Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Rikthehen telashet për Berishën, të mërkurën rihapet gjyqi i Izet Haxhisë, thirren dëshmitarët e parë për vrasjen e Hajdarit

Rikthehen telashet për Berishën, të mërkurën rihapet
x

Sport

Ferit Keta: Nuk tërhiqem nga ringu pa e arritur titullin botëror, flamuri kuqezi frymëzim për sukseset e mia në boks

Ferit Keta: Nuk tërhiqem nga ringu pa e arritur titullin botëror,

Kur bisedon nga afër me Ferit Ketën mund të mendosh se ai është mjek, psikolog, ose ndonjë profesionist tjetër të cilin e karakterizon qetësia, durimi, kthjelltësia, saktësia. Por të gjitha këto cilësi, në ring shndërrohen në armë “vrastare” për kundërshtarët e tij, të cilët përpiqen të fshihen pas litarëve nga grushtet fatale të “gjigantit” nga Bulqiza. I dalë nga dinastia e familjes Keta që po shkruan histori në boks dhe kikboks, me kampionë të mëdhenj e me tituj botëror si Ismail dhe Gjetan Keta, Feriti është vijimësi e këtij suksesi të pazakontë. Ai po pret të largohet situata e vështirë nga pandemia e koronavirusit dhe të rikthehet në ring, me një objektiv të qartë: fitimin e titullit botëror. Gazeta “Sot” sjell në këtë rubrikë intervistën me këtë “gjigant” të boksit e kikboksit, i cili në 13 ndeshje të luajtura nuk njeh humbje e barazim, por vetëm fitore. Të rinjtë, që duan të kenë një karrierë sportive, duhet të marrin shembull nga ky vigan i ringut. Sepse, siç thotë edhe Feriti, kampion nuk lind por bëhesh.

- Cila është rutina e përditshme e sportistit Ferit Keta?

Nuk lëviz shumë, mbaj një regjim strikt në stërvitje, ushqim dhe fjetje. Kam pothuajse përditë një program, gati i kronometruar. Në 10:00 nis stërvitjen, pas stërvitjes bëj pak pushim, ha drekën, sërish pak pushim, kurse pas orës 16:00 rinis procesi stërvitor. Natyrisht, ky program ndryshon disi kur je në prag të ndeshjeve të zyrtarizuara. Stërvitja është në varësi të kundërshtarit, raundeve, sidomos 1 apo 2 muaj para. Stërvitja është komplekse, e gërshetuar me elementë të ndryshim fizikë e tekniko-taktikë.

- Për shkak të pandemisë keni një kohë të gjatë pa u ngjitur në ring. Herën e fundit ju u përballët me një serb dhe fituat. Si është të ndeshesh dhe të fitosh me një serb në ring?

Ndeshja me rivalin serb ishte me një emocion të veçantë, i dyfishtë, më i madh se ndaj një rivali tjetër. Fitorja të jep gëzim, sigurisht, por në të kundërt humbja mund të të trishtojë shumë. Të vret ajo që dikush mund të thotë apo të të shkruajë “na turpërove”, pasi rivaliteti mes dy etnive është i fortë. Por unë këtë ndeshje e mora shumë seriozisht. Nuk i lashë asgjë rastësisë dhe u stërvita që të isha sa më në formë. Dhe në fund, pas një dueli të bukur, ia dola të fitoj me nokaut. Madje, duket rastësi, unë me serbët të gjitha ndeshjet i kam fituar me nokaut.

- Cili është roli i Ismailit tek ju?

Mund të flas shumë, sigurisht, por po ndalem në disa gjëra kryesore. Ismaili është vëlla dhe idhull për mua. Është simbol i suksesit, shembull për mua, frymëzim në familje. Që në ditën e parë kur mbërrita në aeroport më pyeti? Çfarë do, çfarë synimesh ke? I thashë dua të stërvitem, dua të bëhem kampion, por se di a do ta arrij. Ai e pëlqeu dëshirën time, për më tepër që i kishte të gjitha cilësitë për të më udhëhequr. E kisha menduar se mund të ushtrohesha, por jo të kapja këto nivele. Ai ka një përgjegjësi dyfishe ndaj meje, si vëlla dhe si sportist. Në çdo gjë, për çdo lëvizje, unë përpiqem që t’i zbatoj me përpikmëri detyrat që më jep. E vërteta është se Ismaili ka ndikim të madh tek unë, saqë në një sallë ku ka mijëra vetë që bërtasin, të flasin me emër etj, unë dëgjoj vetëm një zë, pikërisht zërin e Ismailit. “Hë, a më dëgjove kur të fola, a më pe sa kam bërtitur…”, më thonë pas ndeshjes. Buzëqesh, por asnjë zë tjetër veç Ismailit mua s’më ka hyrë në vesh.

- Si e kujton ndeshjen e parë?

