BREAKING NEWS

Gati 4 mijë testime! Ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Gati 4 mijë testime! Ja sa raste të reja me COVID u regjistruan
x

Sport

Gjimshiti e Berisha në çerekfinale të Kupës së Italisë, dyshja kuqezi e sigurt në skemën e Rejës në Kombëtare

Gjimshiti e Berisha në çerekfinale të Kupës së

Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha janë dy prej futbollistëve më të spikatur shqiptarë që luajnë në kampionatin italian, i pari në Serie A me Atalantën dhe tjetri në Serie B me Spalin. Të dy futbollistët ishin protagonistë së fundmi në Kupën e Italisë, duke i dhënë ndihmë skuadrave të tyre për të realizuar objektivin dhe mediat italiane kanë bërë një pasqyrim me ngjyra entuziaste për ta, duke i vlerësuar shumë lart. Një paraqitje e tillë është domethënëse dhe në Kombëtare, pasi mbi bazën e këtyre performancave trajneri Edi Reja do të vendosë rreth listës së të ftuarve në sfidat e ardhshme zyrtare të ekipit, por edhe për skemën taktike dhe formacionin që do të ndërtojë në eliminatoret e Botërorit Katar-2022. Sikurse shkruajnë vetë mediat sportive italiane, por edhe “Eurosport”, ka rezultuar fatsjellës rikthimi mes shtyllave i Etrit Berishës për SPAL. Portieri kaloi momente të vështira nga COVID, megjithatë kjo eksperiencë e hidhur është lënë në të kaluarën dhe dje Berisha ka qenë një nga më të mirët për ekipin e tij në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Sasuolo. SPAL, falë suksesit 0-2 ka mbërritur në çerekfinale teksa e pret ndeshja me Juventusin, ndërkohë që nga “Eurosport”, performanca e Berishës është vlerësuar me notën 6.5. “I rëndësishëm në pjesën e parë në më shumë se një rast, ishte gjithnjë i gatshëm në tentativat e Sasuolos”, ishin fjalët e përzgjedhura nga “Eurosport” për paraqitjen e gardianit. Por, të enjten, i impenjuar për fazën e 1/8-tave të Kupës së Italisë nuk ka qenë vetëm Berisha, teksa në fushë zbriti edhe Berat Gjimshiti me Atalantën e tij. Mbrojtësi i kombëtares u aktivizua për 90 minuta, duke realizuar edhe një gol, por që iu anulua për pozicion jashtë loje. Ashtu si Berisha, “Eurosport” ka vlerësuar me notën 6.5 edhe Gjimshitin. “Aty pas, në prapavijë është lojtari më i sigurt i mbrëmjes. Më pas shënon edhe golin e 4-1, por që iu anulua më pas për pozicion jashtë loje”, shkruhej nga “Eurosport” për Gjimshitin. Paraqitje të tilla të mira janë një shenjë pozitive edhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares, ku tifozeria kuqezi pret shumë prej “yjeve” të saj. Gjimshiti e Berisha janë për momentin kuqezinjtë më në formë dhe me minutazh të plotë.

Hysaj rikthehet në planet e Simeones

Mbrojtësi kuqezi, Elseid Hysaj, duket se ka nisur zyrtarisht muajt e tij të fundit si futbollisti i Napolit. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, duket se nuk do të rinovojë me napolitanët, pasi preferon që të përfundojë kontratën e tij në korrik dhe të ketë mundësinë të bëjë vetë zgjedhjen për të ardhmen pa asnjë lloj presioni apo pengese nga klubi. Një situate që e ka bërë të lakmuar për shumë klube të mëdhenj në Europë, sidomos në një periudhë kur të gjithë po mundohen të ulin shpenzimet për shkak të krizës që u shkaktoi pandemia. Menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi, e ka bërë të qartë se për momentin dëshira e Hysajt është të mos rinovojë. “Unë mendoj se me 60% ai nuk do të rinovojë e me 40% jemi në lojë”, theksoi Xhiufredi në një emision radiofonik sot duke folur për mbrojtësin shqiptar. Por edhe nëse largohet nga Napoli, për Hysajn janë hapur skenarë mjaft interesantë. Dy ditë më parë ishte Olimpik Marseja që kishte shfaqur interes për të, sipas mediave franceze. Ndërsa sot, në Spanjë është përhapur lajmi se Hysajn e kërkon përsëri Atletiko Madrid që kryeson La Liga. Futbollisti shqiptar kishte qenë një nga alternativat e preferuara nga Diego Simeone edhe në vitet e kaluara, por ai u desh të kënaqej me Kieran Tripier. Megjithatë, problemet e këtij të fundit apo dëmtimet e Vrsajlkos, kanë bërë që Atletiko të hedhë sytë përsëri nga futbollisti shqiptar. Për momentin nuk bëhet fjalë për një lëvizje në janar, por në muajin korrik, kur Hysaj të jetë futbollist i lirë, pasi Atletiko është gati ta presë krahëhapur me parametër zero. Bisedimet kanë filluar që dy vite më parë në fakt dhe pritet të konkretizohen më shumë duke filluar nga muaji i ardhshëm.