BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Sport

FSHF bëhet më në fund e gjallë, kërkon ndihmë nga “Sport Radar” për trukimin e ndeshjes Bylis-Tirana

FSHF bëhet më në fund e gjallë, kërkon ndihmë nga

Ndeshja Bylis-Tirana, në kuadër të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, luajtur në Ballsh pasditen e së enjtes, regjistroi një faqe të zezë e të turpshme në historinë e futbollit tonë, pasi ishte një ndeshje skandaloze me hije të fortë trukimi, pra e kurdisur me gjasë efekte bastesh të paligjshme. Duhet ndërhyrje urgjente e prokurorisë, por më parë duhej të mbante qëndrim Federata Shqiptare e Futbollit, si përgjegjësja për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe institucioni që duhet të merakoset drejtpërdrejt për imazhin e futbollit në vend. Dhe dje më në fund qeveria e futbollit shqiptar ka reaguar. Kështu, ajo i ka kërkuar ndihmë institucioneve të specializuara jashtë vendit që ta ndihmojë me prova nëse ka pasur apo jo trukim për efekt të basteve të paligjshme dhe kjo nënkupton se FSHF po kërkon prova për të ndëshkuar Tiranën dhe Bylisin.

Qëndrimi i FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar së fundmi në lidhje me dyshimet e ndeshjes mes Bylisit dhe Tiranës, e zhvilluar ditën e djeshme për gjysmëfinalen e Kupës, e cila përfundoi me fitoren me përmbysje të ballshiotëve 2-1. Në një reagim të bërë së fundmi, FSHF njofton se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar”, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim. Gjithashtu në reagimin e bërë, paralajmërohen edhe dy skuadrat në fjalë, se në rast se konfirmohen akuzat për trukim të ndeshjes, atëherë do të ketë masa dhe sanksione të rrepta. “Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis – Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim. Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimmarrje, në rast se do të ketë prova. Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen”, thuhet në reagimin e FSHF-së.

Reagimi i sindikatës së futbollistëve

Në reagim theksohet se Sindikata nuk ka të drejtë të bëj komente, por është detyra e Komisionit të Etikës të japë përgjigje për çdo dyshim. Sakaq, Sindikata shprehet se futbollistët duhet të jenë seriozë në punën e tyre duke respektuar fanellën dhe tifozët e mos të bëhen bashkëfajtorë. “Sindikata e Futbollisteve Profesionistë Shqiptare, në statutin e saj ka parashikuar të përkrahë dhe mbështesë futbollin e ndershëm dhe korrekt. Por sot në mediat sportive nga shumë aktorë të futbollit gazetare, presidentë, shoqata tifozësh etj janë ngritur dyshime për paracaktim të një rezultati sportiv të ndeshjes Bylis-Tirana. Sindikata nuk ka asnjë të drejtë për të bërë komente mbi këtë ndeshje pasi është detyrë e Komisionit te Etikes t’i japë përgjigje çdo dyshimi të ngritur. Por nisur nga ky fakt si dhe aludimet e shpeshta për ndeshjet e kategorisë së Parë, Sindikata i bën thirrje të gjithë futbollistëve, që të jenë seriozë në punën e tyre duke respektuar fanellën që mbajnë veshur, tifozët qe i përkrahin dhe mbi te gjitha djersen dhe sakrificat e tyre. Rezultatet që vijnë nga lufta e fortë sportive në fushën e lojës janë ato qe i japin jetë pasionit tonë për futbollin. Çdo rezultat i vendosur nga xhaketat e zeza në fushën e lojës sipas urdhrave të kostumeve të zinj në shkallet e stadiumeve nuk duhet të ketë lidhje me ne. Futbollistët megjithëse ndodhen në situatë mjaft të vështirë nuk duhet të bëhen bashkëfajtor në këto komedi që luhen me futbollin. Sindikata do të jetë gjithmonë në mbështetje të të gjithë futbollistëve që karrierën e tyre sportive ta mbështetin tek futbolli “Fair-Play”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë të Shqipërisë.