BREAKING NEWS

Italia kalon 10 mijë të vdekur, 889 të vdekur, 1434 të shëruar dhe 3651 të infektuar në 24 orë

Italia kalon 10 mijë të vdekur, 889 të vdekur, 1434 të
x

Sport

Gjimshiti “hero” i Atalantës, “Eurosport”: Lojtar i gatuar për Champions

Gjimshiti “hero” i Atalantës, “Eurosport”: Lojtar i

Lojtarët e Kombëtares po bëjnë një paraqitje të mirë me ekipet e tyre në ligat ku aktivizohen. Ditët e fundit në fokus kanë qenë Myrto Uzuni dhe Sokol Cikalleshi që kanë qenë vendimtar për skuadrat e tyre dhe në fitoret e ekipeve respektive. Por lajm ishte dhe aktivizimi me ekipin e parë të Çelsit të talentit shqiptar Armando Broja. Sidoqoftë, kulmi i elozheve arriti mbrëmjen e të martës, ku në Champions League u aktivizua mbrojtësi kuqezi Berat Gjimshiti, i cili është pjesë e Atalantës dhe skuadra italiane fitoi në transfertë ndaj Valencias 4-3 dhe sipas shtypit sportiv italian dhe atij europian mbrojtësi Berat Gjimshiti ishte një nga më të mirët në fushë, madje ka media sportive në Europë që thonë se Gjimshiti ka qenë ndër më të spikaturit e këtij sezoni në UEFA Champions League, duke marrë lëvdata jo vetëm nga klubi i tij, por edhe specialistë të ndryshëm. Nuk mungojnë krahasimet me lojtarët e mëdhenj, por është fakt se puna e fortë stërvitore dhe eksperienca e fituar i kanë dhënë të drejtë shqiptarit dhe ai sot është ndër lojtarët më të vlerësuar tek Atalanta dhe nuk është rastësi që klubi italian i ka zgjatur kontratën me disa vite të tjera.

Vlerësimi nga “Eurosport”

Atalanta arriti një kualifikim të madh mbrëmjen e së martës, që edhe pse pa praninë e tifozëve rezultoi të ishte një nga sfidat më të bukura të Champions League këtë sezon. Pasi kishte fituar ndeshjen e parë ndaj Valencias me rezultatin e thelle 4-1, Atalanta kishte detyrën të ruante atë rezultat të marrë në “San Siro” dhe ia arriti qëllimit, kundër një Valencia që nuk ishte dorëzuar që në raundin e parë. Spanjollët luftuan deri në fund dhe Atalanta iu përgjigj me Iliçiç, i cili arriti tës hënojë katër gola dhe të dërgojë skuadrën e tij për herë të parë në çerekfinale të Champions League. Por jo vetëm Iliçiç ka merita për këtë sukses historik. Edhe Berat Gjimshiti me shokë bënë maksimumin e tyre për të gëzuar gjithë bergamaskët, të mbyllur nëpër shtëpia për shkak të përhapjes së koronavirus. Mbrojtësi i kombëtares sonë, sipas “Eurosport” është lojtari më i mirë në difensivën e skuadrës së Gasperinit. Në këtë ndeshje Gjimshiti vlerësohet me notën 7 dhe “Eurosport” e arsyeton: “I përgjegjshëm, i sigurt në avancimet para dhe i vendosur në fazën mbrojtëse. Mbrojtës me besueshmëri të madhe”. Një vlerësim i tillë, i shkurtër por mjaft domethënës, tregon se Gjimshiti është një lojtar i gatuar për të luajtur ndeshje të mëdha, pikërisht duele të nivelit të lartë në Champions League, dhe këtë ai e ka treguar edhe në ndeshjet e mëdha me Juventusin dhe Interin në Serie A, apo në Kupën e Italisë.

Kombëtarja

Berat Gjimshiti është mbrojtës titullar në përfaqësuese dhe gjatë viteve të fundit ka qenë i përzgjedhuri i parë i trajnerëve të Kombëtares, qoftë nga Kristian Panuçi, ashtu dhe nga Edi Reja. Ky i fundit është në monitorim të lojtarëve që luajnë në Itali dhe Gjimshiti, duke qenë titullar në formacionin kuqezi, merr rëndësi të veçantë. Nuk dihet nëse Reja pëlqen më shumë atë apo Ismajlin në qendër të mbrojtjes, por tekniku veteran italian ka preferuar në shumicën e herës që t’i aktivizojë së bashku, si dy shtylla mjaft të forta, shtatlarte në repartin difensiv të ekipit kombëtar. Natyrisht, gjithçka varet nga forma e momentit dhe ftesat apo dhe aktivizimi, do të kenë lidhje me formën e momentit të sportistit, minutazhin në këmbë, paraqitjen e tyre me skuadrat ku luajnë dhe natyrisht përshtatjen taktike me grupin. Dhe, duke qenë teknik italian, Reja është i prirur t’u besojë më shumë lojtarëve që luajnë në Serinë A dhe Serinë B italiane, duke qenë se këta futbollistë i përshtaten skemave të tij taktike, sidomos modulit 3-5-2, aq të nevojshëm për një skuadër që nuk ka kualitet shumë të lartë dhe ndonjë sulm frontal si skuadra jonë përfaqësuese.