BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Gjergj Ruli: Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një pistë indoor, shpresojmë që problemet e atletikës të marrin zgjidhje në këtë 4-vjeçar

Gjergj Ruli: Ka ardhur koha që Shqipëria të ketë një

Atletika po vuan arritjen e një performance që do t’i jepte asaj me të drejtë dhe në mënyrë të merituar statusin “mbretëreshë e sporteve”. E megjithatë, atletika shqiptare, pavarësisht problemeve, ka mundur të sigurojë një rezultat të kënaqshëm në tërësi dhe spektakolar tek elementët elitarë, duke e bërë, krahas peshëngritjes, një sport me triumfe edhe në rang ndërkombëtar. Tani që po afron Olimpiada, Federata Shqiptare e Atletikës po fokusohet në përmbushjen e misionit të saj, ku ata më optimistët lakmojnë tre atletë pjesëmarrës, por më e pakta do të jenë dy, Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj, të cilët kanë rezultate të larta dhe mund ta radhisin Shqipërinë në garat e tyre në 8-shen më të mirë në botë. Rezultatet që prodhoi Kupa e Shqipërisë dy ditë më parë, dëshmojnë se të dy atletët ruajnë nivel të lartë dhe janë krenari e atletikës shqiptare. Ndërkohë, duke folur për gazetën “SOT”, kreu i Federatës Shqiptare të Atletikës, njëherësh trajneri i Izmir Smajlajt, Gjergj Ruli, siguroi se po bëhet më e mira që atletika të ruajë staturën e saj si sport me arritje, ndërsa apeloi tek drejtuesit e rinj në KOKSH, por edhe fituesit e zgjedhjeve (qeveria Rama), që të bëjnë më shumë në këtë katërvjeçar për atletikën shqiptare.

- Federata juaj organizoi Kupën e Shqipërisë dy ditë më parë. Çfarë prodhoi ky aktivitet dhe cilat kanë qenë konkluzionet tuaja pas garave?

Në kalendarin e veprimtarive tona vjetore është sigurisht edhe Kupa e Republikës, e cila këtë herë ishte me pjesëmarrjen e të rriturve por edhe të të rinjve. Pati garë në të gjithë disiplinat, me përjashtim të garës së kërcimit me shkop, që siç jeni në dijeni edhe ju nuk e zhvillojmë dot për shkak të mungesës së bazës materiale dhe kushteve në tërësi. Në tërësi jemi të kënaqur nga performanca e klubeve dhe e sportistëve, patëm edhe rezultate të mira e premtuese nga shumë elementë. Por garat e Kupës edhe këtë herë i dominoi atleti Izmir Smajlaj, që fiksoi një rezultat dukshëm në rritje mbi 8 m, duke na konfirmuar atë që kishim në objektiv, arritjen e një rezultati që e radhit atë ndër më të mirët në këtë disiplinë në Europë e në botë. Me rezultatin e arritur (8.02 m), Izmiri kapi 1148 pikë olimpike, diçka e lartë për atletikën tonë e për këtë jam i kënaqur. Një performancë fantastike bëri edhe atletja Luiza Gega, në 3000 m me pengesa, që siguroi gjithashtu një numër të lartë pikësh, me rezultat 9’29’’ që është afër rekordeve të saj. Në këto gara desha të përmend edhe performancën shumë të mirë të Franko Burrajt, në 200 e 400 m, gara që i bëri brenda ditës dhe kjo është e vështirë. Por rezultatet e tij ishin të mira. Nga të rinjtë desha të veçoj Eldi Valikaj, në kërcimin së gjati, që kapi rezultatin 7.45 m, rezultat i mirë për moshën e tij (19 vjeç). Edhe sportistët e tjerë iu paraqitën mirë dhe në tërësi jam i kënaqur. Mbi gjithçka jam i kënaqur me dy sportistët elitarë, Izmirin dhe Luizën që dëshmohen të qëndrueshëm dhe me ambicie të mëdha.

- Si qëndrojnë rezultatet në nivel klubesh?

Në nivel klubesh kupën tek femrat e fitoi Tirana, kurse tek meshkujt Vllaznia. Sigurisht, ju e dini, Vllaznia e meshkujve ka vite që e dominon kampionatin, pasi duhet pranuar që në Shkodër është punuar me atletikën, ky qytet ka qenë fidanishte e atletëve cilësorë, pra shkurt Vllaznia është “fabrikë” e atletikës.

- Sa ndikojnë bashkitë në këto rezultate, sepse shoh Tiranën që ka mbledhur sportistët elitarë jo vetëm në atletikë....

S’mund ta fshehim që kjo ka domethënien e vet. Bashkitë ndikojnë shumë në investim dhe kjo është me interes. Më së pari janë bashkitë që duhet të interesohen për ecurinë e sportit dhe rritjen e cilësisë sportive. Unë kam një rast qe e vërtetoj këtë, kur drejtoja në klubin “Dinamo”. Në vitin 2004, Dinamo dominoi shumësportëshin në rang vendi, duke qenë kampione në shumicën e disiplinave. Në atë kohë mbaj mend që thithëm më të mirët, të gjithë. Kishim sukses në sportet e forcës, në atletikë, në lojërat me dorë etj. Merrnim investim nga institucioni dhe natyrisht e shpërblyem me rezultate që në atë periudhë Dinamo i kishte shumë të larta. Dua të them që shembujt pozitivë gjenden dhe e kanë dëshmuar veten me kohën.

