BREAKING NEWS

Vijojnë përpjekjet! Pasi marrin udhëzimet nga Yuri Kim, përfaqësuesit e Këshillit Politik bëjnë një tjetër lëvizje

Vijojnë përpjekjet! Pasi marrin udhëzimet nga Yuri Kim,
x

Sport

Igli Allmuça: Kampionati do të bëhet, por futboll cilësor nuk do të shohim

Igli Allmuça: Kampionati do të bëhet, por futboll cilësor

Kampionati do të rikthehet në fushë më 3 qershor, të paktën kështu ka vendosur Federata Shqiptare e Futbollit, e cila pretendon se nuk ka rrezik infektimi nga Covid-19, madje për këtë është përgatitur një protokoll me kushte higjienike në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, që shpresohet të gjejë zbatim dhe t’u hapë rrugën klubeve të menaxhojnë garën pa pasur dëme, së pari duke evituar pikërisht rrezikun e infektimit nga virusi. Nga ana tjetër, specialistët kanë dhënë mendimet e tyre se si duhet operuar, duke dhënë këshilla konkrete për një menaxhim serioz dhe mbi të gjitha për të ruajtur shëndetin e sportistëve nga dëmtimet e mundshme që për shkak të ndërprerjes së gjatë dhe ngarkesës së madhe që e pret garën, janë jo vetëm evidente, por me pasoja. Për këto zhvillime, gazeta “SOT”, intervistoi Igli Allmuçën, ish-mesfushorin e dashur dhe energjik të shumë skuadrave, duke nisur nga Partizani, Tirana, Dinamo, Kukësi e Skënderbeu, pra me ekipet më të mira të këtyre viteve, i cili krijoi një profil të lartë të futbollistit cilësor të kampionatit. Allmuça jep mendimet e tij për situatën e krijuar, bën propozime konkrete, teksa beson se kjo renditje aktuale e skuadrave nuk do të ndryshojë deri në fund. Për të, nuk pritet ndonjë garë cilësore, por një kampionat sa për të dhënë verdiktet në fushën e lojës.

-Jetojmë në një kohë të pazakontë, ku kampionati është ndërprerë prej më shumë se dy muajsh. Është caktuar 3 qershori për rifillimin e garës, por shumë pikëpyetje janë ngritur. Nuk ka kohë për stërvitje cilësore, nuk ka kohë për ndryshime, do të ketë ngjeshje të kalendarit dhe rreziku i dëmtimeve masive të futbollistëve. Ju keni qenë vetë futbollist, madje me shumë eksperiencë, si e shihni këtë situatë të krijuar për futbollin në Shqipëri?

Ka shumë faktorë negativë që ndikojnë mbi futbollin në këtë moment, aq sa nuk lenë mundësi shprese për të pasur një garë cilësore. Koha e gjatë pa stërvitje do të ketë efekte negative. Kësaj i shtohet edhe koha e paktë në dispozicion për të bërë stërvitje të mjaftueshme përgatitore për garën. Për mendimin tim tre janë elementët thelbësorë që do të ndikojnë në garë për pjesën e mbetur të sezonit. Së pari është koha e paktë për stërvitje normale, së dyti kalendari i ngjeshur i ndeshjeve dhe, së treti, temperaturat e larta të stinës. Këta elementë do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e garës, për pasojë nuk do të mund të shohim futboll cilësor. Kësaj i shtohet edhe mungesa e tifozëve, të cilët janë adrenalinë dhe në mungesë të tyre do të mungojë inspirimi apo motivimi që është kaq i domosdoshëm në ndeshjet e futbollit. Të gjithë këta elementë, të gërshetuar me njëri-tjetrin na japin një situatë të pazakontë, për pasojë do të kemi një garë që pritet thjesht të mbyllet si edicion.

-Pra do të vihet në diskutim cilësia e garës apo jo?

