje të rëndësishme nga aktivitetet ndërkombëtare, duke bërë që shtanga të radhitet si një prej sporteve më efikasë dhe që mban një status elitar prej shumë dekadash. Padyshim që ka probleme, si në çdo disiplinë tjetër, e kjo kryesisht nga mungesa e infrastrukturës së përshtatshme e mbi të gjitha nga mungesa e sportit financiar, por sërish peshëngritja bën diferencë. Në 15 vjetët e fundit, peshëngritjen në Shqipëri e ka dominuar një emër, Erkand Qerimaj, kampion e rekordmen kombëtar, medalist europian e botëror. Me një karrierë brilante, Qerimaj nuk është ngopur ende, ai ka uri për të fituar dhe po përgatitet për sfidat e ardhshme, filluar nga Europiani i Moskës në fund të tetorit. Për të mosha nuk paraqet problem, pasi, siç thotë ai, i rëndësishëm është rezultati. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Qerimaj shpalos objektivat e tij, vlerësimet rreth peshëngritjes, Ligjin e Sportit, debatin rreth më të mirit etj, por edhe shqetësimit për pakësimin e numrit të sportistëve në çdo disiplinë.

-Si ndikoi kjo situatë në objektivat tuaja?

Po përgatitesha për Europianin që do të zhvillohej në Moskë, me ambicie të mëdha dhe për të kapur nivelet e larta sepse dëshiroja pikët e vlefshme për Olimpiadën e Tokios. Por pandemia e koronavirusit na i prishi këto plane, sepse garat u shtynë dhe kjo pati ndikimin e vet negativ. Pse negativ? Sepse ne ishim përgatitur për garë dhe gëzonim formë të mirë sportive. Megjithatë, vijojmë të stërvitemi, pasi garat vijnë shpejt dhe vëmendja ime është tek Europiani i Moskës që është caktuar të zhvillohet në fund të tetorit e fillim të nëntorit në kryeqytetin rus. Sa i takon formës them se jam mirë, por jo në kapacitetin maksimal, pasi ruajmë një nivel stërvitshmërie që shkon në 60-70% të formës, për të mos u konsumuar dhe për të mos kaluar në nivele që sjellin dëmtime me pasoja. Pra, po mbajmë një nivel disi më të ulët stërvitor, për ta shtuar ritmin kur të afrojnë garat.

-Besoj ta kanë bërë shpesh pyetjet e një tërheqjeje nga sporti. Ndoshta e ngatërrojnë moshën tuaj (32 vjeç). Kur keni ndërmend të dilni në “pension”?

Nuk kam ndërmend ta bëj këtë për së shpejti, pasi unë kam rezultate të larta. Sigurisht që një ditë do të tërhiqem, por kjo do të ndodhë atëherë kur unë e shoh që nuk kam çfarë t’i jap më sportit. Por, sa kohë unë kam rezultate të nivelit të lartë, të nivelit europian, në nivel rekordesh, atëherë nuk ka arsye të tërhiqem. Jam habitur s’i ma kërkojnë këtë, madje mbaj mend që këtë pyetje ma shtronin që kur isha 21 vjeç, por harrojnë se unë rezultatet i kam pasur të qëndrueshme, nuk kanë njohur ulje dhe falë tyre kam konkurruar e fituar në gara të mëdha të peshëngritjes. Mos harroni, sot ka kampionë bote që janë shumë më të mëdhenj se unë. Kampioni kinez i peshës time është 36 vjeç. Shihni edhe në futboll lojtarë si Ronaldo 35 vjeç, që luan ende në nivele shumë të larta, apo dhe Bufon, që ka kaluar 40, që vijon luan në Serinë A. Këta janë shembuj shumë motivues për mua dhe më japin shtysë të stërvitem e të konkurroj. Kjo më bën të ndihem mirë, sigurisht, dhe asnjëherë nuk më iku uria për garë dhe dëshira për të fituar e përfaqësuar flamurin e vendit tim. Pra mosha s’ka kurrfarë rëndësie sa kohë rezultatet janë të nivelit të lartë dhe fatmirësisht rezultatet e mia janë të nivelit europian e botëror.

-Cilat janë objektivat tuaj në vijim?

