Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Sport

Igli Allmuça: 3 javët e fundit nga më të suksesshmet në futbollin shqiptar, Kombëtarja e destinuar për sukses, Tirana e Kukësi pretendentët e sezonit të ri

Igli Allmuça: 3 javët e fundit nga më të suksesshmet

Kombëtarja regjistroi më 4 shtator një sukses të rëndësishëm në Minsk, duke fituar 2-0 përballë Bjellorusisë dhe duke e nisur mbarë edicionin në Ligën e Kombeve, ndërkohë që Shpresat regjistruan një prej rezultateve më spektakolare ndër vite, pasi mposhtën moshatarët austriakë 5-1. Por futbolli shqiptar njohu dhe një tjetër sukses në këtë periudhë, pasi të gjitha skuadrat kaluan turin e parë të Europa League, madje Tirana, e favorizuar disi nga shorti, pret tani të mësojë emrin e rivales në “play-off” të këtij kompeticioni. Në vetëm tri javë, një sukses i tillë i futbollit shqiptar në tërësi, shënon një pikë kulmore. Kështu mendon dhe ish-mesfushori i spikatur i shumë skuadrave të Superligës tonë, Igli Allmuça, i cili në këtë intervistë për gazetën “SOT”, analizon lojën, grupet, kalendarin dhe padyshim pritshmëritë e sesonit të ri për klubet dhe Kombëtaren, duke qenë optimist për një fakt të thjeshtë, që nga skuadrat kombëtare të moshave po dalin elementë mjaft cilësorë që janë të denjë që tani të veshin bluzën e Kombëtares së madhe. Ai sheh Tiranën dhe Kukësin favorite të edicionit të ri në Superiore, teksa nuk harron të komentojë efektet negative që pati në tërësi për futbollin pandemia e koronavirusit.

-Ka një paraqitje shumë të mirë në disa drejtime të futbollit tonë në ballafaqimet ndërkombëtare, qoftë në nivelin e ekipit përfaqësues, por edhe të klubeve, që si rrallë herë kaluan bindshëm turin e parë eliminator në Europa League. Tirana pati dhe pak fat, pasi falë shortit tani është në “play-off”. Cili është mendimi juaj për skuadrat e Superiores që luajnë në këtë kompeticion. Deri ku mund të arrijnë ato?

Tirana bëri një paraqitje shumë të mirë në këtë edicion në Champions. Kjo i mundësoi kalimin e turit dhe tani, pavarësisht se u eliminua, ka ende shanse në Ligën e Europës. Ndodhet në “play-off”, që do të thotë se është vetëm 90 minuta larg fazës së grupeve. Nëse realizohet është diçka e mrekullueshme për klubin bardheblu, por edhe për të gjithë futbollin shqiptar. Kalimi në këto nivele jep buxhet më të madh, prestigj të klubit, reklamim të lojtarëve që mund të shiten shtrenjtë në klubet e huaja dhe fitime për klubin qoftë në imazh, qoftë në arkëtime. Futbolli shqiptar ka shumë nevojë për arritje të tilla, pasi balancon edhe buxhetin vjetor, duke u dhënë klubeve një mundësi progresi. Mos harrojmë, ndeshjet janë me një takim dhe për klube që nuk shihen favorite në letër, siç janë klubet tona, kjo shihet si mundësi. Gjithçka mund të ndodhë në futboll, secili klub do të luajë shanset e tij, edhe kur emrat që kanë përballë janë skuadra të mëdha europiane e tonat shihen inferiore.

- Kukësi duket një skuadër më e qëndrueshme në Ligën e Europës…

E njëjta gjë si për Tiranën vlen dhe për Kukësin. Kjo skuadër ka krijuar një farë stature të mirë në Europa League, pasi është mësuar të kalojë 1, 2 e madje 3 ture në këtë kompeticion. Për Kukësin e viteve të fundit të mos kalosh turin e parë është dështim, kështu që kjo skuadër ka ambicie dhe unë e besoj vullnetin e tyre për të shkuar përpara. Ka short të vështirë, sigurisht, por mos harrojmë se Kukësi ka krijuar eksperiencë dhe kjo e ndihmon atë të përballet edhe me emra të mëdhenj futbolli si Volfsburgu. Në futboll nuk ndodh gjithmonë të fitojë më i forti, e unë shpresoj që kjo të ndodhë me Kukësin. Janë 90 minuta, me kujdes dhe besim gjithçka mund të arrihet. Flitet se ka edhe mrekulli në futboll, pse mos ta bëjë Kukësi?

