BREAKING NEWS

Surpriza të pakëndshme me bilancin e COVID, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar 24 orët e fundit

Surpriza të pakëndshme me bilancin e COVID, Ministria e
x

Sport

Gjimshiti bën 5 vjet në Serie A, ndaj Strakoshës ka kritika të ashpra

Gjimshiti bën 5 vjet në Serie A, ndaj Strakoshës ka kritika

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po bëjnë një paraqitje relativisht të mirë me skuadrat e tyre në Europë. Padyshim ka prej atyre që kanë spikatur e madje që luajnë dhe në Champions League sikurse ndodh me Gjimshitin, Strakoshën dhe Uzunin. Disa të tjerë luajnë në Europa League e disa të tjerë po shkëlqejnë me klubet e reja sikurse ndodh me sulmuesin Armando Broja tek Viteshe në Holandë. Por vëmendjen ditët e fundit duket se e ka marrë mbrojtësi kuqezi i Atalantës, Berat Gjimshiti, i cili ka qenë ditën e djeshme në konferencë për shtyp para sfidës së nesërme ndaj Midtjaland në Ligën e Kampionëve. Futbollisti i Kombëtares thekson se në janar bën pesë vite që është në Itali dhe beson se është përmirësuar, ndërsa shton se ky kampionat të rrit mentalisht. Në fillim ai komenton ndryshimin që ka ndodhur me ekipin, sidomos me humbjen kundër Veronës. “Do të kërkojmë të shkojmë përpara dhe të përballojmë sfidën e nesërme. Humbëm dy pikë me dy gabimet tona, por do të kërkojmë ta përballojmë më mirë këtë sfidë”, u shpreh Gjimshiti. Më pas ai komentoi rritjen e tij profesionale me Atalantën. “Nuk jam një nga ato që lexoj shumë gazetat, me siguri që jam rritur shumë. Në janar bëj pesë vite që jam pjesë e futbollit italian, është një kampionat që të bën të rritesh edhe mentalisht. Tani është viti i tretë që jam këtu me trajnerin Gasperini, mendoj se jam rritur. Ka kualitet në këtë skuadër, e kjo të ndihmon të rritesh. Shihet që ka shumë dëshirë. Është e njëjta gjë edhe për shokët e skuadrës”, nënvizoi më tej mbrojtësi i përfaqësueses së Shqipërisë. Nuk kishte si të mungonte komenti i Gjimshitit për mangësitë e mbrojtjes në ndeshjet e fundit. “Së fundmi, kemi pësuar më pak gola, jemi më solidë në prapavijë. Kemi punuar për të arritur këtë kompaktësi në mbrojtje, është forca jonë. Në ndeshjet e fundit ia kemi dalë të luajmë më mirë, me Veronën bëmë gabime që mund të shmangeshin, por gjithnjë mund të rritemi më shumë”, theksoi më tej shtatlarti i mbrojtjes së Atalantës, një nga lojtarët e stabilizuar tek ekipi i Bergamos. Në fund, Berat Gjimshiti komenton edhe rezultatet ë kanë luhatje, ku nga një fitore e bujshme në Champions me Liverpulin, ekipi i tij shkon e humb në kampionat ndaj Veronës, diçka e pazakontë. “Siç e ka thënë edhe Papu, duhet të vazhdojmë përpara. E dimë, rezultatet që kemi marrë së fundmi, vijnë për shkak të dëshirës që kemi treguar. Jemi të mërzitur pas ndeshjes së të shtunës, por duhet të shohim përpara”, përfundoi Gjimshiti.

Strakosha u rikthye, por me humbje, nisin kritikat

Ndërsa Gjimshiti ka marrë vëmendjen e medias sportive italiane si një nga lojtarët e stabilizuar në formacionin e Atalantës dhe me 5 vjet tashmë në Serie A, ndaj një tjetër kuqeziu ka pasur kritika të forta dhe këto kritika vijnë menjëherë pas kthimit të tij nga pushimi disaditor si pasojë e dëmtimit dhe njëherësh koronavirusit. Kështu, Tomas Strakosha u rikthye mes shtyllave për Lacion këtë fundjavë në ndeshjen përballë Udinezes teksa mungonte për më shumë se një muaj. Ekipi bardhekaltër u mposht me rezultatin 1-3 dhe paraqitja e gardianit shqiptar nuk ishte nga ato që ai na ka mësuar. Ndoshta, koha e gjatë jashtë fushave si pasojë e COVID-19, ndikoi edhe te paraqitja e futbollistit të kombëtares, i cili ka marrë kritika për golat e pësuar. Nëse në rastin e goli të dytë, Strakosha nuk kishte shumë për të bërë, në rastin e golit të parë dhe të tretë, padyshim mund të bënte më shumë. Kështu, në Itali, tashmë janë duke ngritur pyetjen në formë presioni për trajnerin Simone Inzagi: Kush do të jetë portier i parë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve ndaj Dortmund? Për trajnerin, Strakosha ka qenë gjithnjë numri një dhe ulja në stol mund të ishte një goditje e rëndë për 25-vjeçarin, mirëpo nga ana tjetër, Reina ka justifikuar paraqitjet e tij gjatë mungesës së shqiptarit. Prandaj, tek Lacio tashmë ka një çështje rreth portierit të parë dhe posti i Strakoshës nuk është më aq i sigurt dhe Reina shihet sfidat i fortë, edhe pse është veteran.