Europiani i Moskës është një objektiv madhor dhe i pari në radhë ku do të testoj forcën dhe rezultatet e mia. Unë dua medalje, padyshim, dua të ngre lart flamurin shqiptar. E dëshiroj suksesin pasi kjo garë ka vlerë kualifikuese për Olimpiadën. Që unë ta realizoj këtë pritshmëri, pra kualifikimin olimpik, më duhet një vend nderi në këtë garë, pra në 3-4 më të mirët e Europës. Analiza bëhet duke gjykuar edhe mbi bazën e rezultateve në garat e mëparshme. Në Katar, turne i zhvilluar në dhjetor, unë ngrita 157 kg në shkëputje dhe 194 kg në shtytje. Zura vendin e dytë, kurse vendin e parë e zuri një gjerman që ngriti 1 kg më shumë se unë në shtytje. Pra në këtë garë morën pjesë kampionët e Europës. Siç shihet, rezultate e mia qëndrojnë në nivel të lartë europian.

-Rivaliteti në garat e mëdha europiane e botërore është i madh, por i fortë është rivaliteti dhe brenda vendit. Si e keni përjetuar këtë frymë gare në Shqipëri dhe cili është raporti juaj me sportistët e tjerë?

Rivalitet ka, pasi secili luan dhe bën garë për veten e tij, pra për fitoren e tij. Secili e dëshiron suksesin, pra ka rivalitet, por kjo nuk e prish respektin brenda garës dhe miqësinë tonë jashtë garës. Raportet e mia me sportistët e tjerë janë korrekte. A ka rivalitet? Sigurisht që ka, kur futesh në një garë shkon për të fituar dhe kështu ndodh me të gjithë ne. Por kjo nuk e ka vrarë miqësinë që ekziston mes nesh, sportistëve.

-Po raporti juaj me institucionet sportive, si paraqitet? Mos harrojmë, ju shpesh keni qenë zë kritik ndaj pushtetarëve…

Përderisa flasim për institucion, atëherë edhe raportet janë institucionale. Është e vërtetë që kam ngritur zërin shpesh, por e kam bërë për problemet që shqetësojnë sot sportin tonë. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse problematika në sport mbetet e njëjta. Janë bërë disa përparime, disa gjëra janë ndërtuar, por probleme hasim përditë, mbeten ato problemet e mëdha që shqetësojnë sportin shqiptar në tërësi. Janë bërë edhe përpjekje të mira për zhvillim, sigurisht, por Shqipërisë po i pakësohen sportistët. Rinia qëndron rrugëve e nuk vjen në stërvitje. Këtë do ta vuajmë të gjithë në të ardhmen, pasi nuk do të kemi përfaqësim serioz e cilësor.

-Ku e bazoni këtë?

E bazoj në atë që shoh dhe nuk është fjala vetëm për peshëngritjen, por edhe në sporte të tjera. E shoh në mundje, në boks e në shumë sporte të tjera. Klubet kanë më pak sportistë. Kur bie numri është shenjë alarmante, që do të thotë se sporti nuk tërheq. Kjo ndodh, sepse prindërit i tërheqin fëmijët kur shohin se nuk vlerësohen. Kur gjërat nuk duken mirë, prindi përpiqet t’i ndryshojë fëmijës drejtimin, sepse në sport nuk e gjen veten. Kjo është shumë e dëmshme dhe ka të bëjë me politikat sportive të angazhimit dhe motivimit financiar.

-Nuk është njëlloj për një sportist të ushtrohet kur është beqar e më pas familjar. Sa ka ndikuar familja në stërvitshmërinë dhe rezultatet tuaja?

Po, kjo është normale, ku bëhesh prind rritet edhe përgjegjësia, shtohen punët. Më parë i kisha gati, por tani ca punë i bëj, një ngarkesë më të madhe e kam. Por unë këtë e shoh si motivim dhe të jem i sinqertë me ju familja më ka ndihmuar. Ka ngarkesë por është motivuese. Jashtë shtetit, sportistët qëndrojnë të grumbulluar dhe çdo gjë e kanë gati, kurse ne i kemi gati vetëm kur bëjmë grumbullime të rralla. Megjithatë, faleminderit Zotit, për mua familja ka qenë shtysë e madhe.

-Nuk ndodh shpesh të pyetet një sportist për më të mirin. Ka rivalitet, por ka dhe respekt. Shpesh ka gjykim emocional. Për ju, kush është peshëngritësi më i madh shqiptar?