- Edhe Teuta ka një short shumë të vështirë, me Granadën. Pothuajse asnjë shans për të kaluar, apo jo?

Nuk e mendoj kështu. Teuta bëri një performancë fantastike në turin e parë. Unë uroj që ta ruajë këtë nivel dhe, pse jo, të bëjë surprizën e madhe. E njëjta gjë vlen dhe për Laçin, i cili ka krijuar një eksperiencë të mirë në këtë aktivitet, pasi merr pjesë rregullisht dhe nga të gjitha skuadrat e tjera ka shortin relativisht më të mirë. Kurse Tiranës mbetet t’i shihet kundërshtari, shpresojmë të jetë i pranueshëm, pasi në “play-off” ka kundërshtarë shumë të fortë. Për momentin skuadrat me pritshmëri më të mira janë Tirana dhe Kukësi.

- A është ky momenti më i mirë për futbollin shqiptar në Europë, flasim në nivel klubesh?

Kjo periudhë e fundit trijavore është nga më të suksesshmet e futbollit tonë në tërësi e këtu kam parasysh ekipin kombëtar (përfaqësuesen), por edhe Shpresat (U-21). Në fakt, në nivel klubesh kemi pasur dhe më parë arritje të mëdha, madje dhe me Kombëtaren ka pasur një kulminacion më të madh që ishte pjesëmarrja në fazën finale të Europianit të Francës (2016). Në nivel klubesh, mos harrojmë se Skënderbeu shkoi dy herë në grupe. Në vitin 2013, në mos gaboj, Skënderbeu dhe Kukësi ishin në “play-off”. Pra futbolli shqiptar ka pasur edhe momente të tilla të mëdha që duhet të shërbejnë si pika orientuese për skuadrat e tanishme, për të thënë që asgjë nuk është e pamundur, përkundrazi, me përpjekje dhe besim, duke u treguar profesionistë, mund t’ia dalin t’i përsërisin nivele të tilla përfaqësimi.

- Të flasim për Kombëtaren. E para nga jashtë u duk perfekte në lojë dhe rezultat. Cili është mendimi juaj për ekipin?

Fituesit nuk gjykohen negativisht, përkundrazi, Kombëtarja bëri lojë të mirë dhe me rezultatin e duhur. Mund të them më tej se me ekipet e barabarta (në letër), sikurse ishte Bjellorusia, ne kemi treguar superioritet. Mendimi im është që kjo Kombëtare ka personalitet dhe me lojën e rezultatin e arritur bëhet skuadër me autoritet. Në futboll janë të rëndësishme rezultatet dhe për mendimin tim Kombëtarja i ka shanset e mira të kapë vendin e parë në grup. Personalisht pashë një menaxhim të mirë të grupit dhe këtu meritë ka padyshim dhe trajneri, i cili ka eksperiencë dhe njohje të mira për të administruar grupin në planin tektniko-taktik. Mos harrojmë, lojtarët në Kombëtare vijnë të stërvitur nga klubet e tyre. Duhet që trajneri këtë kontigjent ta harmonizojë në fushë, duke përzgjedhur lojtarët që janë më në formë dhe që i shërbejnë skemës së tij. Përgatitja psikologjike e grupit është gjithashtu element i rëndësishëm dhe unë besoj se trajneri Reja e menaxhoi si duhet ndeshjen në Bjellorusi. Mua më gëzon dhe një fakt tjetër, që tani ka shumë lojtarë për nivelin e Kombëtares dhe trajneri mund të zgjedhë. E them këtë bazuar mbi elementët cilësorë që ka kombëtarja e moshës deri në 21 vjeç. Ka lojtarë që janë formuar jashtë dhe janë kontigjent i rëndësishëm e me shumë cilësi, që i japin vazhdimësi projektit. Për këtë jam optimist dhe faktet (përfshi lojën dhe rezultatet) më japin besim.