Nuk e di, isha në tokë apo në ajër. Në fakt, isha stërvitur shumë, por ishte emocion shumë i madh. Ishte një ndeshje amatore në kikboks. Kundërshtari kishte eksperiencë se kishte zhvilluar 7 ndeshje dhe njihej atje. Shkova me duar në xhepa, pa rroba, pa pantallona kikboksi, kisha vetëm mbrojtësen e dhëmbëve. “Bëhu gati”, - më thotë Ismaili. Unë ngre supet, i thashë s’kam rroba. Sidoqoftë, i thotë një sportisti tjetër të më jepte rrobat dhe unë dola në ring me rrobat që mbanin emrin e tjetrit. Rivali kishte shumë mbështetje dhe ata brohorisnin për të. Kishte shumë njerëz dhe unë u futa në ring krejt në heshtje. Nuk më njihte askush. Pastaj mendova “meqë ju po heshtni, ua tregoj unë se kush jam”. Ndeshja shkoi mbarë për mua, e munda me nokaut. Ishte një fitore gati e dhunshme, e ashpër. “Uuuu”, - bënë të gjithë dhe duartrokitjet ndryshuan krah. Më pas kundërshtari më kërkoi revansh. Dhe vendosëm të ballafaqohemi sërish, këtë herë në një arenë serioze si “Circus Krone” në Mynih. Po atë natë, Ismaili luante për titull botëror, gjë që e realizoi. Para se të ndodhte kjo ndeshje, unë ndërkohë nuk vija më si fillestar, por me 4 ndeshje në CV, pra po luaja ndeshjen e pestë. Kisha fituar një farë eksperience dhe të gjitha me fitore. E munda pastër teknikisht. Mbaj mend që erdhi më dha dorën, më uroi suksese dhe shtoi se unë do të ecja shumë në këtë sport. Ajo mbrëmje ishte magjike, pasi arena ishte e mbushur dhe pati një mbështetje të madhe për ne nga shumë shqiptarë.

- Si i përjetojnë familjarët ndeshjet tuaja?

Kam folur shpesh për këtë çështje. Në fakt, e përjetojnë shumë keq, qoftë kur fitoj, qoftë kur humbas. Unë vetë jam profesionist, e di që në një duel në ring ka fitore, por ka dhe humbje dhe e kam përgatitur veten për këtë, por familjarët jo. Kur unë ndeshem, nëna as sytë nuk ia hedh televizorit, del nga dhoma, nuk mundet ta shohë. Kurse babi është më ndryshe, ai ka parë ndeshje edhe live.

- Cili është raporti juaj me vendlindjen, me Bulqizën?

Kam 10 vjet që nuk jetoj atje, por shkoj shpesh, shumë shpesh. Unë atje ndjej një kënaqësi që nuk e ndjej në asnjë vend tjetër. Kudo ku shkoj e them me krenari që unë jam nga Bulqiza, edhe në media e theksoj shpesh këtë. Sepse dua që edhe të tjerët ta dinë që Bulqiza nuk ka vetëm krom, por edhe sportistë, njerëz të mirë e të mençur. Përpiqem të bëj më të mirën për këtë vend. Madje Ismaili ka pasur shumë oferta nga njerëz të ndryshëm që donin t’i përdornin emrin për galeritë apo bizneset e tyre, por ai kurrsesi nuk ka pranuar. Nuk e ka pranuar sepse aty abuzohet me pagesat, me mungesën e kushteve etj. Këto oferta i janë bërë nga njerëz me influencë, por s’ka pranuar të përfitojë, sepse, siç thotë Ismaili “s’mund të ha djersën dhe gjakun e bulqizakëve të mi”.

- Ajo mbrëmje e boksit në Bulqizë mbetet ngjarje e paharruar për një qytet ku fjala “krom” gdhin e ngrys çdo ditë. Si e keni përjetuar këtë?

 Ndeshjet që zhvilluam në Bulqizë ishin një emocion shumë i madh, por edhe një stres i madh. Për Ismailin ishte dyfish më i madh. Ka qenë një mbrëmje e madhe, nga më të bukurat. Koha nuk na premtonte, duhej improvizuar një ministadium. Pati një ide për ta spostuar aktivitetin në Tiranë, por Ismaili dhe Gjetani vendosën që edhe shkrepa të bien ndeshjet do të bëheshin në Bulqizë. Gjetani luajti për titullin euroaziatik WBC, kundër një rusi. Për ta mbështetur rivalin kishte ardhur dhe ambasadori rus. Gjithçka shkoi mirë, fituam të dy, unë me një rumun, kurse Gjetani me rusin. Sukses i madh, emocion i madh. Të gjithë lekët që u mblodhën nga ajo mbrëmje, prej biletave e sponsorëve, Ismaili ia dhuroi bashkisë së Bulqizës, me qëllimin e ndërtimit të një terreni sportiv. Ishin 45 mln lekë me protokoll. Kishim rënë dakord që bashkia, disa biznesmenë kromi dhe paratë tona të bashkoheshin për të ndërtuar një ministadium. Deri më sot kjo nuk është realizuar dhe lekët që Ismaili ia dha bashkisë për këtë qëllim, humbën pa nam e pa nishan. Askush nuk dha përgjigje ç’u bë e ku shkuan këto para?

