BREAKING NEWS

“Ju lutem ngrijeni atë tra”, Rama i shkruan serbisht Vuçiçit, zbardhet mesazhi i fortë

“Ju lutem ngrijeni atë tra”, Rama i shkruan serbisht
x

Sport

Gjergj Ruli: Atletika shqiptare rezultate historike, me buxhet 50 mijë euro rivalizojmë vendet që investojnë 5 deri në 50 mln euro

Gjergj Ruli: Atletika shqiptare rezultate historike, me buxhet 50 mijë euro

Atletika shqiptare njohu në këtë start të vitit 2020 një shpërthim të pazakontë, pasi sportistët e saj kryesorë dominuan Kampionatin Ballkanik dhe Mitingun e Stambollit të mbajtur në Turqi, me rezultate të larta dhe me shumë medalje, duke dhënë sinjale të mira për objektivat vjetore e që kanë në fokus kualifikimin në Olimpiadën e Tokios. Luiza Gega e ka siguruar tashmë normën, por në vëmendje janë tre atletë, Izmir Smajlaj në kërcim së gjati, Franko Burraj në 400 metra, si dhe David Nikolli në 1500 m e 800 m. Për teknikun e Smajlajt, njëherësh presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, rezultatet e kësaj periudhe janë premtuese dhe pavarësisht se ai fokusohet më shumë tek sportisti i tij, beson se atletika mund të shkojë në “Tokio-2020” me të paktën tre sportistë. Ka shumë dyshime sigurisht, por shprehja “Jepi Çezarit atë që i takon”, duket se i shkon për shtat atletikës në këtë moment, pasi shumë rekorde janë thyer, medalje të shumta kanë ardhur, Olimpiada është siguruar, e të gjitha këto realizohen me një buxhet vjetor 50 mijë euro, shumë pak për “mbretëreshën” e sportit. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Ruli analizon avantazhet dhe disavantazhet e atletikës shqiptare në këtë vit olimpik.

Çfarë thotë Izmir Smajlaj?

Gjatë intervistës me kreun e FSHA-së, Gjergj Ruli, në bisedë ndërhyri dhe atleti Izmir Smajlaj, që ishte në stërvitje e sipër. Për gazetën “SOT”, Smajlaj u shpreh optimist për medalje në mitingun e Beogradit, por njëherësh paralajmëroi se surpriza të mëdha do të ketë edhe në Europianin e Parisit. Dashamirësit e sportit në përgjithësi dhe ata të atletikës në veçanti, duhet ta dinë që Smajlaj flet rrallë, por e mban fjalën. “Do të jem në garë (në Beograd) për të luftuar për normë olimpike. Gjendja ime është e mirë dhe shpresoj të realizoj objektivin për tu kualifikuar në Lojërat Olimpike të Tokios. Në Beograd zhvillohet një miting dhe unë kam ambiciet e mia për medalje. Por vëmendja më e madhe do të jetë në Europianin e Parisit. Ju siguroj se do të ketë surpriza të mëdha”, tha Smajlaj.

-Atletika pati rezultate impresionuese para pak ditësh në Ballkanikun dhe Mitingun e Stambollit, duke i sjellë vendit shumë medalje, por edhe rezultate inkurajuese në rrugëtimin e saj drejt Olimpiadës së Tokios. Meqë jemi në vit olimpik, si do t’i përkufizonit këto rezultate dhe a ka shanse reale që të shkojmë në Olimpiadë me më shumë se një atlet?

Periudha janar-shkurt rezulton të jetë produktive për ne në garat e sallave të mbyllura. Natyrisht, unë mund të flas shumë për të gjithë sportistët tanë që marrin pjesë në garat ndërkombëtare, por do të kem në fokus sportistin tim, që e stërvis vetë, Izmir Smajlajn. Në shkurt rezulton një muaj me rezultat në progres, pasi kapërcyem 7.90 m. Por rezultati më i mirë në këtë periudhë i përket garës së Beogradit dy vjet më parë. Ne do të jemi sërish në Beograd këto ditë dhe shkojmë për të thyer rekordin që kemi vendosur më parë. Janë disa centimetra më shumë për të shkuar deri atje, por sportisti është duke rikuperuar mjaft dhe unë besoj se do t’ia dalim. Me pak fjalë, jemi në rrugë të mbarë dhe unë ju siguroj që atleti Izmir Smajlaj është sportist i gatuar për kërcime që shkojnë në 8.30 ose 8.40 m. Dhe unë kam bindjen se në maj, e shumta në qershor, do të jemi në kufijtë e 8.30 metërshit.

