BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Sport

Gjasula me peshë në projektin e ringjitjes së Hamburgut, Abrashi ende i dëmtuar tek Bazeli

Gjasula me peshë në projektin e ringjitjes së Hamburgut, Abrashi

Lojtarët e Kombëtares janë kthyer që në fund të marsit pranë skuadrave të tyre europiane, ku dëshirojnë të kapin ritmin e kërkuar të kampionateve respektive dhe të kenë shansin të tregojnë vlerat e tyre më të mira sportive. Por ka dhe futbollistë që nuk po kalojnë momente të mira, për shkak dëmtimesh dhe natyrisht një pjesë janë humbur edhe ndeshjet e sezonit për shkak të dëmtimeve që pësuan në ndeshjet e Kombëtares. Një prej tyre është mbrojtësi Marash Kumbulla, i cili u dëmtua në takimin kundër Andorrës dhe pasi bëri testet u zbulua që ka një dëmtim në menisk dhe tani i duhet të pushojë për shumë javë, pra ka humbur duelet e këtij edicioni. Ndërkohë, edhe Ledian Memushaj pritet të humbasë krejt ndeshjet e sezonit aktual, pasi ka pësuar një dëmtim dhe do të detyrohet të shkojë në operacion. Rikuperimi zgjat shumë dhe Memushaj do të jetë në dilemën të kthehet apo jo të luajë futboll aktiv kur të dalë nga situata e riaftësimit në verë. Nga ana tjetër, dy mesfushorë që kanë bërë emër në Gjermani, Klaus Gjasula dhe Amir Abrashi, po kalojnë momente të ndryshme të karrierës së tyre. Gjasula po tenton të jetë lider i Hamburgut dhe me ambicie për t’u kthyer nga liga 2 në ligën e parë gjermane (Bundesligë), kurse Abrashi la në janar Frejburgun dhe u bë pjesë e Bazelit në Zvicër. Por rezultoi i pafat pasi u dëmtua dhe mungon prej shumë javësh, madje mundoi dhe në grumbullimin e Kombëtares në ndeshjet kualifikuese të Botërorit që u zhvilluan në fund të muajit mars.

Gjasula me peshë në projektin e rikthimit të Hamburgut në elitë

Fundi i këtij sezoni sheh Klaus Gjasulën, mesfushorin e përfaqësueses shqiptare, që të jetë në garë për kthimin e shpejtë në Bundesligë. Hamburgu i tij, për të tretin vit radhazi kërkon kthimin në elitë e për këtë arsye përforcoi në verë skuadrën me lojtarë që dinë si është të luftosh për këtë objektiv, duke afruar edhe futbollistin shqiptar nga radhët e Paderborn. Për t’u siguruar që lojtarët të ishin të motivuar përtej objektivit sportiv, Hamburgu u ka vendosur edhe bonuse të rëndësishme për ngjitjen dhe pak javë para fundit të kampionatit, kur mbeten vetëm 7 ndeshje për t’u luajtur, është mësuar se Gjasula luan për një çek prej 100 mijë eurosh. Kjo është shuma që është vendosur si klauzolë në kontratën e tij nëse ekipi arrin të sigurojë ngjitjen në Bundesligë, ndërsa mund të ketë edhe rishikim të parametrave financiarë të rrogës së tij në elitë. Hamburgu aktualisht mban vendin e dytë në renditje, që të çon automatikisht në Bundesligë, duke lënë pas me golavarazh Grojter Fyrthin e Mërgim Mavrajt pasi kanë pikë të barabarta, ndërsa të dy ekipet janë në ndjekje të Bohumit që është i pari me 4 pikë diferencë.

Mesfushori/ Abrashi ende në rikuperim tek Bazeli

Mesfushori energjik Amir Abrashi ka një kontribut thelbësor në përfaqësuese prej të paktën 6 vjetësh. Atë e ftoi për herë të parë ish-trajneri Xhani de Biazi dhe “motori” shtatshkurtër i Kombëtares ia doli të krijojë një profil të suksesshëm duke qenë titullar në shumicën e ndeshjeve të mëdha të ekipit kombëtar. Ai operon mirë me mesfushorët e tjerë dhe është lojtar i preferuar për trajnerët sepse ka disiplinim taktik të nivelit të lartë dhe di të përshtatet mjaft mirë me situatat e lojës dhe në të dy fazat e saj, si në mbrojtje dhe në sulm. Me pak fjalë, Abrashi është lojtar polivalent dhe kjo i ka dhënë atij mundësinë të jetë lojtar i domosdoshëm për përfaqësuesen. Në fakt, ndeshjet e fundit ai mungoi pasi është i dëmtuar. Kalimi tek Bazeli ishte i bujshëm, në një farë mase për të mbyllur karrierën, por një dëmtim e shokoi dhe tani do t’i duhet të rikuperohet. Kujtojmë që dëmtimet e kanë penalizuar shumë atë gjatë viteve të fundit, madje pak vite më parë qëndroi për gati një vit pa luajtur si pasojë re një dëmtimi shumë të rëndë. Gjithsesi, nëse do të rikuperohet shpejt dhe do të fitojë vend titullari me Bazelin, ai do ta ketë të garantuar ftesën në Kombëtare, pasi është futbollist që jep maksimumin e tij për ngjyrat kuqezi dhe lojtar që pëlqehet nga trajneri Edi Reja.