BREAKING NEWS

Italia vazhdon të thyejë koronavirusin ,1109 të shëruar dhe 2107 të infektuar

Italia vazhdon të thyejë koronavirusin ,1109 të shëruar dhe
x

Sport

Gentian Muça: Dueli me Kukësin vendimtar, kush fiton afrohet me titullin

Gentian Muça: Dueli me Kukësin vendimtar, kush fiton afrohet me

Tirana dhe Kukësi do të përballen të premten midis tyre në kuadër të javës së 23-të të Kategorisë Superiore, ku për herë të parë në këtë sezon përplasen dy skuadrat e kreut dhe padyshim që kjo ndeshje pritet me interes sepse ka peshë në fatet e sezonit aktual. Natyrisht, Kukësi është në vend të parë me një pikë më shumë, por Tirana dëshiron të shfrytëzojë momentin e saj të mirë për të marrë kreun dhe besohet se me një fitore në duel direkt do t’ia dalë të udhëtojë e qetë drejt titullit, pra mund të hedhë një hap të madh përpara drejt objektivit sezonal. Në krahun përballë qëndron Kukësi, një skuadër me ambicie për titull, si dhe me një trajner me përvojë si Shpëtim Duro, i cili e njeh mirë Superioren dhe mentalitetin e futbollit shqiptar. Në kuadër të kësaj ndeshjeje, ka folur mbrojtësi i Tiranës, Gentian Muça, i cili beson se Tirana do ta fitojë këtë duel, i cili luhet në “Air Albania Stadium”. Në fakt, seria e 9 fitoreve radhazi tek Tirana përfundoi pas barazimit 1-1 me Skënderbeun, që nga jashtë u perceptua një ndjenjë zhgënjimi e cila gjeti konfirmim edhe në fjalët e presidentit Halili. Megjithatë nuk ka vend as për dramë e as për fytyra të ngrysura, përkundrazi në raste të tilla herët e vonë do të vij çasti kur do të duhet të kënaqesh me një barazim. Por për Muçën ky barazim nuk ndikon në performancën dhe rezultatet në vijim të Tiranës. “Nuk do të thotë asgjë, pasi më parë kemi barazuar edhe me skuadra që tashmë e kanë prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Ne e prisnim që një ditë do të ndaleshim dhe fakti që kjo erdhi pas 7 apo 8 fitoresh, do të thotë që nuk duhet përjetuar si dramë”, tha Muça. Dueli i së premtes pritet të ketë rëndësi për objektivat sezonale të të dy ekipeve dhe Muça është i vëmendshëm në përgjigjet e tij. Vetë 32-vjeçari nuk e konsideron të tillë, megjithëse ekipi që do ti marrë maksimumin atij dueli do të ketë një bonus të madh në garën për trofeun. “Mendoj se është shumë herët për të thënë vendimtare për fatet e sezonit, por kjo ndeshje do të jetë një test për të dyja skuadrat dhe ajo që do dalë më mirë, do jetë favorite kryesore për titullin”, shtoi futbollisti kryeqytetas.

Dy humbje me Kukësin rëndojnë mbi supet e Tiranës

Tirana nuk ka eksperiencë të mirë me Kukësin gjatë këtij sezoni, nisur nga rezultatet e dobëta në përballjet direkte. Dihet që në dy fazat e para bardheblutë janë gjunjëzuar përballë Kukësit, por ndeshja nuk i ngjan ndeshjes, ndërkohë që vlerësimi i qendërmbrojtësit Muça për blutë verilindorë është në shkallën më të lartë. “Në “Elbasan Arena” kemi qenë ne dominuesit, ndërsa në ndeshjen tjetër kemi qenë në avantazh, por më pas patëm probleme me dy lojtarët kryesorë. Ekipi i Kukësit është mjaft i mirë dhe ne e respektojmë, por më tepër do të respektojmë veten tonë”, nënvizoi Muça. Do të luhet në “Air Albania” me Kukësin pritës, megjithatë gjasat janë të shumta që Tirana të ndjehet në shtëpi shumë më shumë se kundërshtari, kjo për shkak të dashurisë që tifozët kanë kundrejt skuadrës së tyre. “Sigurisht që do të ketë më shumë tifozë të Tiranës në shkallët e stadiumit dhe ky është një bonus për ne, pasi kemi gjithmonë përkrahjen në numër të madh të fansave bardheblu”, theksoi më pas mbrojtësi bardheblu. Titulli kampion mungon nga viti 2009, jashtëzakonisht shumë për një klub që e kishte të vështirë të pranonte vendin e dytë për më shumë se një sezon. a do të rikthehen bardheblutë tek titulli, përgjigjen e jep një person i cili ka kaluar pengesa më të mëdha duke u bazuar tek besimi e shpresa. “Shpresa nuk vdes kurrë dhe shpresoj që të bëhemi të gjithë bashkë, që kjo gjë të realizohet”, përfundoi mbrojtësi Gentian Muça. Duhet thënë se të dyja skuadrat kanë apeluar tek tifozeritë e tyre që të jenë të shumtë në numër në shkallët e stadiumit kombëtar, “Air Albania”, të premten më 21 shkurt.