Sport

Flasin statistikat, Strakosha lojtari me më shumë minuta në Serinë A

Flasin statistikat, Strakosha lojtari me më shumë minuta në

Lojtarët e Kombëtares mbyllën një sezon relativisht të mirë, me tregues në rritje dhe natyrisht më të pasur. Por ka futbollistë që punojnë në objektivat ndryshëm nga njëri tjetri. Për shembull, portierët Tomas Strakosha dhe Etrit Berisha luajnë për të thyer rekorde dhe Strakosha junior e theu një rekord në Serinë A të këtij sezoni, pasi është futbollisti me më shumë minutazh në fushë në kampionat. Kurse lojtarë të tjerë kërkojnë alternativa të reja në treg, me bindjen se në sezonin e ri mund të luajnë më shumë dhe me skuadra më cilësore. Gjithsesi, vëmendja duket tek mbrojtësit Kastriot Dermaku, që synon zgjatjen e bashkëpunimit me Parmën, si dhe Marash Kumbullën e Veronës, i cili është pranë arritjes së marrëveshjes me Interin.

Strakosha fikson rekordin, minutazh të plotë në Itali

Sezoni në Itali është në prag të mbylljes, teksa verdiktet e kreut të tabelës janë vendosur, me Juven që shpallet kampion për herë të 9-të rresht dhe Lacion, Interin e Atalantën, që kualifikohen gjithashtu në Champions League. Në fund ka vend edhe për konkluzione të veçanta, siç është renditja e lojtarëve me më shumë minuta këtë edicion të kampionatit italian. Ndoshta nuk kishte ndodhur kurrë që një shqiptar të ishte në krye të kësaj liste. Tomas Strakosha është futbollisti më i aktivizuar në Serie A, duke grumbulluar plot 3330 minuta në 37 ndeshje të luajtura. Kreun e kësaj renditje gardiani i kombëtares sonë e ndan me homologun argjentinas të Udinezes, Muso, i cili ka grumbulluar të njëjtat minuta. Edhe lojtarë të tjerë të Lacios janë në listën e 25 lojtarëve më të aktivizuar, çka tregon vështirësinë e kryeqytetasve për të gjetur alternativa. Në vendin e 13 renditet Françesko Acerbi (3103 minuta, 35 ndeshje), i 15-ti Imobile (3087 minuta, 36 ndeshje), i 21-ti është Luis Alberto (3032 minuta, 35 ndeshje) dhe i 24-ti renditet Milinkoviç-Saviç (2950 minuta, 36 ndeshje).

Dermaku i bindur se e ka fituar vendin e titullarit tek Parma

E ardhmja e Kastriot Dermakut do të jetë në radhët e skuadrës së Parmës edhe për shumë vite të tjera. Ky është konkluzioni në përfundimin e takimit mes mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare dhe drejtorit sportiv të klubit të Serisë A, Faxhiano. Sipas mediave italiane, palët kanë gjetur shpejt marrëveshjen për të zgjatur kontratën ekzistuese, me përmirësimin përkatës të kushteve financiare për futbollistin shqiptar i cili debutoi në këtë edicion në elitën e futbollit italian. Dermaku gjeti hapësirat e nevojshme për të treguar se është një futbollist që mund të luajë edhe në këto nivele, pasi kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës në kategoritë më të ulëta italiane. Trajneri D’Aversa ka filluar ta aktivizojë më rregullisht e kjo ka bindur klubin që t’i ofrojë marrëveshjen e re, e cila do të përfundojë në vitin 2024. Pritet vetëm fundi i edicionit aktual që palët të bëjnë zyrtar nënshkrimin e marrëveshjes mes tyre dhe zgjatjen e bashkëpunimit.

Mbrojtësi/ Kumbulla arrin marrëveshje me Interin, mbeten vetëm detajet

Insistimi i Igli Tares për Marash Kumbullën këtë radhë duket se nuk ka funksionuar. Lacio është gati të bëjë një investim të rëndësishëm financiar por Interi duket se do të përdorë një kartë të fshehtë që shtyn Veronën të pranojë ofertën e tij. Veronezët kanë kërkuar huazimin e talentit Agoume, të cilin e pëlqen shumë trajneri Juriç. Atij I shtohen edhe konfirmimi i huazimit të Salcedos, si dhe kartoni i Verganit. Të gjithëve u shtohet edhe një shifër e rëndësishme që e bën marrëveshjen për Kumbullën një nga më të mëdhatë në këtë verë ku prioritet janë shkëmbimet. Por “asi nën mëngë” i Interit nuk janë tre kartonët e futbollistëve që propozon si pjesë të shkëmbimit, por fakti se është gati të nënshkruajë me lojtarin dhe ta lërë një tjetër vit të rritet te Verona, për ta marrë vetëm në verën e vitit 2021, kur mendon si ai do të jetë gati për të luajtur titullar e jo për të qenë alternativë në stol. Ky opsion i pëlqen Veronës, por edhe futbollistit, i cili kërkon që të luajë me vazhdimësi, kudo që të jetë e ardhmja e tij.