BREAKING NEWS

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i republikës”, Frrok Çupi del sërish me deklaratën e fortë: Në Shqipëri fundërrinat...

“Ka njerëz më të mençur se presidenti i
x

Sport

Igli Tare fut në sherr klubet e Serisë A, kontakton “shqiptarçe” me Marash Kumbullën

Igli Tare fut në sherr klubet e Serisë A, kontakton

Igli Tare synon të marrë një tjetër shqiptar në gjirin e Lacios, klub ku ai vetë është drejtor sportiv prej afro 10 vjetësh. Duhet thënë se për mbrojtësin Marash Kumbulla janë vënë në kërkim disa prej klubeve të mëdha italiane, pasi mbrojtësi 19-vjeçar shqiptar ka cilësi teknike të admirueshme dhe një fizik të shkëlqyer, duke dëshmuar njëkohësisht edhe përgatitje taktike të nivelit të lartë, gjë që nuk ka kaluar pa u vënë re nga menaxherët dhe teknikët e ndryshëm italianë e më gjerë. Padyshim që Kumbulla është një zbulim dhe këtë e ka treguar me lojën e tij në fushën e gjelbër, pasi është shndërruar në lider tek skuadra e Hellas Veronës. Madje së bashku me Rrahmanin ishin dy prej lojtarëve më të mirë në repartin difensiv, duke marrë vlerësime të mëdha dhe në shtypin sportiv italian e madje të zgjedhur disa herë në formacionin më të mirë. Një nga arsyet që klubet janë sulur të marrin shërbimet e djaloshit shqiptar ka të bëjë me moshën e tij shumë të re, vetëm 19 vjeç, si dhe saktësitë e tij në ndërhyrje, duke dëshmuar potencial në rritje dhe një elegancë që e bën atë të bëjë diferencën me moshatarët. Jo vetëm kaq, por Kumbulla ka një pjekuri të madhe për moshën dhe nuk është e rastësishme që klubet më të mëdha italiane e dëshirojnë këtë lojtar.

Lëvizjet e Lacios dhe qëndrimi i Tares

“Marash Kumbulla është një nga futbollistët më të lakuar në këtë merkato të janarit”, shkruajnë thuajse të gjitha mediat sportive italiane. Mbrojtësi i Kombëtares shkëlqeu në pjesën e parë të sezonit me fanellën e Veronës dhe pavarësisht moshës 19-vjeçare apo se është në sezonin debutues në elitën e futbollit italian, sërish ia ka dalë të impresionojë me personalitetin e tij në qendër të mbrojtjes. Në këtë formë, interesimi për Kumbullën është i madh nga klubet e Serisë A, të cilat e shohin si një element thelbësor për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Interi duket se është në linjë të parë për shërbimet e shqiptarit, ndërsa aty pas zikaltërve është edhe Fiorentina. Megjithatë, ai që nuk dorëzohet në këtë garë është drejtori i Lacios, Igli Tare. Tare nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mbrojtësi dhe sipas mediave italiane është duke punuar për të gjetur akordin personal me lojtarin e më pas me klubin e Veronës. Mbetet për t’u parë tashmë nëse drejtori i Lacios do ia dalë të triumfojë për shërbimet e Kumbullës dhe të mposhtë konkurrencën e shumë klubeve.

Kombëtarja, një shans për Kumbullën

Kumbulla është pjesë e përfaqësueses kuqezi. ai është grumbulluar me kuqezinjtë por pa mundur të fitojë minutat e duhura, ndërkohë që trajneri Edi reja ka premtuar ta ketë në qendër të vëmendjes për projektin e tij të ardhshëm. Djaloshi simpatik, shtatlartë dhe shumë i fuqishëm është në projektin e Rejës për eliminatoret e Botërorit 2022 në Katar, por edhe më pas në eliminatoret e Europianit të vitit 2024. Nëse ruan këtë ritëm, duke u përmirësuar teknikisht dhe taktikisht, si dhe duke mbajtur profil të lartë fizik, Kumbulla ka gjasa të shndërrohet shpejt në lojtarin kryesor të mbrojtjes kuqezi. ai luan si qendërmbrojtës, por mediat italiane në analizën e tyre kujtojnë se saktësia e tij është e madhe dhe në role të tjera difensive, por kjo mbetet të provohet hap pas hapi. Në Kombëtare ai mund ta demonstrojë këtë cilësi, por njëherësh mund ta fitojë shpejt formacionin nisur nga rivaliteti i madh që e motivon atë. Dermaku, Ismajli, Gjimshiti, Balliu, Hysaj, Veseli e shumë të tjerë janë rivalë të tij në prapavijë, por trajneri zgjedh zakonisht futbollistë që kanë minutazh më të madh dhe që dinë të pozicionohen si duhet në aspektin taktik. Për një trajner me përçojë të gjatë në shkollën italiane të futbollit si Edi Reja, Kumbulla është lojtari ideal për të punuar dhe vetë trajneri e ka përmendur në më shumë se një rast si lojtar i së ardhmes. Pak ditë më parë ishte tekniku Xhani de Biazi që e përshkroi Kumbullën si “djalosh i talentuar dhe me të ardhme të ndritur”, duke u bërë thirrje klubeve italiane të mos e humbasin rastin, pra të bëjnë ofertë të majme tek Verona e ta marrin djaloshin kuqezi në gjirin e tyre.