BREAKING NEWS

“Të gjitha gati brenda vitit 2021”, Rama jep lajmin fantastik

“Të gjitha gati brenda vitit 2021”, Rama jep lajmin fantastik
x

Sport

Gjimshiti “as”, Atalanta do t’i rinovojë kontratën, “shuan” Mavrajn në Kombëtare

Gjimshiti “as”, Atalanta do t’i rinovojë kontratën,

Mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Berat Gjimshiti, po kalon një sezon të shkëlqyer me Atalantën, pasi jo vetëm luan në Champions League, ku ka premisa për të shkuar në çerekfinale të këtij aktiviteti, por njëherësh Atalanta e tij po garon suksesshëm në top-4 ekipet e Serisë A, me shpresa për të qenë sërish edicionin tjetër në Ligën e Kampioneve. Dhe forma e mirë, kontributi në ekip dhe përmirësimi i vazhdueshëm i treguesve sportivë, kanë sjellë në vëmendje mbrojtësin shqiptar, të cilit i është propozuar të rinovojë kontratën në plan afatgjatë dhe bëhet fjalë për një rinovim në terma 3+2, formulë që mund të sjellë qëndrimin e mbrojtësit në Bergamo gjatë 5 vjetëve të ardhshëm. Në një intervistë që ka dhënë për të përditshmen zvicerane “Blick”, Gjimshiti ka folur në tërësi për sezonin që ka me Atalantën, ambiciet, por edhe dëmtimin që pësoi ditët e fundit. Në këtë intervistë ai nuk ka lënë jashtë vëmendjes as koronavirusin, duke mos iu trembur, por nga ana tjetër tha se nuk do të dëshironte që familjarët e tij të lëviznin në Itali në këtë moment, nisur nga rreziku i lartë i infektimit. Sepse, një nga zonat e cila është me të kuqe në hartë për shkak të rrezikut është edhe Bergamo, qyteti ku jeton mbrojtësi i kombëtares, Berat Gjimshiti. “Shpresoj që virusi të ndalohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mos ketë më viktima. Unë personalisht nuk jam i frikësuar nga virusi. Mendoj se në botë ka sëmundje edhe më të rënda. Sidoqoftë, familjen dhe miqtë e mi nuk do i ftoja në Bergamo”, theksoi ai. Më pas mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë komentoi më konkretisht situatën disi të pazakontë në qytetin e Bergamos, por edhe angazhimin e autoriteteve për të mos pasur panik. “Këtu ende nuk ka polici në rrugë, mund të lëvizim të lirë. Sapo jam kthyer nga qyteti dhe dyqanet e restorantet ishin të hapura. Por, në rrugë ka shumë më pak njerëz”, theksoi më tej Gjimshiti. Duke folur sërish për koronavirusin, Gjimshiti kujton për gazetën e njohur zvicerane se edhe shokët e skuadrës diskutonin shumë për këtë temë, madje kishte edhe panik, por vetëm tek disa lojtarë. “Sigurisht, koronavirusi është një temë e cila flitet shpesh mes nesh. Disa janë më të frikësuar, disa të tjerë më pak”, nënvizoi më tej mbrojtësi kuqezi.

Dëmtimi, rikuperimi dhe situata me Atalantën

më pas vjen komenti i Gjimshitit për dëmtimin e tij, që ndodhi vetëm pak minuta para se të zbriste në fushë me Atalantën kundër Valencias në duelin e parë në 1/8 e finales së Ligës së Kampioneve. Dhe Gjimshiti bën një rrëfim shterues duke i dhënë sqarim të plotë situatës së tij në lidhje me dëmtimin. “Luajta një top të gjatë dhe papritur ndjeva dhimbje në kofshë. Ishte bezdisëse. Ishte në ditën që festova datëlindjen e 27. Por, shokët e skuadrës bënë shumë mirë. Ndërkohë, tashmë nga dëmtimi jam mirë dhe jam sërish gati.”, theksoi mbrojtësi kosovar i kombëtares kuqezi. pyetjes së gazetarit të “Blick” nëse vijon të stërvitet rregullisht në këtë periudhë, Gjimshiti iu përgjigj se po kalonte një moment të qetë e të zakonshëm, por e pazakontë ishte se u anulua ndeshja e Atalantës në kampionat. “Deri më tani ka qenë e zakonshme, përveç faktit që ndeshja nuk u luajt. Të hënën nuk kishte stërvitje, por të martën do rikthehemi në fushë. Të paktën ky është synimi. Mendon se javën e ardhshme do luhet? Shpresoj që po”, përfundoi Gjimshiti. Duhet theksuar në fund se mbrojtësi ka një rol thelbësor në ekipin përfaqësues. Ai e ka fituar tashmë rolin e qendërmbrojtësit titullar dhe duket se operon me më shumë efikasitet me Ardijan Ismajlin. Madje Gjimshiti, falë punës dhe përkushtimit me Atalantën ia ka dalë të marrë vëmendjen e trajnerit Edi Reja dhe mund të pranohet se e ka nxjerrë “në pension” mbrojtësin Mërgim Mavraj. Ky i fundit nuk ka më ritmin e dikurshëm as me skuadrën e tij në kampionatin gjerman, ndërkohë që Gjimshiti luan në top-4 të Serisë A, aktivizohet në Champions League me Atalantën dhe ka eksperiencë mjaftueshëm për të përballuar duelet e mëdha.