Mendoj se po, janë vetë kushtet që e diktojnë këtë gjendje. Unë gjykoj se ky kampionat do të luhet sa për të përfunduar. Me këtë nënkuptoj që nuk do të kemi ndeshje cilësore, ose më saktë nuk do të kemi një futboll të bukur. Brenda kësaj analize, mund të them që do të kemi garë, por nuk do të kemi nivel cilësor ndeshjesh. Do të ketë edhe probleme nga më të ndryshmet, kryesisht dëmtime lojtarësh. Në këtë kuadër, do të marrin vlerë zgjedhjet që do të bëjnë klubet, madje dhe vetë ecuria e skuadrave në këtë pjesë të mbetur të garës do të diktohet nga zgjedhjet e zgjuara që mund të bëjnë klubet dhe këto zgjedhje kanë të bëjnë me kombinimin e elementëve duke shfrytëzuar masat që lejon situata.

-Kur thoni do bjerë niveli, pse ndodh kjo?

Është e thjeshtë, gara nuk pritet të ketë ritëm dhe kur mungon ritmi nuk bëhet fjalë për cilësi. Ndeshjet do të luhen pasdite, pa drita, pa ndonjë motivim shtesë, do të jenë ndeshje të thata, kur 90 minuta skuadrat do të përpiqen në fushë të realizojnë objektivin e tyre për rezultat, por i gjithë dekori tjetër që jemi mësuar të shohim në futboll do të mungojë. Siç thashë, janë shumë elementë negativë që ndikojnë në këtë periudhë dhe kushtëzojnë nivelin e garës.

-Janë bërë propozime nga specialistë të ndryshëm për ndryshime në rregullore. Pjesa që ka të bëjë me nderimet (deri në 5 të tilla) po diskutohet dhe në UEFA e FIFA, por tek ne po diskutohet dhe rregulli për aktivizimin e lojtarëve të huaj. A besoni se mund të luajnë rol pozitiv?

Janë ndryshime që kanë efekt pozitiv dhe duhen bërë, për mendimin tim e ndihmojnë garën në këtë moment. Pse? Në momente të veçanta ndodh që trajneri nuk ka shumë zgjedhje, prandaj lëvizje të tilla krijojnë frymëmarrje, i japin mundësinë trajnerit të ndërhyjë dhe skuadra të mos pësojë humbje nga dëmtimet e mundshme. Unë vetë këta vite kam bërë detyrën e trajnerit, prandaj e di mirë rëndësinë e këtij elementi. 5 ndërrime gjatë lojës janë efikase për kushtet e krijuara të garës. Për më tepër që ndeshjet do të luhen në kushtet kur stina ka temperatura të larta.

-Kë shihni favorite pas kthimit të skuadrave në fushë? Mendoni se mund të ketë ndryshime në renditje?

Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha, përkundrazi, mendoj se skuadrat do të ruajnë këtë gjendje deri në fund. Kam një dilemë, që lidhet me Partizanin. Kjo skuadër në renditjen aktuale nuk është në zonën e Europës, por në 10 xhirot e mbetura mendoj se do ta kapë këtë pozicion, pasi i ka mundësitë. Për pjesën tjetër gjykoj se do të ruhen pozitat e deritanishme. Me 90% nuk do të ketë ndryshime në renditje.

-Cili kampionat është më i mirë, ky i tanishmi, apo ai kur ju ishit në fushë?

Krahasime të tilla, për periudha kohore të ndryshme, nuk vlejnë. Pra, besoj se nuk mund të bëhen paralelizma. Kur unë luaja në fushë kishte shumë skuadra pretendente, kurse tani nuk ka shumë ekipe favorite. Gjithsesi, janë dallime që për kohë të ndryshme nuk vlejnë.

-Ju keni luajtur me shumë skuadra. Ku jeni ndjerë më mirë?