- Së shpejti vjen dueli me Lituaninë. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Nuk ka vend për shqetësim, përkundrazi, ka vend për entuziazëm, gjë që e dikton ndeshja dhe fitorja e parë me bjellorusët. Gjithsesi, unë gjykoj që ekipi duhet të jetë me këmbë në tokë, sepse kjo është një ndeshje krejt e ndryshme nga ajo e 3 ditëve më parë dhe, ndryshe nga ajo, në këtë ndeshje fitorja është detyrim. 3 pikët janë të domosdoshme dhe për këtë duhen përqendruar të gjithë, pasi objektivi është koka e grupit. Mendoj se e fitojmë këtë ndeshje dhe duhet ta fitojmë patjetër.

- Me sa duket famën e suksesit të Kombëtares së madhe ia mori ekipi i vogël, Shpresat, rastësi apo shpërthim cilësie? Deri ku ku mund të shkojë kjo skuadër

Është e dyta padiskutim dhe jam i ndërgjegjshëm për këtë. Kjo skuadër ka një grup lojtarësh shumë të mirë, të cilët meritojnë që tani të ftohen në Kombëtaren A. Kanë qenë pikërisht elementët cilësorë të skuadrës U-21, dhe loja e golat në Austri që më kanë bindur se Kombëtarja e madhe ka një ardhmëri të sigurt dhe cilësore. Kombëtarja U-21 ka mision kryesor të furnizojë Kombëtaren e madhe me lojtarë cilësorë, që t’i japë asaj vijimësi dhe në këtë prizëm po e bën detyrën shumë mirë. Nëse fiton dhe arrin objektiva atëherë akoma më mirë. Por objektivi i saj kryesor është t’i shërbejë përfaqësueses me lojtarë cilësorë dhe U-21 ka plot të tillë, diçka që të mbush me shpresë.

- Keni ndonjë emër të preferuar? Mos harrojmë se ka plot element të dalë nga Superiorja, si Muçi etj…

Ka disa, ja psh. Kallaku, për mendimin tim e meriton Kombëtaren A, por ka edhe të tjerë. Shumica, që janë bërthamë e skuadrës kombëtare, nga Superiorja kanë kaluar. Cikalleshi, Balaj, Roshi, Sadiku e të tjerë, nuk është rastësi, edhe kampionati ynë ka vlera dhe elementë cilësorë që bëjnë diferencë.

- Kë shihni pretendentë për sezonin e ri në Kategorinë Superiore?

Unë shoh Tiranën dhe Kukësin dy skuadra që do të rivalizojnë për titullin, e them këtë nga grupi i tanishëm dhe buxhetet e tyre. Në letër këto janë dy skuadrat pretendente, pavarësisht se sezonit nuk i dihet. Në grupin e pretendentëve do të fusja dhe Partizanin, por të kuqve u është bllokuar merkato dhe kjo u sjell atyre vështirësi serioze dhe në këto kushte nuk besoj se do të mund të rivalizojnë me dy rivalt kryesorë, Tiranën dhe Kukësin.

- Si e keni parë këtë periudhë pandemie të gjatë pa tifozë në stadium?

Situatë e pazakontë, sigurisht, dhe e dëmshme. Luhej finalja e madhe e Champions League, një superndeshje, por pa tifozë. U bie vlera ndeshjeve. Më parë flisnim për lojtarin e 12-të, shpesh me shaka, por në këtë periudhë u kuptua se sa i rëndësishëm është ai. Ky sport është bërë për tifozët, ndryshe s’ka kuptim. Ka qenë një humbje për futbollin, në të gjitha drejtimet, në marketing, bileta, etj.

- A keni projekt së afërmi, për trajnimin e ndonjë skuadre?

Të them të drejtën kam pasur mundësi të trajnoj, por atje ku mu bë oferta mungonin kushtet e stërvitshmërisë dhe nuk mu duk real projekti. Në një mundësi tjetër, që më pëlqeu, gjërat nuk u realizuan. Sidoqoftë, në një moment të dytë, kur të kem para një projekt serioz, qoftë në Superiore, qoftë në Kategorinë e Parë, do ta pranoj.