BREAKING NEWS

Yuri Kim i dha mesazhin e fortë, Lulzim Basha bën lëvizjen urgjente

Yuri Kim i dha mesazhin e fortë, Lulzim Basha bën lëvizjen
x

Sport

Hidhet shorti, Sevilje-Roma finalja e parakohshme e Europa League

Hidhet shorti, Sevilje-Roma finalja e parakohshme e Europa League

Champions League është aktiviteti më i rëndësishëm për klube i UEFA-s, por një peshë të konsiderueshme ka dhe Europa League, e cila shihet si mundësi alternative për sukses sezonal nga klubet elitare europiane. Dhe dje u mësuan kundërshtarët e turit paraçerekfinal të këtij aktiviteti. Në Nion të Zvicrës u hodh shorti i fazës së 1/8-ave të Europa League. Nga tetë çiftet e këtij raundi spikat pas dyshim Sevilje-Roma, që mund të konsiderohet edhe si një finale e parakohshme, ndërsa përplasja e dytë italo-spanjolle është Inter-Getafe. Zikaltrit, që konsiderohen favoritë për ta fituar kompeticionin, duhet të kenë kujdes nga këtij kundërshtari, që në raundin paraardhës, atë të parin me eliminim direkt, nxori nga gara Ajaksin e Amsterdamit, gjysmëfinalistin e Championsit në sezonin e kaluar. Me fat Mançester Junajtid, që “goglat” i rezervuan si kundërshtar LASK Linzin e Austrisë, ndërsa duelet me më shumë rivalitet konsiderohen Olimpiacos (Greqi)-Volves (Angli), apo Volfsburg (Gjermani)-Shakhtar Donetsk (Ukrainë). Duke vënë re ecurinë e klubeve europiane në Champions dhe Europa League konstatohet se ligjin këtë edicion e bëjnë skuadrat gjermane. Në fakt, futbolli në Gjermani prej vitesh është dominuar më se shumti nga Bajerni i Mynihut. Fuqia e futbollit Gjerman po shihet qartë edhe në dy kompeticionet europiane, Champions League dhe Europa League. Bavarezët patën një start të vështire të kampionatit, por tani, me Flick në stol, çdo problem i përket së shkuarës. Forma e mirë e bavarezëve u pa edhe në Champions, në suksesin e pastër 3-0 në “Stamford Bridge” ndaj Çelsit. Një tjetër klub gjerman, Leipzigu, ia doli të siguronte një fitore minimale ndaj Totenhemit në Champions. Ekipi i radhës që arriti të siguronte triumfin në Europë ishte Borusia Dortmund, që mposhti PSG 2-1 në Champions. Të tria skuadrat e Bundesligës luftojnë me njëra-tjetrën në garën për titull. Në Europa League Bajer Leverkuseni u kualifikua përballë Portos, ndërsa Volfsburgu kaloi Malmoen. Në këtë sezon, arena europiane është pushtuar nga futbolli gjerman, që po përjeton një moment fantastik, duke lënë pas liga të tjera të rëndësishme siç janë Premier League, La Liga apo Seria A.