BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Sport

Hektor Shaqiri: Strategjia jonë në Europian e gabuar, e ardhmja e peshëngritjes e zymtë

Hektor Shaqiri: Strategjia jonë në Europian e gabuar, e ardhmja e

Kampionati Europian i Peshëngritjes që u zhvillua në kryeqytetin rus, Moskë, nga 3-11 prill, konfirmoi rikthimin në majën e këtij sporti të disa vendeve që më parë ishin në krizë, të tillë si Bullgaria dhe Turqia. Ndërkohë, përfaqësuesja jonë e shtangës u prezantua me dy fytyra, ku në një anë qëndronte me kokën lart shtangisti Briken Calja, që mori dy medalje, si dhe Evangjeli Veli me një medalje bronzi, e në anën tjetër sportistët e tjerë që ishin larg rezultatit të dëshiruar e madje larg rezultateve të tyre të zakonshme. Duket se Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka gabuar në strategji, pasi në një Europian shkohet me sportistë që pretendojnë medalje, jo me ata që janë në prag “pensioni”. Pavarësisht kontributit të tyre në peshëngritjen shqiptare, është momenti që t’u jepet hapësirë të rinjve e të investohet tek ata. Godelli e Qerimaj, sportistë të mëdhenj padyshim, duket se e kanë mbyllur “ciklin” e rezultateve europiane, për më tepër dëmtimet e shpeshta dhe forma jo e qëndrueshme. Duke analizuar këtë ecuri të ekipit, tekniku me përvojë të madhe në peshëngritjen shqiptare, eksperiencë mbi 50-vjeçare, Hektor Shaqiri, theksoi se strategjia e FSHP-së duhet bazuar tek të rinjtë. Ai analizoi me kujdes 3 elementë që kushtëzojnë sot shtangën shqiptare: organizimi, trajningu dhe investimi (buxheti) që lënë për të dëshiruar.

- Çfarë po ndodh me Hektor Shaqirin në këtë periudhë? A keni ndërmend t’i ktheheni trajningut?

Kam 8 muaj i tërhequr nga ky zanat, nuk besoj se do të kthehem më, mosha ime nuk është premtuese tani. Për më tepër që kam kaluar disa probleme shëndetësore, kështu që shtangën tani duhet ta çojnë para më të rinjtë.

- Pak ditë më parë, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, garuan edhe disa sportistë tanët të ekipit kombëtar. Ju jeni trajner me përvojë të gjatë në këtë sport dhe njihni mirë garat në këto nivele. Si mund ta përshkruani prezantimin e ekipit tonë?

E kam ndjekur, kam parë edhe paraqitjen e sportistëve tanë, por unë mendoj se është një nga kampionatet më të dobëta ndër vite për ekipin përfaqësues. Me përjashtim të Caljes, i cili ruan nivele të larta e të qëndrueshme, edhe deri diku shtangistja Veli që arriti të “shkëpusë” një medalje në njërin stil, sportistët e tjerë nuk iu afruan zonës së medaljeve, madje ishin larg rezultateve të tyre. Pra, me përjashtim të Brikenit (Caljes), të tjerët kanë hapa prapa. Duke analizuar me kujdes këtë performancë, unë një gjë nuk e kuptoj: këta thonë vazhdimisht se shteti nuk investon etj, pra ankohen se nuk mbështeten financiarisht. More, zotëri, para se të nisësh ekipin në Europian duhet të bësh garë kontrolli, për të parë gjendjen dhe rezultatet e sportistëve. Sportistët që afrohen me objektivat shkojnë, të tjerët jo. Sepse, duke ndjekur një linjë që nuk shkon në përputhje me strategjinë e rezultatit e të garës, atëherë çon në Europian sportistë të dëmtuar apo që dëmtohen krejt papritur në garë, që sipas mendimit tim janë dëmtime të pritshme e të përsëritura. Pra, pyetja mund të shtrohet: zoti president i federatës, pse harxhon paratë për sportistë që nuk kanë shanse të kapin zonën e medaljeve? Strategjia juaj duhet të bazohet tek të rinjtë, që t’u jepet një shans, të motivohen e të gjenden rrugët që u jepet frymëmarrje sportistëve të së ardhmes. Pse s’çon më mirë të rinj në Europian, që t’i përgatisësh me emocionin e garave të mëdha, të përkushtohen në stërvitjet e tyre dhe të kenë një shans? Janë tre sportistë, Qerimaj, Godelli dhe Shoraj që nuk ishin brenda pritshmërive. Nuk fajësoj sportistët, të kuptohemi, jo gjithmonë do të vijnë me medalje e jo gjithmonë do të jenë në superformë, por pikëpyetja qëndron tek strategjia e FSHP-së, tek organizimi i saj. Nuk ka pasur garë kontrolli, rezultatet, me përjashtim të Briken Caljes, janë larg pretendimeve në Europian. Është shpenzim i kotë.