-Ju shquheni si optimist i madh dhe shpesh ju mbulon euforia. Ku e bazoni entuziazmin tuaj?

Nuk jam aspak euforik, por jam trajner që ndjek ecurinë e sportistit. Optimizmi im bazohet në shpejtësinë, forcën dhe elasticitetin e atletit, pa harruar përgatitjen e lartë psikologjike të tij. Këta tregues janë në përmirësim, kështu që ne thjesht duhet të zbatojmë programin tonë stërvitor. Unë mendoj që me këtë ecuri Izmiri do të jetë në maj, më saktë më 5 maj, në kufirin e 8.20 m dhe ky rezultat do të jetë normal për të e jo i pazakontë.

-Problemi është i garave që kanë vlerë kualifikuese. Sa do të shfrytëzohen gara të tilla?

Të gjitha garat ku ne marrim pjesë kanë vlerë kualifikimi në Olimpiadë. Madje gara do të kemi edhe në Shqipëri pasi, siç e dini, federata jonë ka mundur të “licensohet” për shumë veprimtari ndërkombëtare. Ne do t’i shfrytëzojmë këto gara, jo vetëm Izmiri, por edhe atletët e tjerë, në mënyrë që të marrim maksimumin. Dhe shpresat i kemi të mëdha.

-Problemi i sportistit tuaj është se vjen nga një dëmtim jo i lehtë. A mund të quhet problem i tejkaluar?

Për momentin mund të them se jemi jashtë çdo rreziku. Për këtë shqetësim ne kemi kryer shumë vizita mjekësore dhe do të vijojmë të bëjmë të tilla në Itali, për të evituar çdo të papritur. Natyrisht, sportisti ndjen pak dhimbje kur është në nxemje, por më pas puna vijon normalisht. Ne po e ndjekim çështjen, po respektojmë këshillat e ortopedëve më të mirë dhe ju jap garanci që nëse nuk do të kemi ndonjë dëmtim të papritur, atleti do të jetë në kufijtë e rezultateve që ceka më lart, pra tek 8.30 m.

-E megjithatë, e vetmja që ka kapur normën olimpike deri më tani është Luiza Gega...

Luiza Gega është “bleta punëtore” e atletikës shqiptare. Ajo ka bërë një punë të madhe e të shkëlqyer me trajnerin e saj Taulant Stërmasi. Stërvitja që bëri në Kenia dha rezultate shumë të mira dhe i shërbeu asaj për garat e gjysmëthellësisë. Theu edhe rekord kombëtar dhe është në formë të mirë sportive. Ka ditur të shfrytëzojë garat dhe është në pozita të mira. Shpresojmë të ruajë këtë formë dhe të përmirësojë më tej rezultatet e saj. Luiza e ka siguruar kualifikimin dhe e parë kështu ajo ka një qetësi që e ndihmon për përgatitjen e saj larg presionit. Në fakt, mua nuk më vrasin normat olimpike, por Luiza Gega është sportiste e nivelit të lartë dhe po përgatitet për “Tokio-2020”. Në këtë kuadër dua të përmend edhe atletin Franko Burraj, për të cilin dëshiroj fort ta kapë normën në 400 metra, pasi ka pasur rezultate në përmirësim dhe shumë afër normës së kualifikimit. Ai garon në 200 dhe 400 metër, është super i talentuar, stërvitet rregullisht dhe rezultatet e tij janë në progres falë punës së tij dhe të trajnerit Bruno Rrotani. Rezultati i sportistit në 400 metërsh është 46.64’’, ndërsa në Olimpiadë shkohet me 45.70’’ që do të thotë se ai i ka mundësitë deri në verë ta përmirësojë rezultatin e tij e pse jo, të bëjë surprizën e madhe.

-Edhe David Nikolli ka pasur rezultate të mira. A ka ndonjë shans?

Davidi është atlet cilësor, por kohët e fundit ka pasur oshilacione. Natyrisht, është një sportist cilësor dhe do të marrë pjesë në garat që kanë vlerë kualifikuese, por në disiplinat e tij, 800 dhe 1500 m, e shoh të vështirë objektivin. Megjithatë, sportisti do të marrë pjesë në gara. Ai stërvitet në Itali prej 10 vjetësh, me trajner italian, por ne si federatë e ftojmë në gara në bazë të rezultateve. Por nuk është vetëm ai, pasi kemi dhe një sportist amerikan, Podesku, që ka shprehur dëshirën të përfaqësojë Shqipërinë në hedhjen e çekiçit dhe ka rezultate të larta. Ai ka origjinë shqiptare (nga Dibra), por së fundmi ka pasur probleme me letrat.

