BREAKING NEWS

SPAK merr vendimin e papritur, rrëzon OFL-në dhe heq sekuestron për 48 pasuri: U bllokuan në kundërshtim me ...

SPAK merr vendimin e papritur, rrëzon OFL-në dhe heq sekuestron
x

Sport

Gatuzo takon De Laurentis: Hysaj i rëndësishëm për mua, t’i rinovohet kontrata

Gatuzo takon De Laurentis: Hysaj i rëndësishëm për mua,

Elseid Hysaj vijon të jetë në faqet e para të shtypit italian, jo për ndonjë arritje në fushën e lojës, sesa si objektiv merkatoje, pasi raportet e tij me Napolin duket të jenë ende të ftohta dhe me gjasë shqiptari po pret mundësinë e madhe për tu larguar dhe kaluar në një klub tjetër, pse jo edhe jashtë Italisë. Madje pak ditë më parë ishte vetë menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi, i cili konfirmoi për mediat se i kishte bërë të qartë presidentit De Laurentis nevojën për largimin e mbrojtësit shqiptar, duke i gjetur dhe zëvendësuesin (pasi Napoli me këtë e mbante “peng” lojtarin, duke thënë se nuk kishte një tjetër zëvendësues). Në këto rrethana, Xhiufredi kishte hapur rrugën e largimit të Hysajt në qershor dhe për këtë qëllim kishte përmendur në shtyp edhe opsionet e transferimit drejt Premier League ose në klube të tjera italiane. Për të evituar ndonjë keqkuptim, duket se fund kësaj katrahure mbi të ardhmen e futbollistit i ka dhënë vetë trajneri Rino Gatuzo, i cili ka takuar De Laurentisin për t’i kërkuar që të mos e lërë të lirë shqiptarin Hysaj, me idenë që mbrojtësi ka cilësi dhe i nevojitet në skemat e tij taktike për sezonet në vijim. Tashmë rrjedha e ngjarjeve në lidhje me Hysajn tek Napoli ka marrë një kthesë të papritur.

Rinovimi, me gjasë më bindës sesa largimi

Referuar edhe asaj që raportojnë mediat sportive, nuk përjashtohet mundësia që Hysaj të qëndrojë dhe veton për këtë e ka vendosur trajneri. “Kura “Gatuzo” ka funksionuar, i ka bërë mirë skuadrës dhe në veçanti mbrojtësin anësor shqiptar. Shkodrani ishte thuajse i larguar nga skuadra napolitane me Karlo Ançelotin trajner (vetëm tri ndeshje nga minuta e parë), ndërsa sot është kthyer pikë referimi në mbrojtje, aq sa Gatuzo e ka aktivizuar titullar në 9 nga 13 takimet e zhvilluara”, shkruan “Supersport”, duke iu referuar medieve sportive italiane. Një vlerësim që mund të ndryshojë gjithçka, edhe të ardhmen e 26-vjeçarit kuqezi, që me Gatuzon ka rigjetur aktivizimin në vazhdimësi dhe sigurinë, pas një periudhe kur ishte i lënë mënjanë nga Ançeloti. Sipas “Il Mattino”, klubi i Napolit po mendon rinovimin e kontratës me shkodranin, me praninë e të cilit në formacion skuadra ka më shumë ekuilibra në fushë. Në analizën e “Il Mattino” shkruhet se nuk është e lehtë sot të gjesh në treg një anësor cilësor me vlerë 20-25 milionë euro (kaq vlerësohet Hysaj) dhe pas marrëdhënieve të ngrira gjatë verës së kaluar, duket se po shkohet drejt rinovimit të kontratës, me aktualen që përfundon në verë të vitit të ardhshëm. Nëse Napoli nuk e zgjidh çështjen e Hysajt pa nisur sezoni i ri, mund ta humbasë pas një viti me parametër zero.

Memushaj, me maskë në fushë, por s’e la gjyqtari

Ditën e djeshme ka filluar të luhet futboll në Itali pas disa javësh, megjithëse pa tifozë. Një episod shumë i veçantë ka ndodhur para se të niste ndeshja mes Peskarës dhe Beneventos. Skuadra e Memushajt kanë tentuar të marrin masa drastike për të evituar marrjen e koronavirusit nga kundërshtarët e tyre. Memushaj me shokë kanë vendosur të zbresin në fushën e lojës të pajisur me maska. Ata kanë kërkuar që të luajnë me maska të vëna, por gjyqtari ka vendosur të mos i lejojë ta bëjnë këtë. Pas ndeshjes, që Benevento e fitoi thellë ndaj Peskarës me rezultatin 4-0, klubi bardhekaltër ka konfirmuar se donte të hynte në lojë me maska në fytyrë për të parandaluar përhapjen e virusit në rast të ndonjë lojtari të infektuar. “Të shqetësuar për shëndetin e lojtarëve tanë dhe të atyre kundërshtarë, klubi mori vendimin që djemtë të zbresin në fushë të pajisur me maska. Ata u hoqën pasi u urdhërua nga arbitri kryesor për faktin se ato nuk përfshihen në rregullore”, shkruhet në deklaratën e klubit.