- Megjithatë, federata është e justifikuar pasi Europiani kishte vlerë kualifikuese në Olimpiadë dhe duhej që sportistët që e kërkojnë kualifikimin ta kenë këtë shans...

Ky është një tjetër problem i peshëngritjes tonë. Unë e thashë më sipër, para garave të mëdha bëhen gara kontrolli dhe në Europian shkojnë ata që kanë shanse për rezultate të lartë të provuar në kontroll, ndryshe është shpenzim i kotë dhe buxhetet tona për sportin janë të kufizuara. Ne shkuam në Europian me një delegacion ku kishte më shumë këshilltarë sesa sportistë. E dyta, në vend që të investosh tek të rinjtë, çon në Europian sportistë me rezultate në rënie.

- Ju po thoni që federata ka gabuar në strategji, por...

Jo ka gabuar, por ka gabuar rëndë, të bësh garë kontrolli para aktiviteteve të mëdha është alfa e një plani serioz. Së dyti, ne nuk e dimë a bëhet ndonjë kontroll nëpër palestra në lidhje me stërvitjen. Sa stërviten sportistët tanë, a i ndjekin ata planet e stërvitshmërisë? Por kjo ka lidhje dhe me një element tjetër, që është shndërruar në problem serioz në peshëngritjen shqiptare, e që ka të bëjë me trajnerët.

- Çfarë, konkretisht?

Së pari unë nuk e kuptova pse në Europian nuk kishte shkuar Zef Kovaçi, trajneri i Erkand Qerimajt? Unë pashë që në stafin teknik kishte vetëm njerëz që i kanë shërbyer presidentit aktual të federatës në fushatën e tij zgjedhore. Nga aq sa pashë prej garave, konstatova një tension të lartë brenda ekipit, sidomos me Godellin, i cili ishte shumë i nxehur. Dyshoj se ai nuk merret vesh me stafin, në aspektin e menaxhimit të garës. Pra, prezantimi i një skuadre përfaqësuese në nivele të tilla aktivitetesh varet shumë nga organizimi, i cili këtë herë linte për të dëshiruar.

- Duket se vitet e fundit, si me presidentin e kaluar dhe të tanishmin, puna e federatës është fokusuar tek lufta ndaj dopingut. A mendoni se është fituar kjo luftë?

Kjo është një lëvizje që bëhet për imazh, por nuk mund ta vëmë dorën në zjarr nëse është eliminuar si fenomen. Edhe kur ishte president për herë të parë, për këtë u zgjodh, se do të luftonte dopingun. Por koha tregoi se i dolën shumë sportistë me doping. Unë në atë kohë protestova, duke paralajmëruar që grumbullimi në Greqi mund të kishte pasoja dhe ashtu rezultoi, sepse atje sportistët morën doza substancash të palejuara. Për shkak të qëndrimit tim ai më përjashtoi nga ekipi, më bëri dhe një letër shkarkimi që e çoi në ministri, por atje ia hodhën në kosh, pasi unë isha trajner në një klub privat dhe askush s’mund të më shkarkonte mua si teknik. Mund të më hiqnin si trajner të ekipit kombëtar po s’mund të më largonin nga shtanga. Kur i dolën tre sportistë me doping më kërkoi falje, por i thashë që faljen duhet ta bënte publikisht, sepse publikisht kishte marrë nisma në dëmin tim.

- Të kthehemi tek Europiani, paraqitja e Briken Caljes ishte cilësore, plus rivalitetit që ishte shumë i madh. A është premtues për Olimpiadën një rezultat i tillë në këtë peshë?

