BREAKING NEWS

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton
x

Sport

Ikonat kuqezi duan një Kombëtare të vetme, Lala: Po humbim kohë, na duhet vetëm një flamur

Ikonat kuqezi duan një Kombëtare të vetme, Lala: Po humbim

Shqipëria dhe Kosova garojnë të ndara në aktivitetet ndërkombëtare, edhe pse janë i njëjti popull e i njëjti komb. Dalja në skenë e Kosovës si shtet i pavarur ishte diçka madhështore për shqiptarët matanë kufirit të ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha më 1913. Anëtarësimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA e FIFA, i hapi rrugën futbollit kosovar të përfaqësohet me klubet e tij në garat kontinentale, ndërsa përfaqësuesja e Kosovës të garojë në aktivitetet e rëndësishme të skuadrave nacionale si Europianë e Botërorë. Madje në një kohë të shkurtër Kosova ia ka dalë të krijojë një profil të mirë suksesi, duke ngjitur shumë shkallë në ranglistën e FIFA-s, por njëherësh duke ngjitur një divizion në Ligën e Kombeve (nga D në C). Shumë progres është bërë dhe në rang klubesh, me pjesëmarrje në Champions dhe Europa League dhe disa projekte me UEFA-n gjithashtu i kanë dhënë frymëmarrje kampionatit kosovar. Por në rang ndërkombëtar, ëndrra e të gjithëve ka qenë që Shqipëria dhe Kosova të kenë një kombëtare të përbashkët, një përfaqësuese e cila do të ishte e denjë për të garuar me më të mëdhatë dhe të kishte madje sukses. Ëndrra për të pasur një kombëtare të përbashkët duket më e gjallë dhe më e fortë tek lojtarët që e kanë lënë tashmë futbollin, pra janë tërhequr nga loja aktive. Miqësorja që Shqipëria dhe Kosova bënë të martën në prag të përvjetorit të 13-të të Pavarësisë, e dëshmoi më së miri këtë, pasi në fushë zbritën ikonat e futbollit shqiptar ndër vite, kryesisht ata të moshës 40-55 vjeç. Emocione, por edhe përpjekje për të pasur një përfaqësuese shqiptare nën ngjyrat kuqezi.

Qëndrimi i Lalës.

Dje ishte një ditë speciale për Kosovën e cila festoi 13-vite Pavarësi. Në nder të kësaj dite, të martën u zhvillua një ndeshje mes veteranëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës. Sfida u mbajt në stadiumin e ekipit 2 korriku, ndërsa në të kishte emra si Lala, Bogdani, Bushi, Agolli, Dallku, Dragusha, Keçi etj. Megjithatë, ajo nuk prodhoi gola dhe u mbyll në barazim 0-0. Pas sfidës në një prononcim të shkurtër për ATV, ish-kapiteni i kuqezinjve dhe tashmë në rolin e menaxherit, Altin Lala, uroi që sa më shpejt Shqipëria dhe Kosova të jenë bashkë me një flamur. “Shpresojmë ta përjetojmë sa më shpejtë, të kemi një flamur dhe një kombëtare”, ishin fjalët e Lalës. Natyrisht, Lala, si një prej kapitenëve më jetëgjatë në përfaqësuese e një nga lojtarët me më shumë ndeshje, e dëshiron këtë nisur dhe nga raportet shpirtërore me futbollin kosovar. Ai e di mirë se Kosova është bastion i madh futbolli edhe për përfaqësuesen. “Kjo ishte një ndeshje vëllazërore dhe besoj se do të bëhet çdo vit. Para ndeshjes bisedova me presidentin Ademi dhe u dakorduam që në të ardhmen ndeshjet e këtilla të zhvillohen me shikues dhe të shndërrohen në spektakle futbolli. Kosova ishte në gjendje më të mirë fizike, sepse lojtarët duket se aktivizohen më shpesh, por rëndësi ka fakti që gjithçka kaloi mirë dhe pa dëmtime. Unë vij shpesh në Kosovë dhe kam parë ndryshime shumë pozitive. Madje, do të thosha se edhe Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova pavarësish se është shtet i ri. I uroj gjithë të mirat Kosovës dhe sa më parë të bëhet edhe liberalizimi i vizave sepse kjo do të ishte gjë shumë e mirë për qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm si popujt e tjerë të Evropës”, theksoi Lala. Një qëndrim shumë pozitiv dhe emocionues ka mbajtur edhe Bogdani, i cili ishte i pranishëm në miqësoren e Pavarësisë. “Është kënaqësi e madhe që erdhëm në Prishtinë dhe zhvilluam këtë ndeshje në kuadër të shënimit të Ditës së Pavarësisë. Aktivitete të tilla përforcojnë edhe më shumë vëllazërinë që kemi, prandaj me këtë rast dua të uroj të gjithë qytetarët e Kosovës që ta gëzojnë Ditën e Pavarësisë, sepse është një festë e merituar. Unë jetoj në Itali, por me ato çfarë lexoj dhe shoh në media po e vërej që Kosova po ecën me ritme të shpejta dhe më bëhet qejfi për këtë”, theksoi Bogdani. Por jashtë telekamerave dhe përtej deklaratave deklaratave mediatike, të gjithë kuqezinjtë e thonë hapur se një komb duhet të ketë vetëm një përfaqësuese e ajo të jetë nën një flamur, flamurin kuqezi.