BREAKING NEWS

NJOFTIM I RËNDËSISHËM / Komiteti Teknik i Ekspertëve nxjerr masat e reja për të kufizuar përhapjen e Covid, mbyllen universitetet dhe konviktet, ja çfarë pritet të ndodhë me baret dhe restorantet në Shqipëri

NJOFTIM I RËNDËSISHËM / Komiteti Teknik i Ekspertëve nxjerr
x

Sport

Ilir Suli: Pengu i karrierës time medalja olimpike, sot jam i pavlerësuar, pasi nuk di të bëj vota për partitë

Ilir Suli: Pengu i karrierës time medalja olimpike, sot jam i

20 e kusur vjet më parë ai krahasohej me Pirro Dhimën. E ndërsa Pirro dhe ca të tjerë zgjodhën të përfaqësonin Greqinë, ai zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë. Rezultatet paraprake e llogaritnin atë në të njëjtat nivele sikurse të Pirros, por ndërsa Pirro kishte pas vetes federatën greke të shtangës, institucionet sportive helene dhe një makineri të tërë ndihmëse përfshi dhe financat ku e ku me tonat, sportisti që zgjodhi të përfaqësojë flamurin shqiptar kishte vetëm kurajon e tij dhe mbështetjen e pak miqve. Bëhet fjalë për Ilir Sulin, i konsideruar talenti më i madh i shtangës shqiptare, njeriu që iu afrua si askush tjetër medaljes olimpike në Sidnei-2000, nënkampion bote, sot i pavlerësuar dhe i përballur me dallgët e jetës. Edhe pse po bëhet një ligj sporti, ai nuk e prek pozitivisht këtë kampion, pasi, siç ia ka shprehur një deputet i parlamentit të Shqipërisë, ligji nuk ka fuqi prapavepruese. I zhgënjyer nga të gjithë, Suli thotë se suksesi i sportistëve sot në Shqipëri matet jo me rezultate, por me sa vota bën për partitë. Gazeta “SOT” sjell në intervistë, në 45-vjetorin e tij të lindjes, Ilir Sulin, me dritëhijet e tij, dhe ftohjen e tij me shtangën, si dhe njerëzit që drejtojnë sportin.

-Ju mbushët 45 vjeç. Si e gjen Ilir Sulin ky përvjetor?

Bëra 45 vjeç sot (të dielën).Vitet kanë ecur shpejt, por jeta s’më ka ecur aq mirë. Nga ana profesionale mund të shkoja më lart, të kisha një karrierë më të mirë. Jam i zhgënjyer për këtë. Jam i lodhur nga ulje-ngritjet e mia, por edhe i trishtuar si menaxhohet sporti në këtë vend. Menaxhim i keq, shumë i keq. E kanë mendjen vetëm për të vjedhur, harrojnë se gjërat e mëdha vijnë nga puna dhe është puna e vetëm ajo që sjell sukses të qëndrueshëm dhe të vlefshëm.

-Kur bën bilancet e karrierës tuaj, çfarë mendon se shkoi mirë e çfarë mendon se shkoi keq?

Menaxhimi im, si Ilir, nuk ka qenë pozitiv. Me të tjerat deri diku i kënaqur. Në fakt, me karrierën time jam deri diku i kënaqur, por jeta më ka përballur me dallgë të vështira dhe unë sot jam njëri në radhë nga armata e të papunëve. Edhe në sport nuk punohet, e këtu ka disa mekanizma që nuk funksionojnë si duhet. E kur nuk funksionojnë si duhet, as sportistët që kanë kontribuar për flamurin kuqezi, si unë, nuk e gjejnë veten.

-Ekzistojnë mundësitë që të takoni një funksionar sporti e t’ju sistemojë. Ju keni kontribuar aq në sport sa të keni një vend pune në një klub, federatë etj. Pse është kaq e pamundur?

Ah, jo, nuk e duan Ilir Sulin, se ai thotë të vërtetën. Ilir Sulin nuk e duan se ai nuk di të bëjë vota për partitë. Partitë duan njerëz që dinë të servilosen, lajkatohen e të punojnë për to, unë këto kritere nuk i plotësoj. E megjithatë ia dal jetës, falë bashkëshortes dhe familjes time. Së shpejti festoj dyvjetorin e martesës, jeta nuk është aq gri, ka dhe momentet e saj të mira për Sulin. E megjithatë, të vërtetën do ta them dhe e vërteta është se sporti keqmenaxhohet.

-Cila është marrëdhënia juaj sot me peshëngritjen?

