BREAKING NEWS

“Do të vëmë bombën kudo që të jesh"/ Kërcënohet me jetë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Prokuroria e Tiranës vihet menjëherë në lëvizje, zbardhet SMS-ja e rëndë

“Do të vëmë bombën kudo që të jesh"/
x

Sport

Izmir Smajlaj: Edhe me flori të më paguajnë nuk e braktis Shqipërinë, më e mira ime ende s’ka ardhur

Izmir Smajlaj: Edhe me flori të më paguajnë nuk e braktis

Sikur të mos mjaftonin kushtet e vështira infrastrukturore, investimi i paktë dhe një buxhet i pamjaftueshëm, pandemia e koronavirusit goditi rëndë sportin shqiptar, duke ndërprerë aktivitetet vjetore kombëtare, një situatë që çoi në shkatërrimin e objektivave të federatave dhe humbje të rënda financiare për klubet. Gjithsesi, shkëndija suksesi në sportin shqiptar ka pasur edhe gjatë kësaj kohe të vështirë e ku më bukur e më domethënëse janë këto shkëndija sesa tek sportistët elitarë, që na bëjnë krenarë me arritjet e tyre? Gazeta “SOT” sjell në këtë intervistë “mbretin” e kërcimit së gjati, “djaloshin e artë” të atletikës shqiptare, Izmir Smajlaj, i cili dje u nis për në Europianin e Polonisë e në të njëjtën kohë po projekton pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Verore të këtij viti në Tokio. Shkodrani Smajlaj i solli Shqipërisë 3 medalje ari në vetëm 25 ditë nga garat e Vjenës, Stambollit dhe Beogradit, me rezultate të larta e premtuese. Por ai vetë shprehet se më e mira nuk ka ardhur ende dhe rezultati 8.30 do të jetë objektivi i tij në 3-4 muajt e ardhshëm. Në këtë intervistë, lexuesit mësojnë më shumë për këtë fenomen të atletikës, i cili ka parametra sportivë të nivelit botëror. Por një sportist i këtyre përmasave, si dhe disa sportistë të tjerë të nivelit europian e botëror si Luiza Gega, Briken Calja etj, meritojnë vëmendje nga institucionet, vëmendje që deri më sot nuk ka qenë në nivelin e kërkuar. E ndërsa Smajlaj i sjell “shportën” me medalje ari Shqipërisë, duhet që pushtetarët (në gjumë deri tani) të mendojnë për t’i mbështetur financiarisht këta “ambasadorë” të shkëlqyer të sportit shqiptar.

Kush është Izmir Smajlaj?

Vendlindja: Shkodër

Datëlindja: 29.03.1993

Gjatësia: 196 cm

Pesha trupore: 86 kg

Rezultati më i mirë: 8.11 m

Klubi: Tirana

Trajner: Gjergj Ruli

Titujt sportivë: Rekordmen i Shqipërisë, Kampion Ballkani, Kampion Europe, “Champion of Small States” (Kampion i Shteteve të Vogla).

- Tri medalje ari në më pak se një muaj, a e prisnit një sukses të tillë ndërkombëtar?

Pyetja juaj vlen për tu vlerësuar… Por, po, në fakt e prisja një sukses të tillë, pasi unë i jam përkushtuar këtij sporti, kalova një vit si 2020 me 3 medalje ari. Në fillim në Mitingun Ndërkombëtar të Bratislavës, më pas në Kampionatin Ballkanik në Stamboll, ku u shpalla kampion, si dhe në mitingun e Beogradit.

- Rezultatet tuaja në të tre aktivitetet e fundit janë të qëndrueshme, pak a shumë të njëjta, mbi 7.90 m. A tregon kjo një moment stabiliteti të formës tuaj dhe a mund të thuhet se është kaluar plotësisht shqetësimi me dëmtimet e mëparshme?

