BREAKING NEWS

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta bëjë subjekt të SPAK, nga vilat e 13 apartamentet, te shpenzimet mijëra paund në Londër

Drejtësia makthi i presidentit, pasuria miliona euro rrezikon ta
x

Sport

Hektor Shaqiri: Presidenti dekoroi emra që s’i kanë arritjet e mia, peshëngritja nuk e meriton këtë trajtim

Hektor Shaqiri: Presidenti dekoroi emra që s’i kanë arritjet e

Dekorimet e fundit të bëra nga institucioni i Presidentit të Republikës për disa pjesëtarë të peshëngritjes shqiptare, kanë sjellë një situatë të pakëndshme brenda komunitetit dhe ka rritur dozën e pakënaqësisë, pasi dyshohet se selektimi i emrave është bërë jo mbi parimet e meritës, por selektimit partiak dhe personal. Pas qëndrimit të trajnerit të Kombëtares Kreshnik Leka, që ngriti pretendime serioze për mos marrje parasysh të federatës në këto vlerësime, kritikëve të Presidencës u është shtuar së fundmi edhe trajneri i njohur i shtangës, Hektor Shaqiri, njeriu me kontribut gjysmëshekullor si trajner, nga duart e të cilit kanë dalë kampionë e rekordmenë dhe figura të mëdha të sportit shqiptar si Mirjan Hakani, Ilir Suli, Romela Begaj etj. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Shaqiri radhit disa pika ku beson se institucioni i Presidentit të Republikës ka bërë një selektim të pabazuar mbi meritat, por qasjet partiake. Në këtë intervistë, nuk mungon as mendimi i tij prej specialisti për zhvillimet e fundit në peshëngritjen shqiptare dhe shqetësimet që lindin për vazhdimësinë e këtij sporti në Shqipëri.

- Ju keni shprehur skepticizëm dhe pakënaqësi për qasjen e Presidentit të Republikës në dekorimet e bëra për disa pjesëtarë të peshëngritjes shqiptare. Madje ju personalisht mund të ishit një prej atyre që, për kontributin e tyre të gjatë në shtangë, mund të kishit marrë titullin “Mjeshtër i Madh”. Pse besoni se Presidenti gaboi në këtë rast? Cilat janë argumentet tuaja?

Që në fillim të herës dua të theksoj se unë e njoh personalisht presidentin Meta. Ai e di mjaft mirë që edhe unë jam pjesë e një partie, por i palëkundur si pjesëtar i PS-së. Njoh gjithashtu dy këshilltarët e tij, Leonard Tasen dhe Ilir Kullën, të cilët kanë qenë sportistë dhe më njohin. Unë nuk jam prej atyre që gjykoj keq vlerësimet e bëra dhe të ngre paragjykime për mënyrën se si i ka bërë. Por unë do të përmend faktin dhe fakti është se në listën e dekorimeve të tij ka emra që nuk i kanë arritjet e mia. As nuk krahasohen fare me kontributin tim. Kam që prej vitit 1973 trajner në peshëngritje, me karrierë teknike gati gjysmë shekullore dhe puna ime është vlerësuar nga specialistë dhe me fakte konkrete sepse unë jam trajner i shtangës në 5 kontinente. E megjithatë, kam ruajtur një profil modestie, pasi egoja për të marrë tituj e vlerësime, apo dhe dekorata të llojllojshme nuk është pjesë e karakterit tim. Unë nuk jam prej atyre që duan të duken, kam preferuar të punoj në qetësinë time dhe e kam bërë këtë gjë me përkushtim dhe me shumë dashuri. Kam që nga viti 1986 trajner i skuadrës kombëtare dhe në karrierën time si teknik kam nxjerrë sportistë të nivelit europian e botëror, pra të nivelit më të lartë. E pavarësisht këtyre vlerësimeve kam ruajtur sërish një profil modestie, asnjëherë s’kam folur për veten. Pse po e bëj tani? Sepse është momenti të themi të vërtetën, sepse më kanë telefonuar njerëz, miq e dashamirës, nga Europa e deri në SHBA, e më pyesin: Ore, çfarë bëhet kështu? Si ka mundësi që nuk jeni dekoruar edhe ju? Prandaj, po e hedh poshtë egon dhe modestinë time, e po tregoj se në këtë listë të gjatë të dekoruarish, mund të ishte me patjetër edhe emri im. Arsyet pse nuk është nuk i di, por unë gjykoj se mospërfshirja ime në listën e të dekoruarve nga komuniteti i peshëngritjes nuk është për harresë, por dashakeqësi. Trajneri që ka bërë gara në 5 kontinente, me pjesëmarrje shumë herë në Europianë e Botërorë, që as i ka llogaritur mitingjet e ballkaniadat, e që i di edhe vetë presidenti Meta, është lënë jashtë qëllimisht, unë kështu e besoj.

