BREAKING NEWS

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas ‘bombën’ live nga spitali ‘Shefqet Ndroqi’: Ministria po gënjen!

‘Pacientët nuk ushqehen dhe as higjenizohen’ gazetari plas
x

Sport

Gatuzo i lutet Hysajt: Qëndro, je i rëndësishëm në skemat e Napolit

Gatuzo i lutet Hysajt: Qëndro, je i rëndësishëm në

Lojtarët e Kombëtares po tentojnë të mbyllin me sukses sezonin aktual, të bindur se kanë aftësi për të marrë notë maksimale e njëherësh për të parë opsionet më të mira në treg për sezonin në vijim. Ka lojtarë të tjerë që janë duke shqyrtuar mundësitë konkrete e një prej tyre është kapiteni Elseid Hysaj, kalimi i të cilit tek Roma nuk është mohuar asnjëherë edhe në shtypin sportiv italian. Pra Hysaj kërkon të largohet nga Napoli, si duket i pakënaqur për trajtimin e tij gjatë dy sezoneve të fundit. Por javët e fundit ai ka luajtur rregullisht titullar dhe kjo është një kthesë e fortë që ka bërë Napoli e veçanërisht trajneri Gatuzo, i cili po i jep besim shqiptarit. Madje ditët e fundit në mediat italiane ai ka shprehur simpati, duke thënë se shqiptari është i i nevojshëm për skemat e tij taktike.

Situata dhe qëndrimi i Gatuzos

Ka disa qëndrime që e bëjnë çështjen e Hysajt krejtësisht të paqartë. Së pari trajneri Ivan Xhenaro Gatuzo, që e dëshiron lojtarin, pastaj presidenti De Laurentis, që e dëshiron qëndrimin, por është i hapur edhe për ofertat në adresë të tij, pra për të përfituar sa mundet, qëndrimi i menaxherit të Hysajt, që duket se anon për qëndrimin e lojtarit tek Napoli, si dhe qëndrimi i vetë Hysajt që është më shumë për largim dhe me gjasë Roma duket se e ka tunduar atë. Pra, dukej se kishte ardhur fundi i aventurës së Elseid Hysaj te Napoli, por gjërat po ndryshojnë me shpejtësi. Në fakt, në merkaton e kaluar, shkodrani provoi me ngulm të gjente një akomodim të ri, mirëpo në fund mbeti në Itali. Tashmë, mbrojtësi i kombëtares është në vitin e fundit të kontratës me Napolin dhe gjatë sezonit menaxheri i tij ka theksuar se do largohet. Aq më tepër kur Hysaj po kalonte një situatë të vështirë duke qenë se u shndërrua në një futbollist stoli. Por, me ardhjen e trajnerit Xhenaro Gatuzo, çdo gjë ndryshoi. Tashmë, mbrojtësi ka fituar besimin e Gatuzos, i cili e vlerëson. Në këto kushte, tashmë ka nisur të flitet për një rinovim, kuotat e të cilit po rriten çdo ditë e më shumë. Së fundmi, mediat italiane bëjnë të ditur se klubi i ofron Hysajt një rinovim trevjeçar dhe se po pret një përgjigje nga ana e futbollistit, por pa i bërë presion. Tashmë, mbetet për t’u parë se cilin opsion do të zgjedhë shkodrani.

Edi Reja e këshillon të qëndrojë

E ndërsa në Itali diskutojnë do të rrijë apo do të largohet, duket se shkodrani ka kërkuar kohë për të vendosur dhe po reflekton në lidhje me të ardhmen e tij. Gjatë kësaj kohe nuk do të mungojnë këshillat dhe një prej tyre vjen nga Edi Reja, trajneri i kombëtares sonë. Ai shprehet se do të ishte i lumtur nëse Hysaj qëndron te Napoli dhe evidenton përmirësimin e mbrojtësit gjatë kohëve të fundit, kur Gatuzo i ka dhënë besim dhe e ka aktivizuar rregullisht. “A jam i kënaqur nëse Hysaj qëndron në Napoli? Po, natyrisht. Më parë ai e kishte humbur besimin, por tani e ka gjetur sërish dhe po gëzon një ecuri pozitive. Hysaj është kapiteni im dhe kam shumë besim tek ai. Me kombëtaren ai bëri një gol të bukur, me driblim dhe një tunel vërtet të çmendur. Unë nuk po u besoja syve dhe i thashë: ‘Çfarë ka ndodhur me ty?’. Është e rëndësishme që ai të luajë dhe të bëjë mirë. Hysaj po i përgjigjet pozitivisht stimujve të ardhur nga trajneri Gatuzo, me të cilin po bëhet akoma e më i mirë”, u shpreh tekniku i kombëtares kuqezi. në fakt, opër Rejën, qëndrimi i Hysajt tek Napoli nënkupton përforcim të pozitave të tij në formacion dhe njëherësh mbajtjen e ekuilibrave në Kombëtare pasi shkodrani është shndërruar në lider të grupit, për më tepër kapiten i skuadrës përfaqësuese.