Marrëdhënia ime me të është e ftohtë. Shiko, dua të jap diçka, për aq sa njoh dua të jap kontributin tim, por faktet janë kokëforta. Kam punuar pak kohë me shtangistin B.Calja. Ka pasur rezultat të mirë, unë gjykoj se kam pasur një kontribut sado të vogël, ndoshta 0.05% në këtë rezultat e sukses të tij e dhashë. Kryesorja është të dish për shtangën e, më falni për modestinë, unë di për shtangën më shumë nga ca të tjerë. Një trajner nuk duhet të jetë vetëm përgatitës fizik e teknik, por dhe psikolog e mjek. Që të arrihet tek suksesi duhen gërshetuar një mori elementësh, si trajneri, familja, mbështetja shtetërore, financiare etj. Në Sidnei-2000, unë kisha pas vetes trajnerin, familjen, kryebashkiakun Rama, kryeministrin Meta etj, dhe falë kësaj mbështetjeje ne ishim fare pranë medaljes olimpike. Nuk bëhet sporti me partitë, por me punë dhe kur ka vullnet për të arritur diçka të madhe. Ne nuk ia dolëm, na munguan ca gjëra, të eksperiencës dhe përgatitjes psikologjike, por Shqipërisë ende dhe sot i mungon një medalje olimpike. Por për të përshkruar marrëzitë e sportit tonë, mjafton të kujtojmë njerëz që largohen me skandale nga federatat e bëjnë përpjekje të rikthehen prapë. Nuk kam gjë personale me askënd, por morali ku qëndron këtu?A ka moral në sport?Po vetë njerëzit a kanë moral?Ju më pyetët pse nuk e gjej vetveten. Atëherë po ju përgjigjem: Në Shqipëri të jesh i drejtë dhe i ndershëm është shumë e vështirë.

-Në karrierën tuaj, kë cilësoni rezultatet më të mira?

Ato dihen, vendi i pestë në Olimpiadë dhe nënkampion i botës në vitin 2002. Në vitin 2000, në Olimpiadën e Sidneit, unë garova në peshën 77 kg dhe zura vend të pestë. Kur e mendoj sot them “sikur të kthehesha dhe një herë atje”. Diçka nuk shkoi mirë për mua dhe nuk ia dolëm të merrnim medalje. Ishim fare pranë dhe tani që e mendoj kujtoj që nuk patëm eksperiencën e mjaftueshme. Atë që unë e realizoja 10 herë në ditë në stërvitje, ku lozja me rekordet botërore, nuk munda ta menaxhoja si duhet në garë. Një ngërç, mungesë eksperience, vetëvlerësim i tepruar, por ndoshta dhe xhelozi… Nëse gjërat do të shkonin sipas parashikimeve, unë do të kthehesha me medalje ari nga Sidnei.

-A janë të vërteta fjalët se ju kishit planifikuar në këtë moshë të ktheheshit në pedanë, pra të ushtronit sport aktiv?

Vitin e kaluar iu futa dhe një herë këtij sporti, por u tërhoqa. Të marrësh medalje në moshën 44 vjeçare në kampionatin kombëtar mund të jetë gjë e mirë, por mund të jetë edhe dobësi e sistemit ku jemi katandisur.

-Cili është mendimi juaj për shtangën shqiptare aktualisht?

Çështja rrotullohet tek buxheti. Është e provuar, nëse nuk ka një buxhet të paktën 300 milionë lekë të vjetra nuk mund të kesh sukses të rëndësishëm, pasi kushtëzon zhvillimin e aktiviteteve dhe pjesëmarrjet në garat ndërkombëtare. Duhen edhe stimuj, sigurisht, prandaj e shoh të vështirë në kushtet kur buxheti për sportin është i paktë. Nëse buxheti do të ishte më i madh do të kishte trajnime për trajnerët e rinj, do të fillohej puna me moshat, do të shtoheshin garat. Sidomos është e domosdoshme të ketë gara sa më shumë tek fëmijët. Duhen edhe stimuj për fëmijët, sigurisht, shkurt duhen lekët. Por lekët edhe gjenden, prandaj dalim në pikën tjetër që është e rëndësishme, sakrificën. Shiko, ne shqiptarët jemi racë e fortë, kemi brum të mirë për këtë sport. Duhet krijuar një grup i mirë në moshë fare të re, të mbështeten nga shkollat. Ata duhen mbështetur që të mos bëjnë gabimet që bëmë ne dhe të bëhet një përgatitje fizike e teknike e studiuar. Gjërat ecin mirë kur ka një program afatgjatë të mirë. Kësaj duhet t’i shtohet vëmendja shtetërore dhe nga sponsorët. Por vëmendja shtetërore mungon, këtë e dëshmon më së miri që ka mbi 10 vjet që kërkonim një ligj sporti e ai ka ardhur në një formë që se kupton askush. Prandaj më ka shteruar dëshira për të takuar njeri, pasi të thonë se ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Kjo është njëlloj si të thuhet se Skënderbeu ka luftuar, e vërtetë, por me ligjin e ri lufta e tij është kot, sepse ligji nuk ka fuqi prapavepruese. Skandale të tilla vetëm këtu ndodhin.

-Ju folët pak më lart për familjen. Kush është familja juaj?

Unë kam dy vjet i martuar me Indritën, jetojmë në Tiranë dhe kemi një vajzë të vogël.

