BREAKING NEWS

'Luftë' për PD-në/ Lulzim Basha i përgjigjet 'dhëmbë për dhëmbë' Sali Berishës pas akuzave të rënda që bëri nga Fieri: Kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë!

'Luftë' për PD-në/ Lulzim Basha i përgjigjet
x
BREAKING NEWS

“Po dëgjohen tringëllima prangash”, Frrok Çupi nxjerr prapaskenat e rënda dhe plas paralajmërimin ‘bombë’ për politikanët shqiptarë: Janë kapur në krimin e...

“Po dëgjohen tringëllima prangash”, Frrok Çupi
x
BREAKING NEWS

Ambasada e SHBA thërret deputetët demokratë për dosjet korruptive të Sali Berishës, zbardhen informacionet nga takimet

Ambasada e SHBA thërret deputetët demokratë për dosjet
x
BREAKING NEWS

Artan Hoxha zbardh goditjet e SPAK, priten arrestime ish-ministrash dhe funksionarësh në nivele të larta, në listë edhe Berisha

Artan Hoxha zbardh goditjet e SPAK, priten arrestime ish-ministrash dhe
x

Sport

Gjergj Ruli: Medaljet olimpike nuk vijnë me 1 e 2 muaj grumbullim, na duhet modeli italian i financimit olimpik

Gjergj Ruli: Medaljet olimpike nuk vijnë me 1 e 2 muaj grumbullim, na duhet

Shqipëria nuk arriti të marrë medalje olimpike as këtë vit, ku para pak javësh u zhvilluan Lojërat Olimpike Verore në Tokio të Japonisë. Shqipëria mori pjesë me 9 sportistë, të cilët patën rezultate të kënaqshme, madje në aspektin individual përparim, por mungesa e medaljes e zbeh përfaqësimin olimpik të Shqipërisë. Krejt e kundërta me Kosovën, e cila falë sportisteve cilësore të xhudos, merr medalje të arta olimpike në dy olimpiada radhazi. Përtej aludimeve dhe kritikave që bëhen shpesh, sikurse ndodh pas çdo olimpiade, duket se Tokio-2020 do të shërbejë si sinjal për politikbërësit të ndryshojnë mënyrën se si duhet konceptuar sporti. Po përflitet modeli italian i menaxhimit olimpik, i cili dha sukses në Tokio, pasi Italia pati shpërthim në disa sporte. Kështu mendon kreu i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, i cili është njëherësh trajner i atletit të kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj. Në intervistën për “SOT”, Ruli tha se Shqipërisë nuk i mungojnë talentet, por ajo nuk ka ende kushte për të qenë kompetitive në evenimente të tilla të mëdha të sportit dhe politikës sportive në botë.

- Lojërat Olimpike treguan dhe një herë dobësinë e sportit shqiptar. Nuk është fjala për rezultatet dhe renditjet individuale, pasi ato patën përmirësim nga e shkuara, por Shqipërisë i mungon një medalje olimpike dhe kjo është shqetësuese. Si do ta përkufizonit performancën e delegacionit sportiv shqiptar në Tokio-2020?

Unë kam në sport 20 vjet si drejtues dhe trajner atletike por kjo është hera e parë që pjesëmarrja në Olimpiadë ka qenë më dinjitozja, më organizuara dhe më e kompletuara edhe nga baza materiale e gjithçka. Para se të flas për performancën tonë, më duhet të citoj kryeministrin Rama, në takimin që pati me ne para se të shkonim në Olimpiadën e Tokios, pra me rastin e përcjelljes tonë: “Medaljet atje janë, ne do të luftojmë për to, por mbi gjithçka, rëndësi ka pjesëmarrja”. Parë në këtë vijë, pretendimet tona ishin tek shtanga, gjimnasti rus dhe natyrisht Izmiri. Para se të niseshim unë kisha thënë se pretendimet janë për rezultat që afrohej me rekordin kombëtar, 8.16 m. Nëse ky rezultat do të ishte kapur në garën e tij, do ta rendiste atë në vendin e 4-t në Olimpiadën e Tokios. E habitshme, por edhe në ditën e finales, rezultatet, shumica e tyre, ishin nën 8 metra dhe me rezultatin e Izmirit, ai sërish do të ishte në 8 më të mirët. Pse nuk ia dolëm? Sepse nuk morëm parasysh bioritmin atletik, pra mungesën e përshtatjes me kushtet e Tokios dhe orarin atje. Ne nuk e vlerësuam sa duhet këtë aspekt. E dyta ne nuk patëm fatin të bënim një seancë përgatitore në stadiumin ku u zhvilluan garat, kjo do të na ndihmonte shumë me pedanën. Kjo na solli pasiguri në kërcim. Së treti, patëm një kërcim mbi 8 m, por ishte faull e në fund ndodhi ajo që ndodhi. Mund të konstatoj se grumbullimet një e dy mujore janë të pamjaftueshme. Për t’u përgatitur për një Olimpiadë duhen të paktën 3-4 vjet. Nëse ne duam të shkojmë me pretendime në Lojërat Olimpike të vitit 2024, atëherë duhet të nisim që tani grumbullimet dhe përgatitjet serioze. Në Shqipëri kjo është e vështirë të realizohet, pasi ne nuk kemi kushte.

