BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Sport

Gara e mbijetesës në Superiore, edhe Kukësi në vallen e “play-out”-it

Gara e mbijetesës në Superiore, edhe Kukësi në vallen e

Në Kategorinë Superiore ka një rivalitet të shprehur në zonën e kreut, ku pesë skuadra pretendojnë të fitojnë titullin. Është Vllaznia, Teuta, partizani, Laçi dhe Tirana e futur së fundmi që do të rivalizojnë deri në fund për trofeun. Duhet thënë se diferenca është e ngushtë, vetëm me 2 pikë, kurse Tirana që është një çikë më larg është 5 pikë larg kreut. Pra rivaliteti për titullin garanton ndeshje cilësore dhe emocione deri në fundin e garës. Por rivalitet nuk ka vetëm për kreun në zonën e sipërme të tabelës por edhe në pjesën e poshtme të saj. Janë disa skuadra që shpresojnë t’i ikin fundit e të mbijetojnë në Superiore. Apolonia është skuadra më e rrezikuar deri tani. Ishte dhe Skënderbeu, por korçarët kanë fituar 4 nga 5 ndeshjet e f undit dhe janë futur në vallen e “mbijetesës”, të paktën për një vend në “play-out”. Janë katër skuadra që dëshirojnë t’i ikin sa të mundin fundit: Skënderbeu, Bylis, Kastrioti e tash së fundmi edhe Kukësi. Janë dhe 10 javë garë deri në fund dhe në këto 10 xhiro të mbetura mund të ketë surpriza të mëdha. Kukësi po zhgënjen në vijimësi. Kështu në 5 takimet e fundit ka 3 humbje e 2 barazime, pra vetëm dy pikë, shumë pak për një skuadër që e nisi sezonin si pretendente. Ekipet rivale për mbijetesë janë paraqitur më mirë. Skënderbeu ka siguruar 9 pikë në 5 ndeshjet e fundit, prandaj është afruar ndjeshëm. Kastrioti ka siguruar 5 pikë në 5 ndeshjet e fundit, një ecuri e stabilizuar, por jo aq mirë. Kurse Bylisi ka siguruar 8 pikë në 5 ndeshjet e fundit, duke bërë gjithashtu progres. Madje më mirë se Kukësi është paraqitur edhe Apolonia e vendit të fundit me 3 pikë në 5 ndeshje. Lufta do të bëhet për t’i ikur tre vendeve të fundit, ku dy të rrëzojnë nga kategoria, e një tjetër pozicion të çon në “play-out”. Këtë pozicion synon ta evitojë Kukësi, por nuk besohet e verilindorët mund të bien më poshtë se kaq, pasi kanë 32 pikë, plot 15 pikë më shumë se Apolonia dhe 10 pikë më shumë se Skënderbeu i vendit të parafundit. Por Bylisi dhe Kastrioti janë afër dhe mund ta parakalojnë Kukësin nëse i fitojnë duelet direkte në fazën e katërt. Në këto rrethana, Kukësi rrezikon mjaft të futet në rrugën e mbijetesës.

Skënderbeu ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit, ka shpresë mbijetese

Ndërkohë që Kukësi po vuan dhe po sheh t’i rrëshqasin pozitat e forta në kampionat, një ecuri e padenjë për një skuadër që ka shumë kualitete në gjirin e saj, në kampin tjetër rivalizues, në Korçë, Skënderbeu po merr pikë të rëndësishme për mbijetesën. Trajneri Migen Memelli e morri drejtimin e Skënderbeut pas javës së 17-të dhe deri në atë çast skuadra kishte fituar dy ndeshje, por në 9 takime nën drejtimin e pogradecarit në Superiore, kanë ardhur më shumë fitore se sa në gjithë pjesën tjetër të kampionatit. Skënderbeu ka fituar 3 ndeshje dhe vijon të luftojë për të qëndruar në elitë, në një kohë që mposhti Dinamon në çerekfinalet e Kupës, duke arritur mes 4 më të mirave në kompeticionin e dytë kombëtar. Thuajse pas çdo ndeshjeje kishte një thirrje për lojtarët e tij për të mos u dorëzuar dhe me sa duket futbollistët e kanë dëgjuar trajnerin e tyre. Në 5 ndeshjet e fundit, duke përfshirë edhe Kupën, Skënderbeu ka fituar 4 dhe të paktën shifrat i shkojnë përshtat atij ekipi të artë që fitoi gjithçka. Rruga drejt mbijetesës është e vështirë sepse distanca me zonën “play-out” është 4 pikë dhe për fatin e keq të bardhekuqve, ecuria e tyre shumë e mirë përkoi edhe me performancat tej mase pozitive të Bylisit, gjithsesi ky Skënderbe me lojtarë të rinj në moshë meriton respekt për shpirtin luftarak, për dëshirën për të mos u dorëzuar edhe atëherë kur u duk se fati ishte i shënuar për atë ekip që shkroi historinë me dy pjesëmarrje në grupet e Europa Leagues.