Peshëngritja jonë ka qenë një sport elitar, gjithmonë, ka pasur në çdo kohë sportistë cilësorë. Por nëse flasim për më të mirin, Pirro Dhima është më i miri i të gjitha kohërave i shpallur edhe zyrtarisht nga organizmat botërorë të shtangës. Me katër medalje olimpike, 3 ari e 1 bronzi, Pirro është nga ata sportistë që pikërisht në bazë të rezultateve meriton të jetë më i miri. Natyrisht, këtu hyjnë në lojë kushtet që i janë afruar, mbështetja që ka pasur etj. Dikujt i pëlqen e dikujt jo, por Pirro është më i miri. Fundja ai ka dalë nga ky vend dhe pavarësisht se ka përfaqësuar një flamur tjetër, unë e gjykoj në aspektin profesional dhe të rezultateve. Pra gjykimi im për Pirron dhe të gjithë shqiptarët e tjerë, si Luan Shabani e Viktor Mitro, që garuan për Greqinë, është një gjykim sportiv. Dhe ata meritojnë respekt profesional. Janë sportistë nga Shqipëria që garuan për ekipin grek në atë periudhë, por Greqia e atyre viteve kishte në ekipin e shtangës vetëm 1 sportist të mirëfilltë grek, 5 të tjerë ishin shqiptarë e 2 rusë. Këtu nuk duhen ngatërruar analizat sportive me qëndrimet emocionale e nacionale. Unë kam qenë në palestrën e ekipit kombëtar grek, jam stërvitur atje dhe sportistët grekë më respektonin të gjithë, më respektonin si kampion Europe. Edhe Granit Xhaka përfaqëson Zvicrën, por atij nuk mund t’i mohohet profesionalizmi që e karakterizon.

-Kreu i KOKSH-it, Viron Bezhani, ka apeluar së fundmi tek institucionet e sportit dhe qeveria që të mbështeten sportistët elitarë me një fond special. Si ju duket ky qëndrim i KOKSH-it?

Nuk e di kush është përfshirë në listë dhe cilët kanë qenë kriteret e përzgjedhjes, por lëvizja më duket e drejtë. Mos harrojmë se në Shqipëri është shumë e vështirë të bësh sport. Nuk po dalim nga Liqeni e po bëjmë vrap për qejf, sporti profesionist kërkon kushte, ndryshe nuk vijnë rezultatet.

-Është vënë në rrugë miratimi edhe një Ligj Sporti, por ka shumë debate rreth tij. Cili është mendimi juaj?

Asgjë, flitet kot. Ky ligj nuk e zgjidh problemin e sportistëve elitarë. Thuhet se i jep drejtim punësimit të sportistëve por në realitet i lë rrugëve, pasi nuk specifikon asgjë në lidhje me këtë çështje. Në realitet sportisti përfundon sa në një derë në një tjetër, ku merr përgjigje të tipit “të takon, s’të takon”. Pra është evazive. Sa për krahasim, në Itali sportistët e kanë të qartë ku punësohen. Atje jo vetëm i punësojnë, por u hapen edhe rrugët, kurse ligji tek ne është i mangët e nuk i kanë dhënë aspak drejtim. Ecet me... “bëjmë sikur”, dalin në televizor, flasin, por në realitet nuk ka ndryshime. E si mund të ndodh ndryshimi i shumëpritur, kur s’ka ndryshim në pagë, kushte stërvitore, punësimi etj? Palestra është bërë, dakord, por mungon trajtimi. Pse duhet kjo? Sepse të rinjtë duhet ta dinë se çfarë përfiton nga sporti, nëse del Kampion Europe apo Bote? Jo thjesht me një VKM. Këtu thonë fitoi kaq e aq milionë nga ligji, por askush nuk kujtohet për shifrën e shpenzimeve që i duhet një sportisti për të dalë Kampion Europe e Bote. Që të arrish atje duhen qindra milionë lekë, për masazhatorët, seancat stërvitore specifike, mjekësia sportive, grumbullimet, terapitë etj. Të arrish deri Kampion Europe ka kosto shumë të lartë, por askush nuk e llogarit këtë.

-Diçka të fundit, dihet lidhja juaj me Vllazninë dhe Shkodrën, por figuroni si sportist i Tiranës. Ndajeni mendjen, më mirë i Vllaznisë apo i Tiranës?

Unë kam qenë sportist i Vllaznisë, kam arritur rezultate shumë të larta me atë skuadër dhe kam pasur sukses. Kam qenë sportisti më i mirë i Vllaznisë për shumë kohë, kam pasur arritje të mëdha, por edhe tek Tirana jam ndjerë mirë. Mos harroni, unë jam sportist profesionist dhe që nga viti 2006 jam në Tiranë. Këtu kam mbaruar shkollën dhe jam qytetar në Tiranë. Ndihem mirë vërtet dhe të themi të drejtën këtu ka më shumë mundësi për sportistët. Sidoqoftë, duke qenë profesionist, ëndrra ime është të mbaj rezultate të larta që të përfaqësoj me dinjitet vendin tim dhe misioni kryesor është të ngre flamurin shqiptar në garat e mëdha europiane e botërore.