-Pse nuk keni bërë përpjekje për t’u pajisur me licencë trajneri? Ky është kusht të ushtrosh trajnimin në një sport...

Nuk është se nuk më duhet, por nuk i kam hyrë, por tani që po e diskutojmë ndoshta mund ta kërkoj këtë gjë në ditët në vijim. Dëshira ime e kahershme është që të marr një grup fëmijësh e t’i stërvis. Dua ta nis nga “A”-ja, me një grup fëmijësh të vegjël që të nxjerr elementë cilësorë. Pa fyer njeri, këtu ka ndonjë person që ka 10 vjet trajner e nuk ka nxjerrë asnjë talent. Por s’është vetëm kjo, tallen hapur, pasi nuk u kërkon njeri llogari. Duan rroga, por punë nuk bëjnë. Më pëlqen të bëj gjëra që i vlejnë shoqërisë, por ne jemi një shoqëri e përgjumur, të cilës i mungon kurajoja për të kërkuar të drejtën e saj.

-Ndjesë për ndërhyrjen, por shoqëria nuk mund të marrë direktiva nga një sportist që është kapur me doping…

Bëtë mirë që ma kujtuat, pasi shpesh është abuzuar me mua në këtë drejtim. Dopingu i Ilir Sulit është bërë gangrenë, a thua se ky ishte simboli i të keqes në sportin shqiptar. Gaboheni! Të përdorësh doping është e ulët në çdo rast. Unë kam pranuar fajin tim dhe kam vuajtur pasojat sipas rregullores. Por Ilir Suli nuk e ka njollosur asnjëherë flamurin kombëtar. Ka garuar në shumë aktivitete dhe nuk ka rezultuar pozitiv me doping në asnjë garë zyrtare brenda e jashtë vendit. Ka shumë të tjerë që kanë dalë me doping në gara zyrtare të rëndësishme, por unë jo, kurrë. Unë jam kapur me doping jashtë gare, me një ilaç që nuk e dija që ishte futur në listën e medikamenteve të ndaluara. Të tjerët sot më gjykojnë, sidomos disa nga komuniteti i shtangës. Por u sugjeroj të dalin para pasqyrës e të shohin veten, ndoshta kanë ndërgjegje dhe e gjejnë aty përgjigjen.

-Ju keni bashkëpunuar me shumë ministra sporti e funksionarë. A ka ndonjë që ju ka lënë mbresa pozitive?

Po, është Bujar Leskaj, padiskutim më i miri. Për të flet puna, s’është nevoja të flas unë. Njeriu që më ka mbështetur vazhdimisht, më ndihmoi të bëja operacionin kur u dëmtova. Ai më futi këshilltar të jashtëm, por jo vetëm mua, pasi ka mbajtur afër të gjithë sportistët elitarë në atë periudhë, përfshi dhe Klodiana Shalën. Asnjë ministër tjetër nuk është gjendur më afër sportistëve sesa Bujar Leskaj dhe asnjëri nuk ka pasur më shumë progres në sport sa ai. Mbi të gjitha ka spikatur ana e tij njerëzore, i drejtpërdrejtë. Siç thashë, për Bujarin dhe progresin e institucioneve që ka drejtuar flet puna e tij. Unë do të isha i lumtur sikur të gjithë të kishin atë sukses në punë dhe atë dashamirësi për sportistët sikurse ka Bujar Leskaj.

-Cilat janë planet tuaja të së ardhmes?

Për momentin jam në qorrsokak, nuk e di. Zoti e bekoftë këtë vend, por, ndoshta jam unë gabim, këtu ka gjëra anormale. Na duhet solidaritet e shpresë. Ndihem i keqardhur dhe për veten, pasi, me veprimet apo mosveprimet e mia, s’mund të jap atë që di të bëj më mirë. Dhe ky është pengu im. Unë ia di vetes ca vlera, të cilat duhen shpalosur, por s’po dal dot tek më e mira e imja.

-A keni ndonjë apel për shtangistët e rinj?

Nëse mendoni si familje dhe me ndershmëri, duke punuar në të mirë të objektivit, atëherë gjithçka është e mundur.

-Së fundmi, shtanga zhvillon së shpejti asamblenë ku zgjidhen drejtuesit e rinj të federatës. Cili është komenti dhe pozicioni juaj?

Po, i kam ndjekur zhvillimet dhe për mendimin tim duhet të qëndrojë presidenti aktual, Dhori Masllavica. Ai ka punuar në kushte të vështira, pasi lekë nga shteti nuk del më, por falë menaxhimit të tij sportistët kanë bërë grumbullime, kanë shkuar në aktivitete, është bërë progres në kontrollet antidoping. Zërat që kërkojnë kthimin e ish-drejtuesve nuk më duken të drejta, prandaj unë i uroj suksese Dhorit, sepse e di që ai ka mundësi të tregojë nga potenca dhe dashuria e tij për këtë sport.