- E megjithatë, Shqipëria u kthye nga Tokio-2020 pa asnjë medalje...

Medalja është edhe çështje fati. Nuk dua të zbeh suksesin e Kosovës, por nuk krahasohet konkurrenca e xhudistëve me nivelet e atletikës dhe konkurrencën në garat e atletikës, që janë nivel shumë i lartë botëror, ku përplasesh me superfuqitë e sportit si Kinën, SHBA-të dhe vendet e tjera të mëdha e të zhvilluara. Në shtangë ne ju afruam ndjeshëm, vetëm 1 kg larg, por janë disa detaje që bëjnë diferencë në nivele të tilla përfaqësimi, si mungesa e doktorit psikolog, aq i domosdoshëm, fizioterapisti për çdo sportist etj. Sa i takon atletikës, për të cilën mund të flas më lirshëm, mendoj se u paraqit mjaft mirë, ku dua të veçoj edhe Luiza Gegën, e cila arriti në finale dhe ky është sukses i madh. Ajo është sportiste që ka pjekuri, e zotëron garën dhe bëri paraqitje të mrekullueshme.

- Një nga çështjet e shumëdiskutuara është ajo e buxhetit olimpik. Plus që fondet për federatat nuk janë të mjaftueshme. Ndoshta në këtë pikë mund të ketë vend për përmirësim, apo jo?

KOKSH-i nuk ka pasur buxhet e të mendosh që është maja në piramidën e sportit. A e dini se sa nevojë ka ky organizëm për të menaxhuar sportin olimpik? Të paktën 500-600 mijë euro. A e dini sa e ka Italia? Plot 700 mln euro. Këtë shumë ajo ua shpërndan federatave sipas projektit të saj olimpik dhe strategjisë së përgatitjes për këto lojëra. Pse kështu? Sepse politikën olimpike e bën Komiteti Olimpik i një vendi. Atleti italian që bëri bujë në 100 metra, ka qenë kërcyes së gjati, të cilin e ka mundur disa herë Izmir ynë. Por stafi që e përgatit atë është 12 vetë. Ndoshta modeli italian duhet trajtuar mirë nga ne, si model efikasiteti.

- Të flasim për pistën, që aq shumë i mungon atletikës në kryeqytet. Nuk po kuptohet ende që atletika është “mbretëreshë e sporteve”, pra në themelin e çdo sporti. Kohët e fundit ka një zgjim e duket se kryebashkiaku Veliaj mund ta realizojë atë për një vit. Cili është pozicioni i federatës tuaj?

Kryebashkiaku Veliaj i ka hapur dritën jeshile ndërtimit të pistës dhe unë besoj se do ta bëjë. I kemi bërë gati dosjen, projektin e gjëra të tjera, kështu që presim ndërtimin e saj. Do të jetë një mbështetje e madhe për sportin olimpik dhe përgatitjen olimpike.

- Po, por vendi i zgjedhur, pranë kodrave të Liqenit në Tiranë, mund të shërbejë për përgatitje dhe për gara, por s’ka vend për tribuna, prandaj bota bën stadiumet. E keni parashikuar këtë detaj?

Rëndësi ka së pari të bëhet pista, kjo është themelore. Ka dhe pista të hapura dhe që bëhen në natyrë, sikurse ishte gara e U-20 në Suedi. Ne nuk kemi atletikë që mbush stadiumet, të paktën jo në këtë stad. Për çfarë kemi nevojë ne? Na duhet një pistë me tartan të jetë e certifikuar. Sot në Shqipëri kemi dy pista atletike në Korçë që janë të pacertifikuara, si dhe një pistë në Shkodër, të cilës i është prishur tartani dhe ka nevojë imediate të ribëhet. Ku do të vrapojë makineria shkodrane e atletikës shqiptare? Problemi i vërtetë është dimri, pikërisht atëherë kur duhet edhe përgatitja më e madhe. Vijnë shirat, të pengojnë të bësh stërvitje të programuar etj. Pra, kemi mjaft probleme.

