BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Sport

Hysaj merr në dorë “frenat” e Napolit: Dua të shënoj gola të tjerë, do të flas me klubin për kontratën

Hysaj merr në dorë “frenat” e Napolit: Dua të

Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, njëherësh kapiten i saj, Elseid Hysaj, pati një perfomancë fantastike mbrëmjen e së shtunës në kampionatin italian, Serie A, duke shënuar golin e parë të karrierës së tij me napolitanët në elitë, një gol që ka vlera emocionale p[ër lojtarin, por edhe vlerë statistikore. Duhet thënë se mbrojtësi shkodran ka fituar shumë terren me ardhjen e trajnerit Gatuzo dhe tani ndihet lojtar i rëndësishëm në formacion, por e ardhmja e tij tek Napoli është sërish në diskutim, gjë që e shpreh vetë futbollisti duke thënë për mediat italiane se në fund të sezonit do të ulet e të diskutoje me presidentin e klubit mbi ardhmërinë, pra nëse rinovon, apo tërhiqet përfundimisht nga Napoli. Për momentin Hysaj po shijon suksesin e fundit, ku shënoi një gol historik.

Goli i parë pas 192 ndeshjesh në Serie A

U desh ndeshja e 192-të në Serinë A për Elseid Hysajn që kapiteni i kombëtares shqiptare të gjente golin e tij të parë në elitën e futbollit italian. Një gol që ka ardhur pak ndeshje para mbylljes të sezonit, që mund të jetë i fundit për lojtarin e Napolit. “Jam shumë i lumtur për këtë gol të parë me Napolin. Më vjen keq që nuk ishin këtu tifozët, por ia kushtoj gjithsesi familjes time dhe gruas. Shpresoj që të shënoj të tjerë. Rinovimi? Jam I qetë dhe jetoj shumë mirë në Napoli. Do të kënaqem deri në fund, pasi këto gjëra nuk dihet si mund të shkojnë. Do të flas me klubin në fund të sezonit pasi tani kemi shumë ndeshje të rëndësishme”, tha ai pas përfundimit të sfidës. Sigurisht, objektivi është ajo sfidë me Barcelonën në Ligën e Kampioneve, pasi napolitanët besojnë se mund të kualifikohen. “Sot u shënuan 4 gola që erdhën nga gabimet tona. Fatmirësisht ekziston VAR pasi ishin në pozicion jashtë loje, por duhet të jemi më të vëmendshëm. Sasuolo e qarkullon topin si Barcelona, niveli i lojtarëve do të jetë më i lartë në atë ndeshje e ne duhet të jemi të kujdesshëm edhe ndaj detajeve të vogla. Jemi në formë, thjesht duhet të rregullojmë 2-3 gjëra”, deklaroi mbrojtësi shqiptar.

Vlerësimi i medieve italiane

Mirëpo, përveç golit, paraqitja e Hysaj ishte në nivel të lartë edhe në aspekte të tjera të ndeshjes, ndaj në mediat italiane, shkodrani ka marrë një vlerësim të lartë e madje është shpallur edhe si njeriu i ndeshjes. “Gazzeta”, nota 7- “Goli i parë në Serinë A, pas 188 prezencash. Më pas i shkon shumë pranë edhe një tjetri. I inspiruar, por gjithashtu i lirë. I shpejtë dhe kishte një lidhje të mirë me skuadrën”. “Corriere delo Sport”, nota 7.5- “Shënon golin e parë në Serinë A pas 188 paraqitjesh dhe kjo duket se e liron atë. Ai gjithnjë ka qenë një mbrojtës me kohë të plotë, por në këtë sfidë ishte një furi në sulm. Bën të gjithë krahun dhe në një moment asistohet nga Insinje, ku i shkoi shumë pranë të dytit. Mbyll mbrëmjen e tij të mrekullueshme me një assist për golin e Politanos”. “Tuttosport”, nota 6.5- “Shumë i merituar goli i parë në Serinë A. Shumë pjesëmarrës në fazën ofensive”. “Ultimissime Napoli”- “Hysaj ishte më i miri në fushë në fitoren ndaj Sasuolos. Lojtari i krahut ishte autori i goli të parë”.

Duka vlerëson kapitenin kuqezi: E duam në formë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përshëndetur nëpërmjet një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook Elseid Hysajn për golin e parë të shënuar më Serinë me fanellën e Napolit. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shkruan se kuqezinjtë në muajin shtator do të nisin fushatën e radhës në Nations League dhe është shumë e rëndësishme që ata të jenë në formën e duhur. “I lumtur për golin e parë me Napolin në Serinë A të Elseid Hysajt! Një realizim i shkëlqyer nga mbrojtësi shkodran, që ndihmoi skuadrën të merrte atë fitore 2-0 ndaj Sasuolos. Më vjen mirë që e pashë në formë të shkëlqyer dhe uroj të vazhdojë kështu, sepse në shtator Kombëtarja Shqiptare nis aventurën e saj në Nations League dhe kuqezinjtë do të kenë nevojë edhe për klasin e tij. Edhe një herë, shumë urime Elseid Hysaj!”