- Olimpiada po afron, atletika ka vetëm një sportiste të kualifikuar me normë, Luiza Gegën. Nuk e di çfarë keni menduar për atletin tuaj Smajlaj, pasi shkurtimi i kohës pakëson mundësitë e kualifikimit. A do të jetë Izmir Smajlaj në Lojërat Olimpike të Tokios?

Unë e kam thënë shpesh dhe e përsëris që Izmir Smalaj s’ka nevojë për ftesë për të shkuar në Olimpiadë, ai e arrin këtë me normë olimpike, pasi unë ia di kapacitetin në kërcimin së gjati. Natyrisht që ka edhe ftesë dhe kjo mund të shfrytëzohet, por jam i bindur që sa kohë do të ketë gara para dhe e ka potencialin, do ta arrijë këtë me normë olimpike. Izmir Smajlaj është maja në sport dhe nuk është sportist dosido. Unë besoj se janë pjekur kushtet që ai tani të shkojë në rezultatet që i ka mundësitë dhe kam bindjen se ai mund të radhitet në top-8 më të mirët e botës. Ky do të ishte një ogur i mirë për kryeqytetin, për Vllazninë që e ka prodhuar si talent, për mua si trajner e për të gjithë sportdashësit. Sa i takon Luizës ajo dihet tashmë që ka arritur nivel shumë të lartë dhe ç’ka e bën akoma më inspiruese modelin e saj si atlete është qëndrueshmëria në rezultate. Është nga xhevahirët e rrallë të atletikës tonë. Dua të veçoj dhe Franko Burrajn e ishalla ndodh mrekullia që në kohën që ka mbetur të bëhet sportisti i tretë që çojmë në Olimpiadë nga atletika, megjithëse kjo duket shumë e vështirë. Rreth tij nuk jam në brendi dhe s’mund të them më shumë, por rezultatet në 400 m kanë nevojë të thellohen. Sidoqoftë, të shohim në vazhdim. Unë prandaj fokusohem tek Izmiri, pasi duke e stërvitur e di kapacitetin e tij.

- Duhet të flasim të vërtetën rreth disa problemeve që prekin atletikën shqiptare në tërësi e në kryeqytet në veçanti. Më parë, në stadiumin “Qemal Stafa” atletika kishte pistën. E mirë apo e keqe, me apo pa standarde, ajo i plotësonte në një farë mase kushtet për stërvitje dhe gara. FSHF ndërtoi aty stadiumin e ri, por pa pistë. Ajo pistë që ishte premtuar për ju diku tjetër, deri më sot nuk është ndërtuar. Edhe pse ju, për shkak të pozicionit dhe njëherësh urtësisë tuaj nuk e përmendni, kjo ka qenë një tradhti e institucioneve (të sportit kryesisht) karshi atletikës. Nuk e di si do ta zgjidhni këtë situatë , sepse atletika jo vetëm e meriton, por është domosdoshmëri të ketë pistën e saj...

Nuk është vetëm pista që na mungon sepse u prish stadiumi i vjetër, por edhe ambienti që është tek Parku Olimpik nuk ka hapësirë për atletikën, sepse gjysmën e ka marrë futbolli e gjysmën sportet e tjera. Para pak ditësh komuniteti i sportit bëri zgjedhje në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, ku u zgjodh president Fidel Ylli. Unë kam bërë debatet e mia dhe kam propozuar idetë e mia për zbatim. Atletiko nuk është sport vetëm “ec e vrapo”. Ky sport kërkon investime, kërkon bazë materiale, kërkon strategji zhvillimi. Ju duhet ta dini se atletika, krahas notit dhe gjimnastikës, është nga sportet prioritare në Komunitetin Europian. Tani që drejtimi i KOKSH-it dhe qeveria janë në të njëjtin krah, shpresojmë që në këtë katërvjeçar të marrim vëmendjen e duhur. Ne do të insistojmë fort jo vetëm për një pistë atletike në Tiranë, por së pari edhe për një pistë indoor, pasi i duhet vendit tonë një pistë që të jetë edhe për në dimër, siç e kanë vendet e rajonit. Atletika është sport që nxit përmirësimin e shëndetit por jo agresivitetin. Sporti është ai që i mban njerëzit larg “ofiçinës” së bluzave të bardha. Në këtë projekt, përveç KOKSH-it, e sigurisht qeverisë, është dhe Bashkia e Tiranës, e cila mund të na ndihmojë në këtë nismë, për një pistë indoor (pistë atletike e sallave të mbyllura). Ndoshta kryebashkiaku Veliaj, që do të jetë me ne në Tokio, do ta kuptojë dhe jam i sigurt që kur të shohë nevojat e sportit dhe arritjet e sportit të kuptojë rëndësinë themelore që ka atletika shqiptare për një pistë moderne dhe për shumë investime të tjera. Sepse investimi në atletikë është më së pari investim në shëndet.

Intervistoi: Adriatik BALLA