BREAKING NEWS

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet nënkryetari që do të ketë kompetencat e kryetarit, ja kush emërohet

Më në fund ‘zhbllokohet' Gjykata e Lartë/ Zgjidhet
x

Sport

“Eurosport” vlerëson Gjimshitin: Mbrojtës grabitqar, ndër më të mirët në Serie A

“Eurosport” vlerëson Gjimshitin: Mbrojtës grabitqar,

Lojtarët e Kombëtares janë kthyer me vrull në fushë pas rinisjes së aktiviteteve futbollistike në mbarë Europën, duke vendosur objektiva të rinj dhe duke tentuar të spikasin sa më shumë për të pasur kuota të mira në treg dhe me shpresën se do të ,mund të luajnë në skuadra më të mëdha në edicionin e ardhshëm. Ka të tjerë që po e shijojnë momentin me ekipet e tyre, nisur nga pozitat në gjirin e skuadrave por edhe objektivat e vetë ekipeve ku luajnë. Nisur nga ky parim, mbrojtësi Berat Gjimshiti ka të drejtë të krenohet e ndjehet mirë me Atalantën, pasi kjo skuadër jo vetëm ka arritur në fazën çerekfinale të Ligës së Kampioneve, por po rivalizon me sukses në Serinë A italiane për të qenë në top-4 të renditjes, pozicion që siguron pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Champions League sezonin tjetër. Madje mbrojtësi kuqezi jo vetëm luan titullar me Atalantën, por di të shpërthejë në kohën e duhur, duke shënuar gola me vlerë për skuadrën në ndeshje delikate dhe duke e ndihmuar grupin të arrijë suksesin e dëshiruar. Menjëherë pas ndeshjes së fundit të Atalantës në Serie A, shtypi sportiv italian dhe më gjerë, ai europian, e ka vlerësuar me notë shumë të lartë futbollistin e prapavijës së Atalantës, Berat Gjimshitin, duke e etiketuar madje edhe si “grabitqar”, në kuptimin që ai nuk i lejon kundërshtarët të kalojnë në zonë dhe 3është tepër efikas për t’i mbuluar më së miri ata gjatë lojës.

Goli, shenjë e rritjes profesionale të Gjimshitit

Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Berat Gjimshiti, u rikthye në fushën e lojës me gol në këtë rikthim të kampionatit italian, duke gjetur rrugën e rrjetës që në minutat e para të sfidës mes Atalantës dhe Sasuolos. Shumëkush e ka cilësuar si ndeshjen më emocionuese të Serisë A, pasi luhet në Bergamo, qytetin më të prekur nga COVID-19, një nga vatrat më të mëdha të Europës ku kishte me mijëra viktima. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, titullar si zakonisht, ka shënuar që në minutën e 16-të të kësaj sfide duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. Pas një goditje nga këndi, ai u tregua i aftë të çonte sferën në rrjetë duke kaluar para skuadrën që përshëndeti në mënyrën më të mirë qytetin e Bergamos. Atalanta dominoi sfidën plotësisht e më pas falë golave të Zapata dhe autogolit të Bourabia vuri gjithçka nën kontroll, ndërsa Bourabia shënoi golin e nderit për miqtë në minutat shtesë. Me këtë sukses, Atalanta vazhdon aty ku e kishte lënë duke regjistruar fitoren e katërt radhazi dhe duke blinduar vendin e katërt në renditjen e Serisë A:

Vlerësimi nga “Eurosport”

Atalanta tregoi në këtë takim se është skuadër e formuar dhe mjaft efikase, për më tepër korri fitore brenda në Bergamo, qytetin e goditur keqas nga koronavirusi. Skuadra e Gasperinit është kthyer të jetë ajo e zakonshmja ku mundi me “poker” Sasuolon, dhe ku autor i një prej golave ishte shqiptari Berat Gjimshiti. Mbrojtësi mori një top pas një rrëmuje në zonë dhe e dërgoi në rrjetë me shumë klas me pjesën e jashtme të këmbës. Jo vetëm kaq, por “shtylla” e kombëtares sonë tregoi një nivel shumë të lartë edhe në difensivë, duke mundur të fitojë thuajse të gjitha duelet në hapësirën e tij. Vlerësim shumë të madh edhe nga “Eurosport” për shqiptarin. Media prestigjioze e vlerëson si më të mirin në mbrojtje dhe vendos ta quajë “grabitqar”. “Berat Gjimshiti, nota 7. Një “grabitqar” në zonën e rreptësisë. Pas një paraqitje të madhe, asgjë nuk kalon në anën e tij”, shkruhet në vlerësimin për Gjimshitin.

Dedikimi për qytetin e gjunjëzuar nga COVID-19

Ashtu si i gjithë ekipi i Atalantës, edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti tregon me anë të një postimi në “Instagram”se rrjeta i dedikohet qytetit të Bergamos, në sensibilizim me të gjithë vuajtjet që kaloi në pikun e COVID-19. Shqiptari këtë sezon të Serisë A ka shënuar dy herë, ndërsa është konfirmuar si një nga elementët kryesorë të Atalantës në qendër të mbrojtjes. Jo rastësisht është ndër të zgjedhurit e Gasperinit në repartin difensiv.