Erdhi pandemia dhe e gjithë puna e palodhur që bëra me trajnerin tim Gjergj Ruli na shkoi dëm. U mbyllëm në karantinë dhe aktivitet sportive u bllokuan me ligj. Kështu, për të mos humbur kohë, bashkë me trajnerin vendosëm që unë të bëja operacionin e gjurit, i cili më jepte herë pas here shqetësime. Pas ndërhyrjes me operacion mu desh një muaj që të merrja veten, fillimisht rikuperim ortopedik, më pas me ushtrime përforcuese për muskujt. Në muajin tetor, më herët se çdo vit, filluam gradualisht stërvitjen. Për të mundësuar arritjen tek objektivat emigruam në Sofje të Bullgarisë për tri javë, e më pas në Turqi për 10 ditë. Natyrisht, stërvitja ka qenë me intensitet të lartë e progresiv, si dhe kualitative në rezultate. Për këtë arsye theksoj se unë e prisja një rezultat të tillë. Megjithatë, më e mira ime ende nuk ka ardhur, pasi pritshmëritë e mia janë mbi 8 metër.

- Së shpejti luhet Europiani indoor, një shans i madh për ju. Cili është objektivi në këtë aktivitet?

Po, e vërtetë, më datën 4 mars fillon Europiani në Torun të Polonisë. Unë jam përgatitur së bashku me trajnerin-president që në këtë garë të jem Izmiri i vërtetë. Unë nuk jam i rënë nga qielli, por stërvitja dhe treguesit janë të tillë që më mundësojnë të jem medalist. Këtu unë nuk garoj me veten, por me atletë të nivelit të lartë, të cilët vijnë nga vende ku atletika ka kushte shumë më të mira sesa Shqipëria.

- Trajneri juaj, Gjergj Ruli, ka pretendime për rezultat mbi 8 m. Në pikëpamjen tuaj, referuar formës, a duhet të presin shqiptarët një surprizë më të madhe këtë vit? Nëse po, si dhe kur?

Trajneri im ka qenë lider i kësaj gare për 30 vjet, rekordmen e kampion i madh dhe fjala e tij bazohet në punën e mirëfilltë që kemi bërë në treguesit dhe në komponentët që ka kjo garë. Në fund të muajit maj ose në qershor, sipas parashikimeve tona, unë do të fluturoj mbi 8.30 m. Ky është një rezultat që e kemi objektiv, nisur nga pritshmëritë tona të bazuara në ato që thashë më lart.

- Atletika jonë ka probleme serioze infrastrukturore dhe jo vetëm. Sa ka ndikuar kjo tek ju?

E vërtetë, atletika në Shqipëri ka infrastrukturën më të dobët në rajon. Kjo jo për faj të federatës, por për seriozitetin dhe botëkuptimin që atletika duhet të ketë në jetën e përditshme, ndërkohë që nuk ka pasur një qasje pozitive nga drejtoria e sportit. Përveç federatës, më shumë më ka ndihmuar bashkia dhe kryetari i saj, si dhe KOKSH, për të pasur një pistë modeste për të bërë të paktën 50% të programit teknik. Jo për t’u mburrur, por nëse do të kisha kushtet që ka atletika botërore, me bindje e them që do të kryesoja në “pol-position” këtë garë.

- Shumë është thënë nga të gjithë krahët e politikës për mbështetjen e sportistëve elitarë, por pak është bërë. Që ju të përmirësoni rezultatet tuaja dhe të përmbushni pritshmëritë, për çfarë keni nevojë?

Sikur të kisha një shkop magjik dhe një tapet fluturues do të shkoja të stërvitesha në vende të nxehta (sepse këtu është dimër), ashtu sikurse shkojnë të gjithë konkurrentët e mi, për të qenë i barabartë edhe unë me ta. Por kjo ëndërr kërkon financa të mëdha, gjë që federata jonë nuk i ka as për të organizuar aktivitetet sportive vjetore të planifikuara në kalendar. Prandaj këtë punë e rregullon vetëm shteti. Sepse atletika në të gjithë botën është prioritet shtetëror në sport.

