Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Socialistët e Tiranës ndezin motorët/ Veliaj merr vendime të rëndësishme, lëviz 20 drejtues, u kërkon të fokusohen në fushatë (Zbardhen EMRAT dhe pozicionet e tyre)

Socialistët e Tiranës ndezin motorët/ Veliaj merr vendime të
x

Sport

Goga përmbys Vllazninë, fiton Kupën e Shqipërisë në basketboll

Goga përmbys Vllazninë, fiton Kupën e Shqipërisë

Basketbolli mbylli aktivitetin e parë sezonal ditën e djeshme. Pas finales së vajzave që u fitua nga Flamurtari në duelin me Tiranën, dje ishte radha e meshkujve në parket, pikërisht në finalen e Kupës së Shqipërisë, trofe që shkoi për Goga Basket, e cila mposhti Vllazninë e Shkodrës me shifrat 80-70. Ishte një ndeshje e bukur, me rivalitet, por duket se diferencën e bënë lojtarët e huaj që kishte në gjirin e vet Goga. Sa i takon ndeshjes, Vllaznia ishte e papërmbajtshme në dy periodat e para të ndeshjes finale të Kupës së Shqipërisë përballë Goga Basket, duke dominuar në parketin e sallës sportive “Feti Borova” në kryeqytet. Ishte një ndeshje e nivelit të lartë, ku të dyja skuadrat u përpoqën të bënin më të mirën dhe në fakt luftuan për çdo top, në dyluftime por edhe në tabelë, pa harruar strategjitë taktike që kishin sipas porosive të stafeve teknike. Sidoqoftë, shkodranët ishin më aktivë në startin e lojës dhe kjo u shpreh mjaft mirë me 5 pikët diferencë në favor të tyre që prodhoi perioda e parë e ndeshjes, e cila përfundoi me shifrat 19-14 për shkodranët.

Shtatlartët e Vllaznisë e ruajtën këtë epërsi me të njëjtin ritëm edhe në periodën e dytë, madje me sulme frontale, por që pati dhe kundërshtari përmirësime në lojën sulmuese. Megjithatë, Goga basket vijoi të gabojë në mbrojtje dhe kjo e favorizoi dukshëm ekipin shkodran. Për pasojë edhe periodën e dytë e fitoi Vllaznia me shifrat 25-20. Me pak fjalë, shkodranët shkuan në dhomat e zhveshjes me fitore 44-34, me një diferencë prej 10 pikësh, që shprehnin një epërsi të dukshme të tyre në fushë, por dhe një avantazh që e çonte drejt titullit. Por në basketboll asnjëherë nuk ka siguri dhe kjo u vërtetua edhe në këtë përballje të rëndësishme finale të meshkujve në Kupën e Shqipërisë.

Përmbysja e madhe e Gogës

Pas përfundimit të gjysmës së parë të lojës, skuadrat shkuan në pushim, ku Goga Basket bëri ndryshime të forta në mënyrën e lojës, duke iu imponuar Vllaznisë me saktësinë dhe zhdërvjelltësinë e veprimeve sulmuese. Dhe menjëherë pas kthimit në parket kjo strategji efikase e lojës së shpejtë sulmuese dhe mbrojtjes solide e të padepërtueshme dha efekte pozitive për ekipin privat nga Durrësi, pasi basketbollistët e saj e dominuan parketin, dhe ia dolën të fitojnë periodën e tretë me shifrat 22-12, duke balancuar në mënyrë të pabesueshme të shifrat e rezultatit, gjë që u shpreh nga të dhënat e numrave në tabelë, në barazim të plotë pas tri periodash, 56-56.

Ky ishte dhe kulmi i rënies së Vllaznisë, e cila kishte shpenzuar shumë energji, por edhe nuk kishte më novacion në skemat e lojës, gjë që u shfrytëzua maksimalisht nga Goga Basket, e cila siguroi në periodën e katërt dhe të fundit një epërsi të madhe në finalizim, dëshmuar me numrin e pikëve që sa vinte e thelloheshin. Pikërisht në periodën e katërt dhe të fundit Goga Basket shpërtheu në parket, duke siguruar një sulm mjaft të shpejtë dhe të saktë, si për dy ashtu dhe tri pikë dhe në këtë periodë erdhi edhe diferenca për fitoren dhe Kupën. Goga shënoi në këtë periodë plot 24 pikë, nga 14 pikë që realizoi Vllaznia. Fitoi përfundimisht Goga Basket e trajnerit Afrim Bilali, me rezultatin 80-70, duke merituar kështu trofeun e parë sezonal.

Në fund të ndeshjes, Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj federate, Korab Llazani, shpërndau medaljet për finalistët dhe fituesit dhe i dorëzoi kapitenit të Goga Basketit, Thano, trofeun e Kupës së Shqipërisë. Entuziazëm në radhët e sportdashësve të skuadrës private durrsake, ndërsa Vllaznia mjaftohet me vendin e dytë dhe lojtarët e saj marrin medaljet e finalistit. Duhet thënë se shkodranët shkëlqyen në këtë aktivitet, sidomos në gjysmëfinale, kur eliminuan favoriten kryesore, Teutën. “Finale e organizuar mirë, skuadrat luajtën mirë dhe i përgëzoj. Pati rivalitet, por basketbolli ynë ka nevojë për mbështetjen e spektatorëve”, tha ndër të tjera kreu i basketbollit, Avni Ponari.