- Duket se dueli që emocionoi më shumë për ju ishte ai me turkun Mehmet Fati Karakus…

Ky boksier reklamohej si patriot turk, në pantallona mbante vitin e pushtimit të Kostandinopojës (1453), prandaj dhe kishte marrë emrin “Pushtuesi”, njëlloj si Sulltan Mehmeti dhe të tillë e quante veten. Pasi unë e munda në ndeshjen e parë të luajtur në Dibër, ai kërkoi revansh, por me një ndryshim, donte duel në kikboks. Ai pushtoi rrjetet sociale me video të ndryshme, ku portretin tim e qëllonte me shigjeta, për të më vënë në sedër. Thoshte se kikboksi është sporti i tij i preferuar dhe, meqë edhe unë e kisha ushtruar kikboksin, duhej të përballeshim. Që unë të pranoja revanshin, vuri në dispozicion të tij të dy titujt që mbante, por ai nuk e mbajti fjalën, doli i pabesë, sepse solli vetëm një titull. Siç e dini, unë e munda atë edhe në kikboks.

- Cila është arma jote më e fortë dhe, së dyti, cila është më e rëndësishme, përgatitja fizike, tekniko-taktike apo ajo psikologjike?

Arma ime më e fortë është qetësia, kurse në lidhje me përgatitjet, të gjithë elementët shkojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Kryesorja për mua është parapërgatitja. Nëse punon fort, këta elementë shkojnë të gërshetuar bashkë.

- Cili është mendimi juaj për sportin në Shqipëri në tërësi?

Realisht ka talente shumë, në çdo sport, por talentet këtu digjen, ose nuk kanë si ta arrijnë suksesin pasi u mungojnë kushtet dhe mbështetja nga instancat përkatëse. Dhe vëmendja shkon tek shteti, i cili duhet të hartojë politika efikase që talenti mos të shkojë dëm. Nëse shteti është serioz, nuk abuzohet as nga federatat, as nga klubet e as nga sponsorët. Unë këtu kam parë e dëgjuar që aktivizohet në fushë ai që nuk e meriton, ka shumë hile.

- Kush janë boksierët tuaj të preferuar?

Të parët që më motivojnë e janë idhull për mua janë vëllezërit e mi (Ismaili dhe Gjetani), por ka dhe të tjerë. Preferoj njerëzit me karakter të fortë e shpirtmirë, që kanë vlera edhe jashtë ringut. Antonio Joshua është një i tillë (kampion bote në peshat e rënda). Më pëlqen edhe Genadi Golovki (azer), i cili nuk është një boksier i vrazhdë. Ka qëndrim njerëzor, me shumë tituj botërorë, por aspak arrogant, e karakterizon modestia.

- Cili është projekti juaj i radhës?

Akoma asgjë konkrete. Ndeshja në prill u anulua për shkak të pandemisë. Nëse fitoja do të kisha të drejtën të luftoja për kampion Europe në boks. Kur të kthehet normaliteti kjo rrugë do të ndiqet.

- Kampion lind apo bëhesh?

Kampion bëhesh, nuk lind dhe unë e kam shembullin në shtëpi. Ismaili e ka nisur nga hiçi, bënte vrap në natyrë, pa kurrfarë kushtesh, me hekurat dhe rrotat e vagonëve të minierës. Bëri thes boksi me mjete rrethanore, krijoi një palestër në natyrë duke marrë shembull nga filmat. Vetëm pasioni e përkushtimi e çuan drejt një rruge të madhe suksesi. Unë këtë rrugë e gjeta gati, të shtruar totalisht. Prandaj e them shpesh që meritat i takojnë Ismailit, pa atë unë sot mund të isha një punëtor i thjeshtë. Por edhe unë i kam vënë vetes një qëllim, të arrij tek titulli botëror.

- Cila është nofka juaj?

“Ushtari”, për dy arsye. Sepse i zbatoj mirë detyrat dhe jam gjithmonë i gatshëm për duel.

- Mesazhi më i mirë që ke marrë ndonjëherë?

Nga një kosovar, i cili kishte ditëlindjen dhe para ndeshjes më shkroi që të kujtoja masakrat serbe në Kosovë, më bënte thirrje të kujtoja gjakun e të parëve, shkurt donte që unë ta mposhtja serbin. E pashë mesazhin dhe u emocionova, edhe sot më emocionon, ishte përgjegjësi shumë e madhe, por ia dola dhe fitova. Ai më shkroi sërish, më tha se nuk kishte marrë kurrë dhuratë më të bukur për ditëlindje dhe e bëri publike në rrjetet sociale. Më emocionoi tej mase.

Intervistoi: Adriatik BALLA