BREAKING NEWS

“Ky është problem”, Artan Hoxha zbardh detaje nga videoja ‘bombë’ që disponon për zyrtarin e lartë: E kanë kapur 'mat' duke...

x

Sport

Gjasula “regjisor” në Bundesligë, Cikalleshi në kërkim të ditëve të mira

Kombëtarja nuk i realizoi objektivat e saj në kualifikueset e Kampionatit Europian të vitit 2020, pasi zuri vendin e katërt në grupin H, pas Francës, Turqisë dhe Islandës, duke lënë pas vetëm Andorrën dhe Moldavinë. Nga grupi H shkuan në Europian vetëm dy vendet e para, pra Franca me Turqinë, ndërkohë që të tjerët do të fokusohen tani e tutje në kualifikueset e Botërorit të Katarit të vitit 2022, pa harruar ndeshjet e Ligës së Kombeve në vijim. Kuptohet, asgjë nuk është e lehtë, por as e pamundur, por problemet e skuadrës kuqezi janë të dukshme, sepse grupi nuk ka cilësi të mjaftueshme dhe shpesh lojtarët nuk kanë vijimësi në performancën e tyre, duke bërë që kjo të ketë ndikim negativ edhe në ecurinë e lojës e të rezultateve të skuadrës përfaqësueses. Sidoqoftë, me ardhjen e trajnerit Edi Reja disa gjëra kanë ndryshuar për mirë, ka një përpjekje për stabilizimin e grupit, të lojës së tij, por edhe një ripërtëritje me elementë të rinj, ku ka afrime të shumë lojtarëve nga kampionatet e ndryshme europiane. Disa janë fare të rinj si Kamberaj e Miho, që s’kanë marrë ende minuta të mjaftueshme me fanellën kuqezi, por ka ca të tjerë që kanë vetëm pak muaj si të ftuar dhe kanë zënë formacionin, të tillë si mesfushorët Keidi Bare dhe Klasu Gjasula. Padyshim që ky është një moment reflektimi për skuadrën, por edhe për stafin teknik me në krye Rejën. Për momentin në Kombëtare askush nuk bën më mirë në repartin e mesfushës dhe ky është një fakt. Gjasula erdhi pa zhurmë dhe në fund është zgjedhje e parë e Rejës. Dhe ka spikatur në të gjitha ndeshjet, duke qenë sidomos i saktë në pasime dhe organizimin e lojës. Përfundimisht një bast i fituar në Kombëtare. Nga ana tjetër, mediat gjermane evidentojnë faktin se Gjasula është një prej lojtarëve më cilësorë të Padërbonit, duke qenë “regjisor” i skuadrës. Edhe pse ky ekip nuk ka pasur ecuri të mirë në kampionatin gjerman, performanca e shqiptarit ka qenë ndryshe nga të tjerët, sepse vazhdimisht në ,media cilësohet fakti që Gjasula bën diferencë. Një tjetër futbollist në qendër të vëmendjes ka qenë Sokol Cikalleshi, i cili nuk luajti për ekipin kuqezi në dy duelet e fundit të grupit H ndaj Andorrës dhe Francës, si pasojë e një dëmtimi. Edhe skuadra e tij turke e Akhisarsporit e ka vuajtur këtë, por lojtari po shkon drejt rikuperimit dhe besohet se në pak kohë do të japë kontributin e tij maksimal si tek ekipi turk, ashtu dhe në përfaqësuesen kuqezi. mosha e tij nuk është premtuese, por lojtari ka peshë në sulm për shkak të forcës fizike dhe mënyrës së lojës, pasi luan në hapësira të gjera dhe kjo e ka bërë atë më të efektshëm sesa Balaj. Ndoshta ngaqë Cikalleshi merr më shumë përgjegjësi edhe në fazën difensive të lojës, duke i shërbyer ekipit. Në çdo rast, si Gjasula dhe Cikalleshi do të jenë në projektin e Rejës për eliminatoret e ardhshme, si dy futbollistë që i duhen ekipit, pasi janë punëtorë.

Rashica flet sërish për Shqipërinë: Jemi me të

Milot Rashica është një prej futbollistëve shqiptarë që kanë shpërndarë në të gjithë Europën valën e solidaritetit dhe mbështetjes për viktimat e tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor. Dy golat e tij me Verder Bremen në kampionat ishin mesazhi më i mirë i solidaritetit, në një periudhë të vështirë të cilën ai ka pranuar se edhe vetë e ka përjetuar me shumë trishtim. “E kisha planifikuar të festoja ashtu pasi çdo ditë dëgjoja vetëm lajmet e këqija. Pas golit ishte një moment special për mua me një përzierje mes lumturisë dhe trishtimit. Situata në Shqipëri është me të vërtetë dramatike. Më shumë se 50 persona janë vdekur, shumë ndërtesa janë shembur. Shumë njerëz në Kosovë kanë hapur dyert për njerëzit nga Shqipëria. 20 vite më parë gjatë luftës, ata bënë të njëjtën gjë për ne. Tani ne mund të kthejmë diçka mbrapsht. Është mbresëlënëse ajo që po bëjnë njerëzit atje për njëri-tjetrin”, shpjegoi Rashica në një intervistë për mediat gjermane. I pyetur nëse edhe ai kishte dhënë kontributin e tij, Rashica konfirmoi se e kishte bërë një gjë të tillë e se gjithashtu do të mblidheshin ndihma edhe nga përfaqësuesja e Kosovës. “Po, unë kam ndihmuar gjithashtu, edhe si ekip kombëtar duam të bëjmë diçka bashkë. Donacione? Nuk duam të flasim shumë për këtë, por as nuk ka diskutim që ne do të bëjmë diçka për të ndihmuar”, tha Rashica.

Adriatik BALLA