BREAKING NEWS

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar se të prekur me koronavirus, ja 3 qytetet me numrin më të madh të infektimeve

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar
x

Sport

Hysaj sërish “mollë sherri” tek Napoli, De Laurentis e do në stol, Gatuzo e fut në formacion

Hysaj sërish “mollë sherri” tek Napoli, De Laurentis e do

Mbrojtësi i Kombëtares Elseid Hysaj nuk po kalon një moment të mirë në karrierën e tij, pasi ka probleme me drejtuesit e klubit të Napolit, klub ku ai arriti kulmin e artë të karrierës së tij dhe ka shkruar histori me shumë ndeshje në Serie A. Por këtë edicion Hysaj, duke qenë se nuk ka pranuar të rinovojë kontratën dhe do të largohet në fund të sezonit, ka shkaktuar debat të thellë mes drejtuesve kryesorë, përfshi dhe presidentin de Laurentis, i cili ka këshilluar trajnerin Rino Gatuzo të mos e aktivizojë shqiptarin por të fusë në fushë lojtarë të tjerë që kanë kontratë afatgjatë me napolitanët. Gabimet e shkodranit Hysaj në ndeshjen e fundit ndaj Sasuolos e kanë vënë atë në shënjestër, së bashku me trajnerin Gatuzo, teksa në kah të De Laurentis kanë dalë edhe figura të njohura të klubit, por edhe opinionistët, që besojnë se në vend të Hysajt duhet aktivizuar Mario Rui.

Situata e Hysajt tek Napoli

Tensioni në radhët e Napolit tashmë është bërë shumë i dukshëm dhe gabimet e njëpasnjëshme po nxjerrin klubin nga objektivi për një vend në Ligën e Kampioneve, pa harrura këtë eliminimin nga Europa League që vazhdon të djegë presidentin Aurelio De Laurentis. Sipas mediave italiane, ai fajëson për këtë zgjedhjet e teknikut Gatuzo dhe një prej tyre është aktivizimi i Elseid Hysajt. Presidenti vazhdo të insistojë se nuk duhet të ketë hapësira të mëdha për lojtarët që kanë refuzuar rinovimin si Hysaj e Maksimoviç, por Gatuzo vazhdon t’i hedhë në fushë dhe e bëri këtë gjë edhe ndaj Sasuolos. Fakti që mbrojtësi shqiptar shkaktoi penallti në barazimi 3-3, i ka dhënë një arsye më shumë presidentit për t’i “tërhequr veshin” trajnerit për zgjedhjet që ka bërë. Por ndërsa De Laurentis sheh me sy të keq Hysajn, Gatuzo vetë nuk ka ngurruar të bëjë publik vendimin e tij për të dënuar një nga ata që rivalizojnë me mbrojtësin kuqezi për një vend në formacion. Mario Rui dje është përjashtuar nga stërvitja, pasi Gatuzos nuk i ka pëlqyer impenjimi që ka shfaqur gjatë seancës. Një sinjal i qartë i përkushtimit që kërkohet në këto javë të fundit, por edhe i tensionit që po përjetohet në klub ku tani të gjithë kanë filluar të tregojnë njëri-tjetrin me gisht duke kërkuar fajtorin.

Edhe djali i Maradonës kundër Hysajt

Rreth situatës së mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj ka folur edhe Diego Maradona Jr., djali i legjendës argjentinase që u nda nga jeta pak muaj më parë. Ai është një personazh mjaft i lidhur me Napolin, duke qenë një nga tifozët e zjarrtë të skuadrës së qytetit ku është lindur e jeton. “Nuk e kuptoj se përse ngulet këmbë për Hysjan në krahun e majtë, kur në atë krah mund t’i besosh si Mario Ruit, ashtu edhe Gulam të rikuperuar”, ishin fjalët e tij për një nga radiot napolitane, duke evidentuar atë që sipas tij është një nga pikat e dobëta të rreshtimit të Gatuzos. Mediat italiane janë të bindura se me ndeshjen e mbrëmshme dhe me penalltinë e shkaktuar, minutazhi i Hysajt do të reduktohet ndjeshëm në vazhdimin e kampionatit pasi Gatuzo do të jetë i detyruar që të dëgjojë udhëzimin e presidentit De Laurentis për të aktivizuar sa më pak futbollistë që janë në fundin e kontratës së tyre e që nuk do të rinovojnë.

Rrahmani do fitojë pikë, e paralajmëron menaxheri Aliaj

E ndërsa Hysaj ka probleme me presidentin e klubit, një tjetër shqiptar po shfrytëzon rastin të kapë një vend në formacion. Ai është Amir Rrahmani, i cili luan sezonin e tij të dytë në Itali dhe këtë vit në radhët e Napolit është duke treguar një formë mjaft të mirë. Adrian Aliaj, menaxheri i lojtarit ka folur për sajtin “Si Inflate la Rete”, ku në lidhje me mbrojtësin kosovar ka pohuar se: “E gjithë kjo më në fund po kthehet në rrugën e duhur, pasi mbrojtësi shtatlartë është duke magjepsur me paraqitjen e tij dhe nuk kam pasur kurrë dyshim te aftësitë e Rrahmanit. Ndoshta një ditë, ai mund të jetë edhe kapiten te Napoli”, tha Adrian Aliaj, menaxheri që ka qenë një lojtar i spikatur edhe në radhët e Kombëtares sonë kuqezi. Kujtojmë që vjet Rrahmani luaji me Veronën, ndërsa këtë sezon në radhët e skuadrës së Napolit, pikërisht në moshën 26-vjeçare që është edhe kulmi i karrierës për një futbollist.