- Cila është një ditë e zakonshme e atletit Izmir Smajlaj? Jashtë atletikës, çfarë preferon të bëjë?

Një ditë e zakonshme për mua është…, që çdo ditë t’i buzëqesh bashkëshortes time. Të pi një kafe, të shoh e të navigoj në internet në botën e sportit dhe stërvitjeve të atletikës.

- Si ka ndodhur që jeni lidhur me atletikën dhe kur e kuptuat që kjo disiplinë (kërcimi) është rruga e duhur për ju?

Në atletikë më ka futur baba im, i cili ka qenë gjithashtu sportist profesionist, ka luajtur me ekipin e volejbollit. Miqësia që babai kishte me profesor Vildan Tufin bëri që unë në moshën 10-vjeçare të merrem me atletikë. Prej atij momenti nuk i jam shkëputur këtij sporti dhe e kam gjetur veten pikërisht në kërcimin së gjati.

- A je bërë pishman që ke zgjedhur të jesh sportist në Shqipëri? Nëse do të të jepej mundësia të garoje jashtë, me cilin vend do ta bënit?

Jo, asnjëherë, nuk jam bërë kurrë pishman që kam zgjedhur atletikën dhe shprehja “jam krenar që jam shqiptar” më shkon për shtat dhe e ndjej. Madje me flori të më paguajnë unë nuk do ta ndërroj Shqipërinë dhe do të garoj vetëm për vendin tim.

- Ka shumë sportistë që pas tërheqjes nga sporti aktiv i futen politikës. A do ta presim një gjë të tillë prej jush në të ardhmen?

Të ardhmes nuk i dihet, por…, pse jo?! Në fakt, do të më pëlqente të isha një politikan i denjë për të dhënë kontribut në mënyrë të tillë që sporti, në të mirën e të gjithëve, të kishte më shumë kushte e rrjedhimisht zhvillim cilësor.

- Vllaznia është klubi i parë. Por shumë shkodranë (ju, Qerimaj i shtangës etj), kanë zgjedhur të mbajnë veshur fanellën e Tiranës. A ka ndikuar kjo në raportet tuaja me fansat shkodranë?

Në fakt, unë vij nga ajo shkollë, nga djepi i sportit shqiptar që është Shkodra. Por, marrëdhëniet e mira që kisha me presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Rulin, më bëri që të largohem nga Shkodra dhe të zgjedh Tiranën për një stërvitje dhe perspektivë më të mirë në kryeqytetin e shqiptarëve. Me këtë rast falënderoj klubin e Vllaznisë që ma përmbushi dëshirën duke më dhënë leje kalimi, por falënderoj edhe për klubin e Tiranës që më dha mundësinë.

- Cila është familja juaj?

Familja ime e shtrenjtë përbëhet nga mama, baba, bashkëshortja, motra dhe vëllai, të cilët i dua si sytë e ballit.

- Keni fituar 3 medalje ari në më pak se një muaj, a keni marrë ndonjë mesazh urimi nga qeveritarët?

Mesazhe kam marrë pa fund, jashtëzakonisht shumë dhe në disa forma, kurse nga politikanët kam marrë mesazh urimi nga kryebashkiaku, z.Veliaj, si dhe ministrja e Sportit, znj.Kushi.

- Jemi në vit olimpik, ku e sheh veten...?

Është e vërtetë që jemi në vit olimpik dhe unë e di rëndësinë e rezultateve që duhet të marrim para se të vijë vera. Dëshira është shumë e madhe që të kapim ato objektiva që pretendojmë, por në radhë të parë dua të kem shëndet të mirë në këtë kohë pandemie. E dyta, ëndrra ime e madhe është që të jem finalist në garën e kërcimit së gjati në Lojërat Olimpike të Tokios dhe, pse jo, me medalje.