-Ne të gjithë e dimë që problemi i atletikës në Tiranë është mungesa e pistës. A ka menduar kush si ta zgjidhë këtë shqetësim?

Duhet, patjetër, por të flasim për ato që kemi. Së fundmi, me ndihmën e bashkisë së Tiranës, KOKSH-it dhe federatës, kemi një pistë me standarde në kërcimin së gjati dhe Izmir Smajlaj tani e tutje nuk do të shkojë deri në Elbasan për tu stërvitur. T’i çojmë përpara projekte të tilla që i japin frymëmarrje atletikës.

-Buxheti është “thembra e Akilit” për shumë federata sportive. Pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit gjërat janë vështirësuar në shumë drejtime. Në mungesë të fondit “Grant”, pse është kaq e vështirë të thithen sponsorë?

Janë thënë shumë gjëra rreth kësaj teme, por unë ju siguroj që rezultatet e larta do ta afrojnë biznesin tek atletika. Dhe ka shumë biznesmenë që janë gati t’i hedhin sytë nga “mbretëresha” e sporteve. Është mëkat që sportistë si Luiza, Izmiri e Franko nuk marrin mbështetje ekstra. Sepse garat e atletikës kanë audiencë të madhe, ky sport ka adrenalinë, ka emocion, nuk i zbehet vlera kurrë. Por, ju siguroj, edhe shteti dorëzohet para rezultateve. Nëse Izmir Smajlaj kap 8.30 metër atëherë ai merr vëmendje qeveritare. Çdo garë ka emocionet dhe vështirësitë e veta, por unë prirem të besoj se kërcimi është një garë shumë e ndërlikuar dhe e vështirë. Në fakt i dua të gjitha garat, prandaj kam kërkuar e vijoj të kërkoj mbështetje për sportistët e mi elitarë. Më thoni, a nuk e meritojnë një mbështetje të tillë Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj?

-Sa është buxheti juaj vjetor? A kemi ndonjë shifër?

Ende nuk është lëvruar dhe unë në këtë moment mund t’ju kujtoj se po shkojmë në turneun e Beogradit me portofolin tonë. Buxheti s’është shpërndarë ende, por mendoj se do të jetë dikur tek 70 mln lekë të vjetër. E di, do të thoni që ky nuk mjafton për asgjë, por ne do të shtrimë këmbët sa kemi jorganin.

-Kush janë, sipas jush, anët pozitive dhe negative të atletikës shqiptare?

Negative kemi mungesën e infrastrukturës, padiskutim, kurse pozitiv është fakti se kemi 4500 anëtarë dhe atletika është sporti prioritar, baza e çdo sporti tjetër. Kemi një kastë atletësh që po rivalizojnë me “yjet” e Europës, ndërkohë që vendet e tjera kanë buxhet dhjetëra milionë euro, si Itali me 45 mln euro, apo dhe vendet e rajonit që përfitojnë shuma të majme. Ne po rivalizojmë gjigandët e kontinentit me buxhet 50 mijë euro dhe me këtë buxhet kemi 3 medalistë.

-Në radhë janë garat e Beogradit. Çfarë dëshironi?

Së pari dua nga mediat, jo vetëm ato sportive, më shumë vëmendje për atletët tanë. Meqë po shkojmë në turneun e Beogradit, desha të falënderoj federatën serbe të atletikës, e cila na heq shpenzimet e akomodimit (ushqim dhe fjetje), kurse shpenzimet e transportit i bëjmë vetë. Duam të bëjmë një rezultat të mirë dhe bashkë me sportistin jam optimist se do t’ia dalim. Prej meje keni dëgjuar disa herë premtime rreth rezultatit të Izmirit dhe besoj fjalët e mia kanë dalë. Edhe këtë herë dua t’i siguroj dashamirësit e atletikës dhe fansat e atletit, se Izmir Smajlaj këtë vit do të kapërcejë 8.30 m dhe nëse nuk e kap këtë shifër atëherë unë nuk do të jem më trajner i tij. Me punë dhe besim, ne do t’ia dalim.