- Pandemia vijon të jetë ende një kërcënim, sidomos pas rasteve të shtuara së fundmi. A i keni marrë masat që të mos ketë rrezik infektimesh në radhët e komunitetit tuaj?

I kemi marrë të gjitha masat dhe nuk besoj se ka probleme për garat tona. Ne stërvitemi dhe bëjmë gara në natyrë të hapur. Një pjesë e sportistëve e kanë kaluar, një pjesë janë vaksinuar, pra s’besoj se kemi probleme. Natyrisht që do të bëjmë kujdes.

- Në disa sporte po ideohet marrja e sportistëve të huaj për të kapur rezultat të lartë olimpik. Shembulli ishte rusi i gjimnastikës, por ka dhe federata të tjera që po e shohin si mundësi. A i ka shkuar ndërmend atletikës ta bëjë këtë?

Ne na janë ofruar disa sportistë të nivelit të lartë, por ju duhet ta dini që atletika e ka të pamundur të bëjë transferime të tilla, për shkak të firmosjes së një dokumenti të vendeve anëtare të federatës botërore, që nuk e lejon këtë lëvizje. Kjo masë u vendos pas dyndjes së sportistëve afrikanë në disa vende europiane. Ka procedura, plus koha më e paktë dy vjet që nevojitet për natyralizim, që e bëjnë thuajse të pamundur një nismë të tillë. Shqipëria, si të gjitha vendet, duhet të përpiqet që të zhvillojë sportin e saj kombëtar.

- T’i kthehemi buxhetit. Nuk e di sa është fondi për federatën e atletikës, e për sa ka nevojë ajo që të realizojë objektivat. Si qëndron e vërteta?

Nuk ka ndonjë sekret në këtë mes. Ne marrim afro 100 mijë euro në vit fond nga buxheti, por ky është një fond krejt i pamjaftueshëm për të bërë garat vjetore e jo më të zhvillosh në nivel të lartë sportin. 35% të shumës vjetore e duan biletat për pjesëmarrje në veprimtaritë ndërkombëtare. Paguajmë qera për stadiumin ku bëjmë gara, paguajmë elektronikën, paguajmë gjyqtarët dhe atletika ka shumë të tillë sepse ka shumë disiplina. Ka amortizime, duhet bazë materiale etj. Pra shuma e fondit me nevojat që kemi ne është diferencë e madhe, shumë e madhe. Ne si federatë kemi nevojë për të paktën 300-400 mijë euro që të bëjmë të gjitha garat vjetore të atletikës e të motivojmë disa të rinj të talentuar në këtë sport. Disa disiplina si çekiçi, apo hedhjet me shkop kushtojnë aq shumë sa janë të pamundura t’i aplikojmë.

- E megjithatë Shqipërisë nuk i mungojnë talentet... Trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, në një intervistë të dhënë gazetës tonë ka përmendur një grup vajzash mjaft të talentuara. Si paraqitet e ardhmja e tyre?

Po, kemi, madje Shqipëria ka talente të shumta edhe nëpër shkolla, por në kushtet kur ka mangësi të tilla infrastrukturore, prindërit e kanë të vështirë ta orientojnë fëmijën në atletikë. Dikur kishte dushe ku sportistët përfundonin pas gare, kurse tani, më vjen keq ta them, sportistët urinojnë pas shkurreve e pemëve. Sporti është sakrificë nuk është privilegj, por sporti është edhe politikë dhe Olimpiada na e tregoi këtë. Dikujt i duket e lehtë, por nuk ka garë më të vështirë për nga koefiçientët e interpretimit sesa kërcimi së gjati dhe disa disiplina atletike. Na duhen trajnerë të motivuar, por që të motivohen duhen paguar. Grumbullimet duhet të jenë të paktën 3-vjeçare e të mendohet për Paris-2024 që tani. Më vjen mirë që në atletikë kemi dy talente të rinj që po rriten si Heldi Valikaj në kërcimin së gjati dhe Franko Burraj në garën e 400 metrave. Shqipëria ka talente dhe e dimë se jemi racë e fortë, të prirur për sukses. Por medaljet nuk vijnë me grumbullime njëmujore, me trajnime njëmujore nuk shkojmë gjëkundi, këtë ta kemi të qartë të gjithë. Për të mbërritur tek medalja olimpike duhet menduar e punuar me projekte nga 4 deri në 10-vjeçare.