Mirë jam ndjerë në çdo ekip ku kam luajtur, e kam parë veten të respektuar gjithandej, por dua të veçoj Dinamon, mendoj se aty jam ndjerë më mirë. Ka diçka që më ka favorizuar, që lidhet me formën time. Unë kam pasur fat pasi nuk kam kaluar dëmtime të rënda, kam qenë në formë të mirë e të qëndrueshme dhe kjo më ka dhënë mundësinë të luaj në nivele të larta në kampionat për një kohë të gjatë. Siç thashë, jam ndjerë i respektuar në të gjitha klubet, por me Dinamon ka qenë një lidhje e veçantë.

-Nëse do t’ju bënin ofertë për rolin e trajnerit, kë skuadër do të preferonit?

Ekipet ndryshojnë shpesh tek ne, nuk ka shumë siguri. Zgjedhja kushtëzohet nga projektet që kanë klubet. Nëse një klub ka një projekt serioz, afatgjatë, ambicioz, atëherë po, ia vlen ta pranosh. Por në Shqipëri projekte të tilla janë të pakta. Kur ka projekte të tilla nuk do të hezitoja të pranoja, pasi futbolli për mua është jo vetëm profesion por edhe adrenalinë, është lidhje shpirtërore.

-Një kampionat ka gjëra të mira dhe të këqija. Cili është mendimi juaj për kampionatin tonë?

Kampionati ka gjëra të mira e të këqija sigurisht, por unë do të veçoja një mangësi që lidhet me spektatorët. Dikur mbusheshin stadiumet në rrethe, kurse tani qëndrojnë bosh. Ndoshta këtu mund të ketë ndikuar transmetimi i ndeshjeve në televizor, por është fakt që na mungojnë tifozët në impiante, që janë thuajse bosh. Më parë ndihej adrenalina që përcillte tifozeria, do të doja që të kthehej ai mentaliteti dhe emocioni i stadiumeve të mbushura. Një kampionat, sado cilësor të jetë, pa tifozë nuk është i bukur.

-Në derbet e fundit Tirana-Partizani, të luajtura në “Air Albania”, kishte shpresë, stadiumi plot, entuziazëm...

Po, derbi i tillë është, do të ishte bukur të ishin të gjitha ndeshjet kështu. Kjo ndodh pasi në derbi ka shpirt gare, ka rivalitet të spikatur, stadiumi është plot dhe tifozët inkurajojnë skuadrat e zemrës. Krijohet adrenalinë dhe emocion, ka ritëm, ka bukuri, ka entuziazëm. Ka dhe gabime sigurisht, në planin tekniko-taktik, por bukuria e ndeshjes nuk vihet në diskutim.

-Ju keni pasur karrierë të gjatë në fushën e lojës. Keni ndonjë gjë të parealizuar, ndonjë peng?

Jo, nuk kam pengje, unë jam i kënaqur nga karriera ime. Për atë që kam bërë në fushën e lojës, për skuadrat ku kam luajtur, ndihem i realizuar. Pengu i vetëm, nëse mund të shprehem kështu, është mungesa e vazhdimësisë në Kombëtare. Do të kisha dashur më shumë kontribut me ngjyrat kuqezi, por në tërësi ndihem i kompletuar.

-Meqë përmendët Kombëtaren, si e shihni të ardhmen e saj me Edi Rejën? Ai është trajner me përvojë të madhe...

Nuk ka shumë pikëpyetje apo enigma. Çdo gjë lidhet me lojtarët, formën e tyre. Sa më protagonistë dhe me minutazh të plotë të jenë ata në skuadrat ku militojnë, aq më mirë do të jetë dhe për ekipin përfaqësues. Aty është gjithë sekreti, tek forma e lojtarëve. Kur ka shumë lojtarë në formë, trajneri ka mundësinë e përzgjedhjes dhe kjo rrit shanset për përmirësimin e performancës dhe arritjen e rezultateve. Pra forma është vendimtare, pavarësisht cilësisë së lojtarëve. Nëse një lojtar nuk luan rregullisht, sado cilësor të jetë, ai s’ka ç’të japë në ekipin kombëtar. Për mendimin tim ky është element thelbësor për një skuadër dhe objektivat e saj.

Intervistoi: Adriatik Balla