BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Sport

Futbolli në luftë, Superliga e Europës alarmon qeveritë e vendeve të BE

Futbolli në luftë, Superliga e Europës alarmon qeveritë e

Vendimi i 12ë klubeve të mëdha europiane për të siguruar një ligë nën komandën e tyre ka sjellë tronditjen e sportit dhe të politikës në Europë, një çështje që dje mori vëmendjen e medieve më prestigjioze të botës dhe detyroi të dalin para medieve për ta refuzuar këtë ligë edhe kryeministrat e vendeve të rëndësishme të bashkimit Europian. “Futbolli është në luftë”. Ky ka qenë titulli kryesor i disa prej të përditshmeve më të rëndësishme në Europë pas luftës së hapur mes FIFA-S, UEFA-s e federatave kryesore në një krah dhe 12 klubeve themeluese të Superligës Europiane, që njoftuan zyrtarizimin e kompeticionit të ri. “Daily Mail” ka si titull kryesor “Futbolli është në luftë”. “Një akt kriminal kundër klubeve”, shkruan “Daily Mirror”, duke perifrazuar fjalët e Geri Nojvill. E përditshmja më e famshme sportive franceze, “L’Equipe”, ka si titull kryesor: “Lufta e të pasurve” Fjalën luftë përdor edhe spanjollja ABC në titullin e saj kryesor, ku shkruan: “Luftë në futbollin europian për krijimin e Superligës”. “Corriere dello Sport” gjithashtu përmend fjalën e ditës: “Luftë e hapur e UEFA-s kundër Superligës”. “Gazzetta dello Sport”, që ka dalë kundër në qëndrimin redaksional, shkruan: “Superliga, aspak super”. Një stuhi e vërtetë që ka pushtuar futbollin europian, ku e ardhmja e kompeticioneve kombëtare është përfshirë nga një tymnajë, ndërsa Champions League dhe Europa League, edhe nëse zhvillohen, rrezikojnë të luhen pa superfuqitë e futbollit europian, çka do të dëmtonte rëndë UEFA-n, në një kohë që në krahun tjetër përfitimet financiare kanë shtyrë 12 klubet themeluese të krijojnë këtë event unik për Europën. Ndërkohë, kreu i UEFA-s, Aleksander Ceferin, tha dje se në jetë kishte parë lloj-lloj njerëzish, por asnjëherë nga ata tipat si presidenti i Juventusit, Anjeli dhe administratori i Junajtid, Vuduard. Në fakt, Juventusi i Anjellit dhe Junajtid i Vudvardit janë në mesin e 12 klubeve të mëdha evropiane që e krijuan një Superligë Evropiane të dielën. Superliga do të jetë garë e mbyllur dhe do t’i japë fund garës më të famshme evropiane për klube, Ligës së Kampionëve, nëse jetësohet. UEFA vazhdimisht e ka kundërshtuar krijimin e një lige të tillë dhe është mbështetur edhe nga FIFA për këtë. Duke folur për Anjellin, njërin prej ideatorëve të kësaj lige, Ceferin tha: “Nuk do të flas shumë për Anjellin, ai është ndër zhgënjimet më të mëdha, vërtet zhgënjim i madh. Kurrë s’e kam parë një njeri i cili mund të gënjejë në atë mënyrë vazhdimisht. Vërtet e pabesueshme. Fola më të dielën pasdite dhe ai më tha se ishin thjesht thashetheme dhe se nuk kishte asgjë të vërtetë në to. Ai tha se do të më telefononte, por në fakt e kishte fikur telefonin”. Ndërsa në lidhje me shefin e Junajtid, ai shtoi: “Kam parë shumë gjëra në jetën time, por kurrë nuk kam parë njerëz si ata. Unë dhe Ed Vudvard nuk kemi biseduar shumë, por të enjten e kaluar ai më telefonoi dhe më tha se ishte i lumtur me reformat (në Ligën e Kampionëve) dhe se i përkrahte ato. Gjëja e vetme për të cilën donte të fliste ishte “fair play” financiar, por në fakt e kishte nënshkruar marrëveshjen për Superligë”, nënvizoi më tej.