- Më ndjeni, por emrat që shkojnë tek institucioni i Presidentit të Republikës propozohen nga federatat përkatëse, me firmën e zyrtarëve. A e ka çuar FSHP-ja emrin tuaj tek zyrat e Presidencës?

Kjo është një çështje që shkon përtej propozimeve dhe listave të federatës. Emri im nuk është propozuar asnjëherë pasi unë kam mbajtur gjithmonë një qëndrim kritik ndaj drejtuesve të federatës. Më vjen keq ta them por kjo është e vërteta, unë vazhdimisht kam pasur kundërshtarë politik në federatë. Ata që kanë drejtuar federatën kanë qenë kampe politike kundërshtare me mua dhe ky është një realitet. E megjithatë, këta presidentë kanë dhënë për peshëngritjen dhe ne duhet t’i shohim gjërat jo vetëm me syrin negativ. Ama sot jepen medalje, por a po respektohen vlerat e shtangës?

-Vlerësimi nga institucioni i Presidentit të Republikës bëhet mbi bazën e vlerave sigurisht, këto janë gjëra të shkruara në rregullore e ligje…

Kur flasim për vlerat kemi parasysh rezultatet dhe fatmirësisht peshëngritja është sport individual që matet lehtë në bazë të rezultateve. Unë e thashë dhe më sipër, jam trajner i garave të mëdha, jo trajner i mitingjeve. Unë nuk njoh ndonjë sport tjetër në Shqipëri të jetë përfaqësuar kaq denjësisht sa peshëngritja dhe sportistët e mi në arenën ndërkombëtare. Por, ia që edhe kjo nuk vleka kur është fjala për dekorimet! Mesa duket marrin përparësi ngjyrat.

- Ju po ngrini pretendimin se vlerësimi po bëhet me preferenca partiake, ngjyra partiake, apo jo?

E kam të vështirë ta them, por është fakt që dekorimet po bëhen mbi bazën e ngjyrave partiake e jo vlerave sportive dhe imazhit e punës që kanë përcjellë trajnerët dhe sportistët e vërtetë e me rezultate. Siç e thashë, mua më ngacmon njohja që kam në popull, sidomos në radhët e dashamirësve të peshëngritjes që nuk janë të paktë. “E mori ky, e mori ai, ja dhe ai tjetri u bë ‘Mjeshtër i madh’, pse ty nuk ta dhanë…”, etj, që më kanë vënë në siklet, por përtej modestisë time ndonjëherë më duket sikur kjo punë gjysmëshekullore paska qenë e kotë.

- Cili është mendimi juaj për shtangën shqiptare sot, sidomos pas zhvillimeve të fundit?

Shtanga jonë sot është me probleme dhe unë gjykoj se faji është i trajnerëve, karakteri i dobët i tyre. Për një“copë bukë” e bëjnë veten pis, shfaqen shumë keq. Nuk duhet të harrojmë se presidenti i riardhur qëndroi 6 vjet në krye të federatës dhe të gjithë u gëzuan kur ai dha dorëheqjen, e cila ishte e vonuar. Tani është kthyer prapë, çudi e madhe, vetëm këtu ndodhin çudira të tilla. U kthye sepse gjeti karaktere të dobët dhe mua këto zhvillime më janë neveritur. Sot shtanga ka përfunduar keq, gjynah që të përfundojë kështu gjithë ky sport elitar. Sot shtanga është e pashpresë. Investimet kanë rënë, por është momenti të themi një realitet tjetër që nuk duhet harruar e për këtë duhet përgëzuar Ilir Meta. Kur ishte kryeministër investoi në peshëngritje 500 milionë lekë, një shumë e madhe për kohën, e cila i mbushi palestrat e sportit plot dhe prej atyre viteve u afruan në palestrat e shtangës të gjithë kampionët që kemi sot. Investimi pati efekte pasi trajnerët u vunë në lëvizje për të gjetur elementë dhe për të rritur rezultatet. Qerimaj, Godelli e ndonjë tjetër u futën në rrugën e shtangës pikërisht atëherë. U bë një punë e madhe që as nuk mund të mendohet sot. Në kohë rekord u bë palestra e peshëngritjes dhe pati gjallëri që dha efekte për disa vite. Unë prandaj çuditëm sot, sinqerisht, se si Presidenti nuk vlerëson punën e tij.