Unë e ndoqa garën e tij dhe jam i kënaqur. Ai këtë herë nuk çaloi tek forca, por pati pak probleme tek shpejtësia, ishte pak më i ngadaltë. Mos harrojmë, Olimpiada ka një rivalitet shumë më të madh se Europiani. Në peshën e tij garojnë sportistë të nivelit shumë të lartë në Azi, si kinezët dhe koreanët, që kanë rezultate shumë të larta. Nëse ai do të shkonte në Olimpiadë deri në vend të 5-të, do të ishte sukses i rëndësishëm. Në nivele si ai i Olimpiadës, renditja e një sportisti në 8 më të mirët është, sipas mendimit tim, sukses. Mos harrojmë se ne jemi vend i vogël dhe kemi një sport me probleme.

- 10-20 vjet më parë pati një gjallëri në peshëngritje, ku u afruan shumë të rinj, si vëllezërit Trasha, Qerimaj etj, por edhe tek femrat erdhën disa elemente që do të shënonin rezultate shumë të larta. Pse i mungon peshëngritjes një frymëzim i tillë sot?

Është e vërtetë, në ato vite shtanga jonë bëri një hop cilësor, pasi u afruan elementë të rinj të mirë, por duhet të pranojmë që edhe buxheti për peshëngritjen në ato vite ka qenë shumë i madh. Në qeverinë Meta peshëngritja ka marrë deri në 500 mln lekë në vit dhe këto para ishin të mjaftueshme për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare dhe rritje të interesit të të rinjve. Buxheti grant për federatat ka ardhur duke u reduktuar, përfshi dhe peshëngritjen, aq sa kemi sot një buxhet që nuk premton për të bërë gjëra të mëdha. Unë i kthehem sërish trajningut, si një tjetër problem i shfaqur këto vite. Kemi shumë pak trajnerë të aftë. Është Çela ( Ilir Çela) në Elbasan, Nardi (Leonard Toska) me Shtërmenin..., nuk kemi trajnerë. Këtu bëhesh trajner shtange pa teklif, pa bërë kurse e shkollë për këtë punë, pa u thelluar në literaturë etj. Jo çdo shtangist mund të bëhet trajner i peshëngritjes. Shoh me keqardhje që nuk është punuar në këtë drejtim dhe është mjaft e qartë dhe e provuar tashmë se pa kuadro të mirë nuk mund të bësh sport cilësor. Përveç buxhetit dhe trajningut, desha të evidentoj dhe një element mjaft të rëndësishëm që ka të bëjë me organizimin, i cili lë për të dëshiruar. Më parë klubi i Tiranës drejtohej nga Koleka, që grumbulloi sportistët më cilësorë në klub, investoi për ta dhe ishte një shenjë që u jepej sportistëve që mund të gjenin një farë mbështetje në rrugëtimin e tyre. Tani konstatoj që në klube ka më shumë spastrime se mbështetje. Mënyra se si e menaxhon një federatë, një klub apo një institucion, është me rëndësi themelore. Por që ta menaxhosh si duhet kërkohet që të bashkëpunosh me njerëzit që e njohin sportin. Ju përmendët më lart vëllezërit Trasha, Qerimajn e shumë të tjerë që dolën ato vite, një grup goxha i madh. Unë vetë kisha 3 sportistë cilësorë. Investimi nuk mungoi dhe puna u shtua. E pra, kur gërshetohet investimi i mjaftueshëm, me punën e përkushtuar e shkencore të trajnerëve si dhe organizimi i duhur nga federata, atëherë gjërat shkojnë në nivelin e dëshiruar, prandaj dhe kemi pasur rezultate. Duhet të dimë që sasia prodhon rivalitet dhe rivaliteti prodhon cilësi, ndaj trajnerët ishin në kushtet kur duhej të seleksiononin. Pati rivalitet edhe tek femrat dhe u shënuan disa arritje që i mbeten kohës. Sot kemi arritur në një pikë që s’kemi sportistë. Tek femrat ato pak kokrra që janë nuk i kanë rezultatet e Fetije Kasajt dhe Romela Begajt. Prandaj të ardhmen e shoh pak të zymtë. Që të evitohet kjo duhet që peshëngritjes t’i kthehet investimi dhe kultura e punës, duke i kushtuar vëmendje profesionalizmit të trajnerëve.