- Me çfarë merreni aktualisht, a vijoni të trajnoni?

Unë kam gati një vit që e kam lënë, jam tërhequr. Në fakt kam qenë në këshillin e trajnerëve por nuk jam qasur fare. Presidentit aktual, Gjozës, medaljet e fundit ia kam dhënë unë në vitin 2018, me Daniel Godellin, në Kroaci. Ende e kujtoj që na futi në një shtëpi me qera, edhe pse dyshoj se me letra kemi fjetur në hotel luksoz në Zagreb. Habitem e më vjen keq se si e trajtojnë peshëngritjen kështu. Shtanga shqiptare nuk e meriton këtë gjendje.

- Jemi në vit olimpik, çfarë prisni nga shtanga këtë vit?

Briken Calja e ka siguruar kualifikimin, por unë shpresoj shumë dhe besoj se do ta realizojë edhe Erkand Qerimaj. Së dyti, nuk jam dakord me disa që thonë se peshëngritja më parë kualifikohej në Olimpiadë me ftesa. Jo, përkundrazi, shtanga jonë ka shkuar në Olimpiadë më parë me norma të kapura dhe me më shumë se dy emra.

- Në peshëngritjen e femrave mungon një sportiste si Romela Begaj…

Romela ishte fati im në aspektin e rezultateve. Unë kam punuar shumë me të, pasi shihja se kishte kapacitete për rezultate të larta. Ajo vinte nga cirku, me një përgatitje fizike të mrekullueshme. Romela ishte një mrekulli në peshëngritjen shqiptare, pasi përveç talentit ajo më tejkalonte në stërvitje me përkushtimin e saj. Vlerat mbahen e nuk përdhosen dhe sjellja ndaj saj ka qenë aspak e merituar. E ngatërruan me dopingun dhe më ka ardhur shumë keq për fundin e saj, ajo vajzë nuk e meritonte këtë trajtim. Po kështu edhe Fetije Kasaj, e cila erdhi nga Greqia, me një forcë të pabesueshme, e ngatërruan edhe atë me dopingun. Këto vajza kanë qenë talente, por u dogjën nga politikat e gabuara të federatës. Unë kam qenë me fat që kam marrë leksione që herët nga një trajner kinez se si të menaxhoj sportistët dhe rezultatin e tyre. Isha me fat pasi ai erdhi të punonte tek klubi i Tiranës. Më vonë jam konsultuar me literaturën bullgare dhe ishin vitet 80-të kur Bullgaria zbriti Rusinë nga “froni”. Në ato vite kam pasur fatin e madh të kem në ekip shtangistë shumë të mëdhenj si Mirjan Hakani, Bashkim Groblleshi e Vasil Lici, që u bënë kampionë e rekordmenë. 13-vjeçarë i mora për t’i stërvitur dhe patëm arritje të mëdha, pasi ishin shtangistë fenomenalë. Ka qenë fat i madh për mua, kështu e konsideroj, që koha si trajner nuk më la asnjëherë pa emra të mëdhenj. E megjithatë, Presidenti është i zënë me vlerësimet e ca të tjerëve, të cilët, përkthyer me rezultate, nuk janë në nivelin tim. Gjithsesi, ndihem mirë që e kam bërë punën me ndershmëri, që me sportistët e mi i kam sjellë vendit medalje të rëndësishme, që na vlerëson publiku.